AKTUALITET

U plagos gjatë përplasjeve në veri të Kosovës, ushtari i KFOR humb njërën këmbë

16:58 - 10.07.23 E.D
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Pas përleshjeve në veri të Kosovës dhe sulmeve të vazhduara nga protestuesit serb, një ushtar hungarez, pjesë e KFOR i cili u plagos në Zveçan më 29 maj, ka humbur njërën këmbë.




Mediat në Kosovë shkruajnë se disa nga ushtarët hungarezë të plagosur u dërguan në Hungari me aeroplan të mbrojtjes kombëtare të nesërmen, një ditë pas plagosjes gjatë tensioneve në veri.

Ministri hungarez i Mbrojtjes Kombëtare, Kristof Szalay-Bobrovniczky raportoi ato ditë se ishin gjithsej 27 ushtarë të plagosur dhe sipas këtyre raportimeve shumica prej tyre janë kthyer në shtëpi, por gjendja e dy ushtarëve është ende e rëndë dhe ata janë ende duke u trajtuar në spital.

“Për rikuperimin e tyre, Forcat Hungareze të Mbrojtjes dhe mjekët ushtarakë po bëjnë maksimumin.

Pavarësisht nivelit të lartë të kujdesit mjekësor, pas një konsultimi paraprak me pacientin, duke marrë parasysh rezultatet e trajtimeve të ofruara që nga lëndimi, një nga rastet kishte nevojë për amputim të gjymtyrës, gjë e cila u krye të premten në Institutin Kombëtar të Rehabilitimit Mjekësor.

Operacioni ka shkuar mirë, gjendja e pacientit është e qëndrueshme”, thuhet në njoftimin e Ministrisë hungareze të Mbrojtjes.

Kujtojmë se tensionet në veri të Kosovës nisën më 26 maj, kur kryetarët e rinj shqiptarë të komunave në veri, nën asistimin e Policisë së Kosovës, hynë në ndërtesat komunale, mes kundërshtimeve të serbëve lokalë. Tensionet kulmuan më 29 maj, kur në Zveçan, protestuesit serbë u përleshën me pjesëtarët e misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR. Nga përleshjet janë lënduar dhjetëra persona nga të dyja palët.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.