AKTUALITET

Çfarë do të ndodhë me kërkesën e Kosovës për njohjen e pavarësisë? Media greke: Sanksionet e SHBA-së ndaj Prishtinës për shkak të ndërhyrjes së policisë

20:22 - 30.05.23 E.D
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Kosova u vendos nën sanksione joformale nga SHBA-të për shkak të sjelljes së qeverisë së Albin Kurtit për çështjen e vendosjes së kryetarëve të sapozgjedhur në komunat me shumicë serbe.




Ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeffrey Hovenier, në një konferencë për media kritikoi ashpër vendimin e Prishtinës për të imponuar me forcë rezultatin e zgjedhjeve komunale të 23 prillit.

Ai ka bërë të ditur se po anulohet pjesëmarrja e Kosovës në stërvitjen ushtarake ndërdegëtare “Defender Europe 2023”, ndërsa tha se “SHBA nuk ka më entuziazëm” për të avancuar kërkesën e Kosovës për njohjen e pavarësisë. Ai tha gjithashtu se të gjitha vizitat e planifikuara të zyrtarëve kosovarë në SHBA janë anuluar, citon Protothema.

Shefi i misionit diplomatik amerikan në Kosovë ka theksuar se përshkallëzimi i tensionit në veri të Kosovës i shkaktuar nga Prishtina po dëmton procesin për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës. Jeffrey Hovenier ka thënë se Kurti nuk i ka dëgjuar rekomandimet e SHBA-së në trajtimin e çështjes së kryetarëve të komunave dhe ka vepruar sipas dëshirës së tij.

Vlen të theksohet se kjo është hera e parë që SHBA-të i “kthejnë shpinën” Kosovës dhe kjo sipas vlerësimeve të përgjithshme do të shkaktojë reagime të ashpra kundër qeverisë Kurti brenda vendit.

Vihet re se të premten e kaluar, më 26 maj, policia e Kosovës ka ndëryrë në katër qytete në veri për të prishur mitingjet e popullatës serbe që po pengonin kryetarët e sapozgjedhur të komunave të merrnin detyrën. Këta kryetarë komunash janë zgjedhur në zgjedhjet e jashtëzakonshme komunale të mbajtura më 23 prill pa pjesëmarrjen e serbëve. Pjesëmarrja në votime nuk ka kaluar 3.5% dhe komuniteti serb në veri të Kosovës e konsideron rezultatin të pavlefshëm.

Reagimet e serbëve kulmuan me përleshjet që ndodhën dje në qytetin e Zveçanit me ushtarët e forcës paqeruajtëse ndërkombëtare KFOR, ku u plagosën 30 ushtarë të NATO-s dhe 52 demonstrues.

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.