AKTUALITET

Gjykata Europiane: Refuzimi i Rusisë për të hetuar helmimin e Navalny-t shkel të drejtat e njeriut

18:55 - 06.06.23 E.D
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Rusia shkeli të drejtat e figurës së opozitës ruse Alexei Navalny duke refuzuar të hapë një hetim penal për helmimin e tij, vendosi të martën Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut.




Gjykata konstatoi se “hetimi i kryer nga autoritetet ruse nuk ishte i hapur për shqyrtim dhe nuk kishte lejuar të drejtën e viktimës për të marrë pjesë në procedurë”, sipas një njoftimi për shtyp.

Hetimi i Rusisë “dështoi të eksploronte pretendimet për një motiv të mundshëm politik për tentativën e vrasjes, si dhe përfshirjen e mundshme të agjentëve shtetërorë”, dhe për këtë arsye “nuk mund të konsiderohej adekuat”, shtoi gjykata.

Një kritik prej kohësh dhe kundërshtari kryesor politik i presidentit rus Vladimir Putin, Navalny u sëmur në bordin e një fluturimi për në Moskë nga Tomsk, në Siberi, në gusht 2020.

Navalny më vonë u evakuua nga Siberia në një spital të Berlinit, ku ekspertët ushtarakë gjermanë zbuluan se ai ishte helmuar me një agjent nervor kimik nga grupi Novichok – e njëjta substancë e përdorur në tentativën për vrasjen e Sergei Skripal, që besohet gjerësisht se ishte kryer nga Shërbimet ruse të sigurisë në MB në 2018.

Në atë kohë, Kremlini mohoi se Putini kishte urdhëruar helmimin e Navalny dhe tha se nuk kishte asnjë arsye për të hapur një hetim penal.

Navalny, tani 47 vjeç, u trajtua në Gjermani për pesë muaj, përpara se të vendoste të kthehej në Rusi. Ai u arrestua pas kthimit në Moskë në janar 2021.

Navalny u dënua më pas me dy vjet e gjysmë burg nga një gjykatë ruse për dyshimin se kishte shkelur kushtet e lirimit me kusht. Në mars 2022, ai u dënua me një tjetër nëntë vjet burg për akuzat e mashtrimit, me ndjekje penale shtesë që u ngritën vazhdimisht kundër tij. Navalny aktualisht po mbahet në një burg të sigurisë maksimale. Anëtarët e ekipit të tij thonë se ai po ngacmohet në burg dhe po i mohohet ushqimi dhe aksesi në kujdesin mjekësor.

Me seli në Strasburg, Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut është e atashuar pranë Këshillit të Evropës, një organizatë prej 46 shtetesh për të drejtat e njeriut, në të cilën Rusia nuk është më anëtare. Vendimet e GJEDNJ janë ligjërisht të detyrueshme për vendet anëtare.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.