Kryesore

Festa e 7 marsit/ Veliaj letër mësuesve: Mirënjohje për të gjithë ju, krenar që ndajmë të njëjtin qëllim siç është edukimi i brezit të ri!

11:02 - 07.03.23 a.d
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj ka reaguar me një letër drejtuar të gjithë mësuesve për festën e 7 marsit.




Përmes letrës, Veliaj shkruan se profesioni i mësimdhënies është një punë fisnike, ndaj dhe ka shprehur mirënjohjen për të gjithë udhërrëfyesit e dijes.

Sakaq shprehet se është krenar që ‘ndan një qëllim të përbashkët, edukimin e brezit të ri të Tiranës, ata që nesër do të marrin në dorë fatin e këtij qyteti’.

Letra e plotë:

I dashur Mësues,

Gëzuar 7 Marsin! Në këtë ditë të veçantë, dua t’ju përgëzoj dhe t’ju shpreh personalisht mirënjohjen time për punën tuaj fisnike. Unë dhe qytetarët e Tiranës, ju shohim si udhërrëfyes të palodhur drejt dijes sepse në duart tuaja është e ardhmja e fëmijëve tanë. Për këtë arsye, dua t’ju siguroj mbështetjen time në misionin tuaj. Mësimdhënia nuk është një punë e lehtë, sidomos në vitet e fundit, kur sfidat me të cilat jeni përballur, si tërmeti dhe pandemia, kanë qenë të jashtëzakonshme.

Me gjithë vështirësitë, ju keni treguar përkushtim e përgjegjësi ndaj profesionit tuaj, ndaj jam krenar që Bashkia e Tiranës ka qenë krah jush edhe në këtë rrugëtim. 45 shkollat e reja dhe infrastruktura arsimore jo vetëm e ka bërë punën tuaj më të lehtë, por edhe më dinjitoze. Ju e dini më mirë sepse aty kaloni pjesën më të madhe të ditës, në shkolla të rikonstruktuara apo të ndërtuara nga e para, me standarde bashkëkohore, plot dritë, me hapësira më të mëdha, laboratorë e klasa të kodimit, biblioteka, palestra dhe terrene sportive, që këtë vit janë pjesë e kalendarit të pasur të Tiranës si Qyteti Europian i Sportit. Jo pa qëllim, kërkesat e prindërve për regjistrime në shkollat publike janë rritur, çka e bën të duhur ndërtimin e shkollave të reja, të cilat do t’i hapim shumë shpejt. Pak javë na ndajnë edhe nga përurimi i Piramidës si qendra më e madhe e teknologjisë dhe inovacionit në rajon. Pak ditë më parë, në hyrje të Parkut të Liqenit, hodhëm themelet e Qendrës Kombëtare për Fëmijë dhe Teatrit të ri të Kukullave, ku pranë do të jetë edhe Biblioteka Kombëtare. Mezi pres t’u shikoj, së bashku me fëmijët dhe nxënësit, t’i përdorni këto hapësira moderne publike, për të zhvilluar orë interesante mësimi jashtë mjediseve të shkollës tuaj.

Në 103 vite Kryeqytet, Tirana po kalon ditët më të mira të saj. Një rezultat që e kemi arritur bashkë me mbështetjen tuaj dhe të qytetarëve. Duhet të vazhdojmë të punojmë kështu, çdo ditë dhe çdo orë, ne duke u kujdesur për infrastrukturën dhe ju për cilësinë e mësimit. Jam shumë krenar që ndajmë një qëllim të përbashkët, edukimin e brezit të ri të Tiranës, ata që nesër do të marrin në dorë fatin e këtij qyteti.

Të dashur mësues, qofshi gjithmonë të lumtur e të rrethuar nga nxënës të lumtur!

Gëzuar 7 Marsin!


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.