LAJMI I FUNDIT

Egnatia e karikuar, Demrozi pret kualifikimin: Skuadra po më lumturon, refuzuam tri oferta zyrtare për Duamenën

11:07 - 17.07.23 E.D
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Egnatia është pranë një tjetër arritjeje his torike: kalimin e turit të parë në Ligën e Konferencës.




Barazimi 1-1 në Armeni kundër Araratit ka shtuar optimizmin në kampin rrogozhinas për kualifikimin në ndeshjen e kthimit, që do të luhet të enjten në orën 20:00 në stadiumin “Elbasan Arena”. Presidenti Agim Demrozi pret nga skuadra që të vazhdojë të bëjë historinë edhe në Europë, ndërsa në bisedën për “Panorama Sport”, konfirmoi besimin që ka për të kaluar armenët. Në qytetin e vogël të Rrogozhinës në epiqendër të bisedave është vetëm Egnatia, që tashmë është shndërruar në klubi që është model për t’u ndjekur. Demrozi tregon edhe planin që ka ai për të forcuar edhe më shumë klubin, ndërsa zbulon se ka refuzuar tri oferta për shitjen e Duamenës.

Zoti Demrozi, si është atmosfera në skuadër në prag të ndeshjes së kthimit me armenët e Araratit?

Atmosfera është sa e qetë, po aq edhe motivuese. Stafi dhe futbollistët po punojnë seriozisht për ndeshjen e kthimit në Elbasan. E them me fuqinë e shpirtit që Egnatia po më lumturon.

Çfarë prisni ndryshe nga skuadra në sfidën që do të luhet në Elbasan?

Në Jerevan patëm shumë raste që nuk i shfrytëzuam. Shpresoj se në Elbasan, lojtarët tanë do të jenë me cinikë para portës. Duhet të fitojmë ndeshjen dhe të kualifikohemi për në turin e dytë, aty ku na pret Arisi i Selanikut.

Duamena shënoi një gol historik në Jerevan. Ju e keni cilësuar si “asin” e skuadrës. Besoni se sulmuesi do të jetë sërish përcaktues?

Duamena është një nga lojtarët më të rëndësishëm të Egnatias dhe jo më kot i rinovuam kontratën disa ditë më parë edhe për dy vitet e ardhshme. Po ju tregoj se për këtë futbollist të shkëlqyer ne kemi refuzuar ditët e fundit tri oferta zyrtare. Nëse shënon Duamena, sërish do të gëzohemi shumë. Por, ne duam fitoren dhe për ndeshjen e kthimit pak rëndësi ka se kush shënon nga futbollistët tanë. Të gjithë meritojnë respekt.

Investimet në infrastrukturë dhe skuadër po sjellin shumë shpejt edhe rezultatet. Çfarë ëndërroni të arrini në vijim me Egnatian?

Normalisht si në çdo sektor të biznesit, jo vetëm në sport, investimi dhe menaxhimi i mirë, sjellin sukses. Do të vazhdojmë të punojmë edhe më shumë në këtë drejtim, për të pasur të tjera arritje. Ju jeni mësuar tashmë me shprehjen që kam: “nuk keni parë asgjë akoma!”.

Transferimi i lojtarëve në klube jashtë Shqipërisë duket se po funksionon më së miri për Egnatian. A mund të na zbuloni se kush do të jetë lojtari i radhës që do të shisni?

Nga vera e 2022-shit e gjer më sot, nga marketingu i mirë që u kemi bërë futbollistëve, kemi mbërritur deri këtu dhe duam madje të shkojmë edhe më përpara. Futbollistët e Egnatias tanimë kërkohen kudo në Shqipëri dhe në skuadra të tjera jashtë vendit. Është përpjekja e përbashkët e klubit që ka afirmuar kaq shumë emra të rëndësishëm lojtarësh në treg. Tashmë jemi të fokusuar vetëm te ndeshja.

Keni ndonjë apel për tifozët e Egnatias?

Për tifozët i vetmi apel është që të mbështesin edhe më fort ekipin e tyre të zemrës, sepse do t’i dhurojë më shumë kënaqësi. Iu bëj thirrje jo vetëm tifozëve nga Rrogozhina, por edhe futbolldashësve të tjerë kudo nëpër Shqipëri, të jenë të enjten e 20 korrikut, ora 20:00, në “Elbasan Arena”. E them me bindje se do të argëtohen dhe gëzohen së bashku me ne.

FATMIR EFICA-PANORAMASPORT.AL


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.