AKTUALITET

SHISH ndërhyn në Botërorin e Peshëngritjes që u zhvillua në Shqipëri, ‘përjashtoi’ kombëtaren e Iranit

16:04 - 02.04.23 E.D
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Shërbimi Informativ Shtetëror ka ndërhyrë ashpër që të përjashtojë Kombëtaren e Iranit që të marrë pjesë në Kampionatin Botëror të Peshëngritjes për të rinj që u zhvillua në Shqipëri, eveniment që uli siparin më 1 prill në qytetin e Durrësit. Kërkesa për të mos pajisur me viza shqiptare iranianët, ka ndezur ndërkohë debate të ashpra në distancë mes federatave në Tiranë dhe Teheran.




750 sportistë dhe stafet e tyre nga 45 shtete të botës ishin pjesëmarrës në këtë aktivitet ndërkombëtar të rinjsh, që Shqipëria prej dy vitesh po organizon, duke u bërë pjesë e axhendës ndërkombëtare të këtij sporti. Ky eveniment erdhi pas Europianit të të rinjve dhe Asamblesë së Përgjithshme Zgjedhore të Federatës Botërore (IËF), që u zhvillua në Tiranë vitin e shkuar. Në kuadër të marrjes së masave për organizimin e këtyre aktiviteteve, ku shumë vende pjesëmarrëse kanë nevojë të pajisen me viza, Federata Shqiptare e Peshëngritjes (FSHP), bashkëpunon me autoritetet vendore, si Ministria e Jashtme apo edhe Agjencitë e Inteligjencës. Por ndryshe nga herët e tjera, në eventin e fundit ka pasur një refuzim që nuk kishte ndodhur më parë.

Agjentët e Shërbimit Informativ janë paraqitur pranë zyrave të FSHP-së për të komunikuar edhe gojarisht refuzimin e 38 sportistëve dhe trajnerëve dhe stafeve të përfaqësueses së Iranit.

Ky ekip kombëtar, nuk është lejuar të pajiset me viza për t’u futur në territorin e Republikës së Shqipërisë. Dhe Irani nuk mori pjesë në kampionatin botëror që u zhvillua në Durrës.

Aktivite të tilla, ku pjesëmarrësit vijnë me shpenzimet e tyre, janë një burim i konsiderueshëm të ardhurash për Federatën Shqiptare të Peshëngritjes, që të mundet më pas të zhvillojë dhe të kontribuojë në përmirësimin e një prej sporteve të traditës sonë.

Konfidencialisht për “Gazetën Si” burime pranë FSHP-së bënë të ditur, se është tentuar disa herë nga autoritetet që të lejohej ekipi Iranit. Për këtë ka pasur një kërkesë nga Federata Botërore e Peshëngritjes, e cila në qytetin e Durrësit gjatë organizimit të Botërorit, zhvilloi edhe mbledhjen e Komitetit Ekzekutiv.

Por autoritetet e sigurisë në Shqipëri ishin të prera në qëndrimin e tyre, duke i sjellë një humbje prej rreth 60 mijë eurosh buxhetit të këtij aktiviteti, që lidhen me akomodimin, transportin, ushqimin dhe gjithçka që i duhet për të qëndruar këtu rreth një javë, apo më shumë, një ekipi prej rreth 38 personash.

Tentativat e dështuara për të gjetur një rrugëzgjidhje kanë krijuar një valë të tensionuar komunikimesh mes FSHP-së dhe Federatës Iraniane të Peshëngritjes, e cila ka përfunduar me acarimin e palës iraniane, ku mes të tjerash në emailin e fundit, pasi kanë kuptuar se përpjekjet ishin të kota, shkruanin: “Ju mbeteni një vend komunist…”

Si pasojë, veç Rusisë dhe Bjellorusisë, dy kombëtare të pezulluara nga të gjitha federatat ndërkombëtare sportive për shkak të luftës ndaj Ukrainës, ndërprerja e marrëdhënieve diplomatike të vendit tonë me Iranin që nga muaji shtator i vitit të shkuar, solli edhe përjashtimin e përfaqësueses së Iranit nga Botërori i Peshëngritjes që u zhvillua në Shqipëri.

Gazeta Si


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.