LAJMI I FUNDIT

Partizani përgatit shitjen “big”, Andi Hadroj “prenotohet” në Turqi! Ja kush pritet ta zëvendësojë

08:56 - 17.07.23 E.D
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Partizani ka në skuadër disa nga lojtarët më të mirë të Kategorisë Superiore dhe kjo e bën ekipin e kuq të jetë një “market” për klubet e ligave më të mëdha në Europë dhe jo vetëm.




Presidenti Demi dhe bashkëpunëtorët e tij kërkojnë një skuadër sa më kompetitive edhe në edicionin e ardhshëm, por vetë struktura e tregut pritet t’i detyrojë që të largojnë të paktën një apo dy yje të skuadrës aktuale.

Gazeta mëson se Partizani po përgatitet për të luajtur pa Andi Hadrojn në sezonin e ardhshëm. Pukjani, i cili brenda një viti është shndërruar në një lider të padiskutueshëm në mbrojtje dhe është lojtari i vetëm i Superiores që grumbullohet së fundmi në Kombëtare, vetëm para pak ditësh rinovoi kontratën me klubin e kuq deri në vitin 2026. Por kjo nuk e garanton qëndrimin e tij te Partizani.

Gazeta mëson se në adresë të kampionëve ka mbërritur një ofertë e majme nga një klub turk, që e ka tunduar Partizanin dhe drejtuesit e kuq i kanë lënë bisedimet të hapura, ndryshe nga çfarë ka ndodhur në të shkuarën me Matondon apo me Carën, për të cilët i kanë refuzuar ofertat. Duhet thënë se Hadroj do të vijojë të jetë pjesë e Partizanit në Europë, ku Partizani nesër ndeshet me skuadrën e BATE Borisov në Hungari. Hadroj nga ana e tij është i hapur për një transferim të mundshëm në Superligën turke, çka do të ishte një kapërcim shumë cilësor. Aktualisht shuma dhe klubi që e do 24-vjeçarin mbeten sekret, por në ditët në vijim, kur edhe operacioni të ketë marrë një udhë më serioze, pritet të mësohen.

ZËVENDËSUESI – Aleksandër Trumçi me shumë mundësi do të jetë lojtari që do të zëvendësojë Hadrojn, i cili gjithashtu një vit më parë erdhi pikërisht nga Bylisi. 22- vjeçari është nën kontratë me klubin nga Mallakastra dhe ka nisur stërvitjen. Ballshiotët në sezonin e ri do të luajnë në Kategorinë e Parë. Partizani dhe Bylisi në të shkuarën kanë treguar se kanë komunikimin e duhur për të mbyllur të tilla transferime, kështu që nuk konsiderohet një operacion i vështirë. Trumçi në sezonin e shkuar ishte një nga mbrojtësit e djathtë më të spikatur. Ai mbajti edhe shiritin e kapitenit. Ndërkohë, megjithëse një operacion i komplikuar, opsion mbetet edhe Geralb Smajli i Vllaznisë.

PANORAMASPORT.AL


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.