BLUETOOTH

Luizi i vë kapakun raportit me miqtë e tij: Më kanë shfrytëzuar, kisha 2 vjet pa i takuar

08:21 - 17.05.23 a.d
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Luiz Ejlli duket se ka lënë pas të shkuarën që pas daljes nga BBV. Ai duket se ka hatërmbetje me shokët e tij të vjetër. Gjatë daljeve publike nuk i ka kursyer thumbat dhe tani ka bërë një gjest të papritur.




Duket se miqësia ka marrë fund njëherë e mirë pasi Luizi i ka hequr nga “Instagram”-i Marion dhe Jonin. Kujtojmë që Joni ishte njëri prej atyre që dëshmoi mbi dashurinë e tij me Kiarën në dasmë. Kohë më parë në rrjet u përfol se Meridian Ramçaj i prishi Luiz Ejllit kontratën 200 mijë euroshe me kompaninë e një pijeje energjike. Kompania deklaroi publikisht asokohe se pasi të dilte nga BBV, Luizi do të bëhej ambasador i kësaj pijeje. Megjithatë diçka e tillë duket se nuk ka për të ndodhur, pasi Luizi u pa shpesh t’i bënte reklamë pijes që produksioni futi në BBV, me sugjerim të Meridianit, i cili punon si drejtor marketing te kjo kompani.

Mirëpo teksa e gjithë kjo ishte vetëm një aludim, Luizi i ka përforcuar zërat me veprimin e fundit. Këngëtari ka vendosur që të heqë nga lista e ndjekësve në “Instagram” pikërisht Meridian Ramçajn, personazh i cili hiqej si një mik mjaft i afërt i Luizit, duke lënë të kuptohet se në “prapaskenë” ka pasur debate mes tyre. Jo vetëm kaq, por Luizi nuk u pa kurrë pranë Meridianit pas daljes nga “Big Brother VIP”. Luizi sqaroi dhe marrëdhënien me Meridianin, të cilin tha se e njeh vetëm si fytyrë. Ai po ashtu deklaroi se Mario dhe Joni nuk janë miqtë e tij më të mirë, pasi para se të hynte në BBVIP, kishte 2 vite pa i takuar.

“Kam parë që jam njeriu me më shumë shokë në Republikën e Shqipërisë. Unë nuk jap emra, por ata e dinë kush janë dhe çfarë kanë bërë. Meridiani më ka mbështetur. Unë e njoh vetëm si fytyrë. Ai mund të thotë më ka shok, më ka mik. Ama të dalë jam menaxheri, jam kështu, kjo është e tepërt. Unë kam pasur shumë shokë që kanë marrë nënën time, ma sollën këtu, e pritën, që s’kanë pasur nevojë të lyejnë flokët dhe më ka thënë mos ma përmend emrin. Është Eni Bushati. Nuk e njeh asnjeri. Nuk ka tentuar kurrë të përfitojë. Unë me Marion dhe Jonin kam ndenjur shumë bashkë. Para se të hyja në BBVIP, kisha 2 vite pa folur me ta. Ishim shkëputur”, tha Luizi.

Në “Post Big Brother VIP”, Luizi deklaroi se duke marrë parasysh famën dhe vëmendjen e madhe që ka marrë që kur u bë pjesë e shtëpisë më të famshme, të gjithë u “sulën” për të marrë pak nga fama e tij duke e mbështetur dhe duke thënë vetëm fjalë të mira për të. E në mesin e atyre që e kanë mbështetur, ai tha se shumë prej tyre e kanë shfrytëzuar duke përmendur këtu edhe ata persona që nuk e kanë ndihmuar atëherë kur ka pasur më shumë nevojë për ta.

“Kam kuptuar këto ditë që shumë vetë më kanë shfrytëzuar gjatë qëndrimit tim brenda. Qofshin njerëz të thjeshtë, banorë. Për sa kohë jemi në një vend demokratik është e drejta e secilit ta bëj. Që të gjithë ata njerëz që më braktisën që më shkelën, sot kanë qenë në qindra emisione, studio, rrjete sociale duke u treguar se kush më ka njohur përpara. Në lojë në shtëpi, kam qenë më direkt se të gjithë. Ata e dinë shumë mirë se kush janë”, theksoi mes tjerash Ejlli. Dhe duket se u është referuar pikërisht atyre. Të paktën kështu na ka bërë të mendojmë pasi Luizi i ka hequr të tre nga “Instagram”-i.

Ai i hoqi ata disa ditë më parë dhe i riktheu sërish. Por, tani duket se ka vendosur përfundimisht mos t’i ketë më “miq”. Ndërkohë që në rrjet është përfolur edhe për një krisje mes tij dhe Kiarës, po është kujdesur vetë fituesi i “Big Brother” që të përgënjeshtrojë këto lajme. Luiz Ejlli ka hyrë “live” në “Instagram”-in e tij. Teksa po darkonte me bashkëshorten, Kiara Tito, fituesi i “Big Brother VIP” hyri “live” për t’u treguar të gjithëve se ata janë bashkë. Madje, fansat i kërkuan që ai ta puthte Kiarën, në mënyrë që të hiqnin të gjitha dyshimet që kishin.

Në ato momente, këngëtari i tha partneres së tij që të çoheshin nga tavolina dhe të dilnin jashtë, pasi aty kishte dhe fëmijë. Teksa po lëviznin, Luizi u vendosi një kusht ndjekësve të tij. Ai u tha se nëse do të shkonin 100 mijë fansa që po shikonin “live”-n, atëherë ai do e puthte Kiarën. E në pak minuta në “live”-n e fituesit të BB VIP arritën 103 mijë ndjekës. E për këtë arsye, Luizi e mbajti fjalën dhe e puthi partneren e tij, duke hedhur poshtë të gjitha aludimet se ata janë ndarë. Luiz Ejlli i ftuar në emisionin “Shqipëria Live”, ka treguar për përjetimet e tij pasi doli nga “Big Brother” dhe se me çfarë u përball. Ai është shprehur se ka qenë shumë i zënë dhe me plot angazhime, ku nuk ka pasur mundësi të kalojë kohë as me të ëmën. Gjithashtu ai shprehet se është një njeri shumë i dashur me njerëzit sepse falë mbështetjes së tyre ka arritur këtu ku është, por për shkak të lodhjes dhe kohës së kufizuar, nuk është i disponueshëm për të gjithë.

Sa i përket gjestit më të bukur njerëzor që ka parë pasi doli nga “Big Brother”, ai shprehet se është emocionuar nga një fans që kishte bërë tatuazh fytyrën e tij. Luizi tregon se ishte me makinë te “Harry Fultz” dhe një shofer i një kamionçine me bobla gazi, zbret nga makina dhe i tregon tatuazhin që kishte bërë. Ai i thotë Luizit se është i çmendur pas tij së bashku me familjen. Kjo gjë e ka emocionuar Luizin, ku tregon se në ato momente u bë trafik i madh dhe të gjithë po zbrisnin nga makina për ta përshëndetur. Më pas, ka ardhur policia e kanë shoqëruar deri në Zog të Zi dhe më pas kanë bërë foto.

Më tej, fituesi i “Big Brother”, ka folur edhe për mbështetjen që i dha Benet Becit në fushatën elektorale. Benet Beci mori kështu një mandat 4-vjeçar, por pas rezultatit diskutimi që lindi ishte se sa kishte ndikuar mbështetja e Luizit për këtë kandidat.

I ftuar në “Shqipëria LIVE”, Luizi deklaroi se ai e mbështeti pasi dikur Beci e kishte ndihmuar, ndërsa zbuloi dhe një bisedë me zëvendësministrin Besart Kadia për këtë temë. “Unë nuk i kam thënë gjë që Benet Beci e fitoi Shkodrën prej meje. Zëvendësministri Besart Kadia ishte me mua tek ashensori, këtu në ‘Top’, dhe ai më tha mua që Beneti e ka fituar. Më tha ‘Urime, ta bëjmë një foto’. I thashë mos e posto, se po e postove bëhesh ministër. Unë po ta them që Beneti ka qenë ndikim yti. Më tha diçka për PS, por unë vlerësoj njeriun. Ai burrë, është njeriu që më ka mbështetur”, tha Luizi.

I pyetur se ku kanë shkuar përfitimet nga reklamat që janë bërë nga ky “Instagram”, Luizi shprehet se çdo gjë është e faturuar dhe janë në dorë të sigurt, pra la të nënkuptohet se fitimet i ka marrë vetë ai. Madje, ai tregoi se ka takuar babain e Jurgenës dhe u ndje keq, për mërzinë dhe problemet që i kishte hapur, duke u komentuar nga portale të ndryshme. “Unë jam takuar me babain e saj, burrë zotëri erdhi e më tha që familja ime nuk e ka merituar këtë lloj vreri dhe me bëri të ndihem shumë keq. Nuk është gjithçka fama, po bëhem shkak për të shkatërruar një familje”, u shpreh Luizi.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.