AKTUALITET

Mitsotakis kërkoi lirimin e Fredi Belerit/ Rama i përgjigjet kryeministrit grek: Askush nuk mund t’i bëjë presion drejtësisë

22:51 - 15.05.23 a.d
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Kryeministri Edi Rama ka folur për herë të parë pas deklaratave të kryeministrit grek, Kyriakos Mitsotakis dhe ministrit të jashtëm Dendias për lirimin e kandidatit të koalicionit “Bashkë Fitojmë” për Bashkinë e Himarës, Fredi Belerit.




Gjatë një konference për mediat, Rama tha se askush nuk mund t’i bëjë presion drejtësisë shqiptare.

Ai shtoi se do të flasë për këtë çështje menjëherë pas përfundimit të zgjedhjeve në Greqi.

Sipas Ramës, drejtësia në Shqipëri është njësoj si për qytetarët shqiptarë, ashtu edhe për ata grekë që jetojnë në vendin tonë.

“Përsa i përket çështjes së Himarës dua të jem shumë i qartë. Së pari dua të respektoj zgjedhjet në Greqi dhe mirëkuptoj inflamimin e retorikës duke u përpjekur për sa më shumë urtësi dhe vetëpërmbajtje nga ana ime dhe nga ana jonë, sepse kemi bërë një punë shumë të madhe me Mitsotakis dhe Dendias për ta çuar në një tjetër nivel marrëdhënien mes dy vendeve. Dua të theksoj se institucionet e drejtësisë në Shqipëri mund të kenë problemet e tyre, por askush, që nga unë i pari që nuk i kam kontestuar vendimet e tyre, e lere pastaj nga jashtë Shqipërisë që të vënë nën presion rolin e tyre.

Dua të kujtoj se 2-3 ditë para fushatës zgjedhore policia dhe prokuroria kanë arrestuar një kryebashkiak të PS-së në Bulqizë. As që më shkon në mendje që t’i kërkojë Gjykatës apo Prokurorisë që të nxjerrë provat. Unë besoj që nuk ka asnjë mundësi që ne të pajtohemi me idenë se ka një drejtësi tjetër për shqiptarët dhe grekët që jetojnë në Shqipëri. Është e njëjta drejtësi. Nuk do të flas deri në mbarimin e zgjedhjeve në Greqi lidhur me këtë. Keqardhje e madhe sepse unë besoj se komuniteti grek nuk është mish për top për askënd as në Greqi, as në Shqipëri.

Zgjedhjet në Himarë kanë treguar diçka krejt tjetër. Ato janë zhvilluar me qetësi të plotë, është votuar pa asnjë pengesë, kanë qenë përfaqësues të trupit diplomatik, gazetarë dhe një lider lokal, që ka mbajtur televizionet gjallë me bomba tymuese për atë që po ndodhte por që askush nuk e shihte askund. Aty është bërë një numërim si kudo në Shqipëri, transparent, paqësor dhe pa asnjë problem. Aty ka fituar kandidati kundërshtar me qeverinë. Kjo hedh poshtë çdo lloj argumenti se aty është bërë një përpjekje për të marrë me metoda ekstraligjore një fitore e cila nuk ka të bëjë fare me masën e dhënë nga Gjykata për kandidatin në fjalë”, u shpreh Rama.

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.