Një çift bashkëshortësh nga Devolli humbën jetën në një aksident rrugor në aksin “Librazhd-Prrenjas”.




Viktimat janë Arjan dhe Majlinda Yze, të moshës 55 dhe 50 vjeçe. Makina tip “Volkswagen” me të cilën ata po lëviznin doli nga rruga dhe përfundoi në përroin e Lengajcës.

Si pasojë mjeti u përmbys ndërsa çifti I bashkëshortëve e pati të pamundur të dilte jashtë në kohë. Për nxjerrjen e trupave nga automjeti u desh ndërhyrja e forcave zjarrfikëse.

Ende nuk dihet shkaku i aksidentit, ndërsa sipas dëshmisë së familjarëve, ata ishin duke folur në telefon por rreth orës 20:00 të së dielës linja e shkëput. Kjo gjë bëri që të afërmit të njoftonin policinë dhe të kërkonin përgjatë segmentit rrugor që lidh fshatin e Pishkashit me Përrenjasin. Por mjeti u gjet vetëm gjatë orëve të para të mëngjesit të kësaj të hëne në vendin e quajtur “Qershitë”.

Dyshimet paraprake janë se 55-vjeçarin Arjan Yze mund ta ketë zënë gjumi në momentin që drejtonte mjetin por nuk përjashtohet as mundësia që mund të ketë shfaqur probleme shëndetësore.