KULTURË

Artikull sqarues mbi mos-kthimin në identitet të Kishës së Shën Prokopit

09:00 - 04.05.23 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Skender Luarasi, PhD, AIA – Ky artikull ofron disa sqarime dhe saktësime në lidhje me dy deklarata të Kryetarit të Bashkisë Erion Veliaj në lidhje me Kishën e Shën Prokopit. Deklarata më e fundit është ajo e raportuar nga gazeta Panorama, së fundmi, më 30 Prill 2023, në artikullin me titull “Nis rindërtimi i Kishës së Shën Prokopit, Veliaj: Rikthejmë historinë në vend, qyteti përfiton një hapësirë publike për komunitetin,” ku Kryetari i Bashkisë citohet të deklarojë se:
Pas një kalvari 30 vjeçar për çështje të pronës dhe të përdorimit, më në fund e kemi zgjidhur problemin, dhe të gjithë besimtarët do të kenë shumë shpejt një Kishë të re të Shën Prokopit, për t’u rikthyer aty siç ishte, me të njëjtin kapacitet, por sigurisht, tanimë si një ndërtesë e rikthyer si Kishë, jo më si improvizimi që kemi pasur këto 30 vite. Kështu rivendosim historinë në vend, kthejmë një padrejtësi dhe ndalojmë improvizimet. Në Shtëpinë e Zotit, sidomos në një qytet si Tirana, ka vend për të gjithë dhe kjo do të jetë vërtet një shtëpi e madhe, e hapur për të gjithë, edhe për besimtarët, sigurisht që kanë interesin primar që të adhurojnë, por sigurisht edhe për qytetin, duke qenë se do ketë edhe një qendër komunitare, ku edhe qyteti përfiton një hapësirë publike.1
Kjo deklaratë pason një të 6 viteve më parë të raportuar në gazetën Tema në artikullin me titull “Veliaj: Kisha 237-vjeçare e Shën Prokopit dhe Liqeni do të kthehen në identitet,” më 19 Dhjetor, 2017, ku Kryetari i Bashkisë citohet të ketë deklaruar se
Në këtë prag Krishtlindjesh, kemi një lajm edhe për kishën që ndodhet te Liqeni, e cila u shkatërrua gjatë kohës së komunizmit. Kisha e famshme e Shën Prokopit, e kthyer në një restorant, sot i është kthyer kishës, por vazhdon të duket si një bar-bufe sovjetike e viteve ’70-’80. Kemi marrë një vendim për ta rikthyer kishën siç ka qenë, për tu siguruar që jo vetëm komunitetet e besimit, por edhe Liqeni qe është ndërtuar rreth kishës së Shën Prokopit, të kthehet në identitet të plotë.
Gjashtë vjet më parë autori i këtyre rreshtave i dërgoi një email Kryetarit të Bashkise ku i sugjeronte të korrigjonte disa fakte në deklaratën e tij mbi Kishën e Shën Prokopit. Marr shkas të shkruaj këtë artikull sqarues nga fakti që deklarata e 30 Prillit 2023, nuk ka asnjë ndryshim nga ajo e gjashtë viteve më parë, gjë që tregon se sugjerimi im nuk është marrë parasysh. Thelbi i saktësimit tim ka të bëjë me faktin që projekti i ri i Kishës së Shën Prokopit nuk perfaqëson një “rikthim të kishës ashtu siç ka qenë” apo në “identitet të plotë” siç deklarohet në të dyja deklaratat e mësipërme; në fakt projekti i ri është një maskim dhe falsifikim i kishës origjinale, identitetit të saj, dhe çka është më e rëndësishme, e identitetit te marrëdhënies shpirtërore të qyetetarisë së Tiranës (pavarësisht përkatësisë fetare) me këtë objekt, pra atij të ndërtuar në të njëjtin vend, nga 1940-1945, dhe e projektuar nga Skënder Kristo Luarasi (gjyshi i autorit të këtyre rreshtave) më 1940. Por saktësimi im ka të bëjë edhe me çështje në dukje periferike por që janë thelbësore, çështje që kanë të bëjnë me prirjen për të mos përmendur autorin dhe historikun e saktë të kësaj vepre arkitektonike dhe arkitektët në përgjithësi (sidomos kur keta nuk janë Italianë…), prirjen për mospërshkrimin e saktë arkitektonik dhe profesional të kësaj vepre (dhe veprave të tjera arkitektonike në përgjithesi), si dhe prirjen për të dhunuar dhe mosrespektuar trashëgiminë kulturore, qoftë kjo me distance të largët ose të afërt kohore.




1 2 3 4 5 6 Luarasi_artikull sqarimi mbi Kishen e Shen Prokopit-7 8 9
<
>

 

Çdo diskutim mbi kishën origjinale të Shën Prokopit duhet te nisë me këtë pllakë (Fig. 1) ku thuhet:
THEMELUE NË VITIN 1940
NË KOHËN E KRYEPISKOPIT TË GJITHË SHQIPNIS
IMZOT KRISTOFORIT
ME PJESËMARRJEN EDHE BASHKËPUNIMIN
E PLEQËSIS KISHËTARE DHE TË KUJDESTARIS SË KISHËS TË TIRANËS
NDËRTUE ME T’ARDHUNAT E ÇPRONËSIMIT TË KISHËS SË VJETËR
TË SHËN PROKOPIT DHE ME NDIHMËN E POPULLIT ORTHODOX
PROJEKTUE DHE DREJTUE PREJ ING. ARCH. SKËNDER LUARASIT
ZBATUE PREJ SIPËRMARRJES ING. LUCCA & C. MILANO.
Kjo pllakë u shpëtua nga një punëtor ndërtimi kur kisha u shkatërrua në fund të viteve 60, i cili e riparoi dhe e ruajti për gati 30 vjet dhe ia dorezoi tim eti në vitet 90, dhe im atë ia dorëzoi më pas Kishës Orthodokse. Lipset që kjo pllakë, ajo çka thuhet në këtë pllakë, duhet të përkujtohet nga publiku qoftë edhe për një arsye të vetme: që kisha është një monument publik i qytetarisë së Tiranës. Pra çështja nuk është që qytetaria do “përfitojë” një hapësirë publike me rastin e ndërtimit të kishës; vetë kisha është (ose me sakte duhet të jetë, ashtu siç ka qenë) një manifestim dhe mishërim i dimensionit publik të qytetarisë së Tiranes. Ky dimension, si dhe cilesitë e qenësishme arkitektonike të Kishës paraqiten edhe në përshkrimin e Kishës në faqen e uikipedias:
Kisha e re e Shën Prokopit
Plani rregullues italian konfirmoi spostimin e kishës së vjetër aty ku vendi qe zgjedhur përpara hartimit të tij. Ndonëse në aks të bulevardit do të ngrihej Pallati Mbretenuer, komuniteti ortodoks, nuk kish pranuar të largohej shumë prej vendit të vjetër dhe u ra dakord që kisha e Shën Prokopit të spostohej më në Jugperëndim, për nga kodrat e Saukut, mbi një çukë panoramike 25 m mbi nivelin e bulevardit të ardhshëm, e me kundrajë të mrekullueshme që rrokte krejt pamjen e qytetit dhe të Tiranës së Re që po lindte. Me paratë e shpronësimit të kishës së vjetër dhe të truallit të saj përqark [si dhe me ndihmën financiare të vetë qytetarëve të Tiranës] u krye blerja e tokës dhe u planifikua ringritja e Shën Prokopit. Kryepeshkopi i autoqefalisë së porsanjohur (njohja zyrtare 17 prill 1937) imz. Kristofor Kisi në konsultë me këshillin qendror vendosi t’ia komisionojë punën për projektimin e kishës arkitektit të ri shqiptar, Skënder Luarasi. Ky, në linjë [familjare], ishte pinjoll i një trungu veçanërisht të shquar në tradita patriotike dhe në rininë e parë qe edukuar në një mjedis familjar ku patriotizmi ushqehej jo vetëm nga vetëdija e qartë e përkatësisë shqiptare që kishin ortodokset [por jo vetëm të] qarkut Korçë-Kolonjë, por edhe nga burime intelektuale breznore që ia kishin dalë ta strukturonin këtë vetëdije drejt një pjesëmarrje aktive në jetën politike e shoqërore të Shqipërisë. Bir i Kristo Luarasit, Skënderi, që kishte mbaruar studimet për arkitekturë në Vjenë,2 e ku ish formuar në të njëjtin mjedis me studentët të shquar shqiptarë si Lasgush Poradeci, Qemal Butka, Eqrem Çabej, Rrok Geraj apo Selman Riza, kishte rënë shpejt në sy me projektet e tij harmonike e moderne në Tiranë e Korçë. Luarasi pranoi me entuziazëm detyrën për projektimin e kishës kushtuar Prokopit dhe realizoi padyshim një ndër projektet më të bukura për komunitetin ortodoks të Shqipërisë.
Risia në Arkitekturë
Bëhet fjalë për një konceptim tipik mbështetur në traditën hapësinore të kishave post-bizantine të Ballkanit Jugperëndimor, sipas tipologjisë së ashtuquajtur kryq me kupolë. Absidën, a kungën, si zakonisht e orientoi për nga lindja ndërsa mjediset shtojcë, që lidheshin përmes një korridori të vogël me kishën, nga jugu. Kisha ekspozohej hijshëm me hajatin e saj verior, mbulesën e së cilës arkitekti përmes një analize reduktiviste e kish abstraguar në një lojë trekëndëshash që shoqëronin harqet e ndërshtyllave. Faqata kryesore ngërthente po ashtu një monumentalitet të kërkuar dhe të arrirë. Arkitekti këtu, pasqyroi me anë të një triptiku simetrik (ku elementi qendror qe më i lartë) esencën e volumeve të brendshme të kishës. E meqenëse kisha nuk qe në dimensione shumë të mëdha, ai përdori një marifet gjenial për t’i dhënë asaj madhështi: pjerrësoi pilastrot vertikale të faqatës kryesore, të asaj që sheh nga perëndimi, ndërkohë që kurtinat e po asaj faqate i mbajti vertikale (shih maketin) […] kisha e re, Shën Prokopit u bë tregues se si një vëllim modest mund të trajtohej me sukses si vëllim masiv. Moderniteti që përçoi arkitekti nuk duhet parë pra si konceptimin radikal i hapësirës së brendshme apo trajtim modernist i faqatave; kanonet e kishës ortodokse, ndryshe nga ajo katolike, nuk është se lejonin shumë hapësirë në këtë kuptim, por theksimi i linearizmit përmes dritëhijeve dhe gjeometrizimi i kërkuar i elementeve, të cilat të parat bien në sy të shikuesit, janë ende sot të pakapërcyera në trajtimin e kishave ortodokse në Shqipëri. Skënder Luarasi e arriti këtë nëpërmjet modelimit paraprak të vëllimit të kishës me anë të një maketi të cilin e punoi vetë dhe që i lejoi kontrollin e çdo detaji të jashtëm. Konstruksioni i kishës u konceptua prej beton-armeje, risi absolute kjo për kohën, material të cilin Luarasi e njihte mirë e që me inteligjencë do ta vinte në punë edhe në punimet e ardhshme të tij.3
Si arkitekt, do të doja t’i shtoja dy fjalë përshkrimit të mësipërm, që kanë të bëjnë me fasadën e kishës origjinale, një nga elementët kryesorë dhe me innovative të projektit original, dhe që projekti aktual e maskon ose e falsifikon, nëpërmejt tre harqeve të ulët. Fasada perëndimore shpesh është interpretuar si një devijim nga arkitektura e kishës orthodokse dhe më afër me arkitekturën e kishës katolike. Por ajo që e bën fasadën perëndimore të habitshme dhe provokuese, dhe mbi te gjitha moderne, nuk është referenca e saj katolike kundrejt asaj orthodokse, por fakti që kompozimi arkitektonik, ose karakteri i tij, nuk mund te justifikohet apo njehsohet me një ikonografi fetare, qoftë kjo orthodokse apo katolike, si dhe fakti që, në të njëjtën kohë, ky kompozimi mund të qëndroje dhe punoje shumë mire me ikonologjine fetare orthodhokse, jo vetem pa e dhunuar apo tjetersuar atë, por duke e theksuar dhe lartesuar atë, duke e ngritur lart si qeparisat përkundruall, por edhe duke e zbritur poshtë atë, për njerëzit…
Projekti i ri i Kishes se Shën Prokopit nuk është identik me projektin origjinal, domethënë me atë të vitit 1940, të projektuar nga Skënder Kristo Luarasi. Ky fakt duhet të dihet nga të gjithë. E kam fjalën si për formën ashtu edhe për karakterin arkitektonik të këtij projekti, një fakt ky që mund të konfirmohet lehtësisht nga kushdo, arkitekt qoftë ose jo. Ndonëse gjurma duket të jetë njelloj, dhe disa nga volumet duket të jenë pak a shumë si ato origjinalet, projekti aktual ka ndryshime të rëndësishme. Fasada perëndimore e kishës ka ndryshuar rrënjësisht nga ajo origjinale (shikoni imazhet e bashkangjitura, sidomos ato të marra nga filmi “Skënderbeu” ku fasada perëndimore me tre harqe tregohet mjaft qartë). Arkadat anësore që ndërmjetesonin aq hijshëm ndërmjet objektit dhe mjediseve të jashtme gjithashtu janë zhdukur. Ka dhe një mori ndryshimesh të tjera detajesh dhe proporcionesh, që ndonëse në vetvete mund të mos konsiderohen thelbësore, efekti i tyre në total ndryshon rrënjësisht karakterin e kishës origjinale.
Nëse pretendojmë se kisha aktuale, pra ajo që do të “rindërtohet,” duhet të jetë identike me atë origjinale ateherë duhet të jetë e tillë. Nëse nuk pretendohet që kisha aktuale të jetë si projekti origjinal atëherë kjo nuk përbën asnjë problem: mund të ndërtohet një kishë ndryshe, por jo në një menyrë të atillë qe maskon dhe falsifikon atë origjinale. Edhe nëse do të ndërtohej ndryshe, objekti i ri mund t’i përgjigjej dhe të dialogonte me origjinalen duke e interpretuar këtë të fundit në një mori mënyrash dhe qasjesh, diskutimi rreth të cilave shkon përtej qëllimit dhe hapësirës së këtij artikulli sqarues.
Ajo që është e papranueshme është të thuhet se projekti i kishës aktuale është identik me atë origjinal në një kohë që nuk është i tillë. Nëse kisha do të rindërtohet sipas projektit të ri, duke u paraqitur si nje rindertim i kishës origjinale, atëhere ata që i përkasin atij brezi që e ka parë kishën origjinale te Shën Prokopit në Parkun e Liqenit, dhe që e dinë qe kisha në filmin “Skenderbeu” është ajo e Shën Prokopit, do ta kuptojnë që ky që quhet “rindërtim” apo “rikonstruksion” nuk është i tillë, dhe që po krijon një identitet tjetër. Deklarimi se ky është një “rindërtim” apo “rikonstruksion” i kishës origjinale, në një kohë që nuk është i tille, përbën një problem serioz. Atëherë ata që kanë ngelur nga ai brez i vjetër do të zhgënjehen. Akoma më e rëndë do të jetë kur të mos ngelet më asnjë për tu zhgënjyer, dhe kur pseudohistoria të serviret si histori.
(Footnotes)
1 http://www.panorama.com.al/nis-rindertimi-i-kishes-se-shen-prokopit-veliaj-rikthejme-historine-ne-vend-qyteti-perfiton-nje-hapesire-publike-per-komunitetin/, aksesuar me 30 Prill 2023
2 Kjo e dhene duhet te korrigjohet. Skender Kristo Luarasi ka studiar ne Universitetit Teknologjik te Gracit (TU Graz), 1929-1935.
3 https://sq.wikipedia.org/wiki/Kisha_e_Sh%C3%ABn_Prokopit, aksesuar me 1 Maj, 2023. (theksimi nga autori)


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.