Kronikë

Dosja e tij rezultonte ‘e pastër’/ Kush është anëtari i grupit kriminal që u ndalua në Belgjikë. ‘Kyçen’ pronat dhe mjetet në Tiranë e Vlorë

08:14 - 11.03.23 m.k
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

NIKOLETA KOVAÇI




Një emër i pahasur më parë në regjistrat e Policisë, të paktën nga informacionet e shpërndara ndër vite prej tyre ka rezultuar të jetë trafikant droge.

Për pasojë, Policia e Shtetit ditën e djeshme ka bërë me dije se ka nisur verifikimin pasuror të këtij personi dhe të familjarëve të tij e për pasojë janë verifikuar jo pak, por 22 pasuri në emër të këtij personi që është prangosur në Belgjikë.

Nga verifikimet e para u bë me dije se bëhet fjalë për shtetasin Eridan Guerrero, një 50-vjeçar nga Vlora, por me banim në Tiranë, i cili është vënë nën akuzë nga autoritetet belge për trafik ndërkombëtar droge. Në fakt, Belgjika prej vitesh është kthyer në hambarin e trafikut të drogës, sidomos me vendet e Amerikës Latine, vende ku shqiptarët duket se kanë mundur të hyjnë edhe si ‘dorë e parë’ duke marrë frerët e trafikut me dy portet e mëdha të Evropës, pikërisht me Antverp dhe Roterdamin.

Policia, në një njoftim të gjatë për identifikimin e pasurive të Guerreros, nuk bën me dije se cila është skeda kriminale e këtij personi, por pritet që kjo listë të kalojë në Gjykatë dhe më pas të verifikohet hollësisht pasuria e tij dhe e familjarëve të tij.

 VERIFIKIMET

Në kuadër të procedimit pasuror që shërbeu për finalizimin e këtij operacioni, si dhe në zbatim të vendimit të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, u sekuestruan 22 pasuri (të paluajtshme dhe automjete), në pronësi të shtetasit E. G., 50 vjeç, lindur në Vlorë, dhe të familjarëve të tij. 50-vjeçari aktualisht ndodhet në dhomat e paraburgimit në Bruksel, Belgjikë, i akuzuar për veprat penale “Trafikimi ndërkombëtar i lëndëve narkotike” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale apo veprimtarisë kriminale”, të kryera në formën e organizatës kriminale.

Në kuadër të operacionit “Filtri”, u sekuestruan 18 pasuri të paluajtshme (apartamente, sipërfaqe toke, njësi shërbimi, garazh dhe depo), të ndodhura kryesisht në lagjen “Uji i ftohtë”, Vlorë dhe në Durrës, si dhe 4 automjete të tipeve të ndryshme, të cilat dyshohet se janë përfituar nga shtetasi E. G. dhe nga familjarët e tij, për shkak të veprimtarive kriminale të 50-vjeçarit.

Vijojnë hetimet me qëllim zbulimin dhe sekuestrimin e pasurive të tjera që mund të kenë si burim, veprimtaritë kriminale të shtetasit E. G. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë së Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, për veprime të mëtejshme./panorama


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.