DOSSIER

“Ju flet Tirana”- Ish-operatori tregon si u krijua Radio Televizioni Publik Shqiptar: Çfarë fitova dhe ç’pësova nga trajnimi te RAI

13:53 - 27.07.23 a.d
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

NGA UVIL ZAJMI




Sa here që kaloj në atë rrugë, kryesisht vitet e fundit shoh me keqardhje rrënimin e asaj ndërtese. Disa persona që shesin sende të përdorura me disa tenda në oborrin e saj, blerës që hyjnë e dalin e pak familjarë që banojnë aty, në ato mjedise aspak të përshtatshme.

Gjithmonë më vjen në kujtesë, ndërtesa e bukur, kur në moshë të vogël, adoleshencë, pastaj i rritur gjithmonë me rrëfimet, historinë, funksionet që ka kryer, bashkë me njerëzit që kanë punuar aty. Gjithçka tërheqëse, kur sa here kalonim në atë rrugë, “kjo ka qenë Radio-Tirana”, thoshim. Me një vendosje pas Ministrisë së Arsimit, afër Lidhjes së Shkrimtarëve, duke krijuar një trekëndësh të bukur arsim-kulturë. Ashtu e kujtoj, aq më shumë kur shoh fotot e kohës. Jo vetëm unë por edhe brezi im i asaj zone, lagjeje, përfshirë “Rrugën e Kavajës”, “Rrugën e Durrësit”.

Pastaj, atë katërkatëshen, përballë saj, me familjarë në katet e sipërme dhe me Pastrimin Kimik në të parin dhe vilën e bukur njëkatëshe ngjitur me të. Nga ajo kohë, vetëm ndërtesa me hark në krye të rrugës, ish-Radio-Tirana dhe ajo katërkatëshja kanë mbetur. Ndërkohë, pak mund ta dinë, se dikur, një gjysmëshekulli më parë, pikërisht aty kanë bashkëjetuar për disa vite, Radio Tirana dhe TVSH-ja, kjo në hapat e para të saj. Madje, kanë qenë përballë, i ka ndarë vetëm një rrugë që lidh rrugën e Kavajës me sheshin e Likajve, i njohur, pasi aty është xhiruar filmi “Debatik”, episodi dramatik kur vritet Coli, me karrocierin, aktorin Besim Lëvonja që e merr në krahë.

Për ta rikthyer edhe një here atë çfarë është harruar që i takon historisë së atyre ndërtesave, u takova me një të njohur, mik të familjes, një emër, person publik, Beqir Dërhemi, ish-kameramani i parë historik i atij televizioni, i asaj bashkëjetese që merr udhë në vitin 1960 të shekullit të kaluar.

Si ka funksionuar ajo bashkëjetesë, cila ka qenë administrate e parë, drejtuesit, spikerët, stafet, njerëzit, kontributet, historitë, spikerit e parë dhe përvoja e Dërhemit në Televizionin shqiptar, por dhe ajo në RAI ku u trajnua në ato vite të vështira. Ndonëse 86-vjeçar, por që nuk i tregon aspak vitet, falë shëndetit dhe memories, Beqiri rrëfen atë periudhë, si vraponin nga shkallët e ish-radios, për te kaluar te vila përballë saj, një lidhje me emrin e sapolindur, Radio Televizioni Shqiptar.

“I kam jetuar të dyja kohët e asaj bashkëjetese Radio-Televizion, sikur ishin pranë te ‘Rruga e Kavajës’ edhe kur erdhën dhe u bashkuan sërish te ndërtesa aktuale”, shprehet Dërhemi për “Panorama”.

Dërhemi operator radio tirana (3)

Zoti Dërhemi, cilat janë kontaktet e para tuaja me botën e filmit, kamerave, stativave?

Unë punoja në Kinostudio, si asistent operator. Në atë kohë aty u bë një shkurtim punonjësish që më kapi edhe mua. Viti 1960, pranverë, takoj Jani Nanon, me të cilin kisha punuar pak kohë më parë me filmin “Fortuna”, si ndihmës, mbaja stativat, kamerat, etj., së bashku me disa operatorë shqiptarë, sovjetikë, një grup mbi 15 vetë, ku unë mësova shumë sidomos nga rusët.

Jani, sa kishte filluar si operator në televizionin që do të hapej, një orientim I dhënën ga Komiteti Qendror që Shqipëria bashkë me Radio Tiranën duhet të kishte një televizion, me qendër në kryeqytet. Nuk e di sa nga e kishte marrë vesh që isha papunë, më takon dhe më thotë se po përgatitet të hapet kanali shqiptar i televizionit, që sigurisht në atë nisje ishte eksperimental.

Njëkohësisht duke më nxitur të shkonim bashkë, te drejtoria, që asokohe ishte te Radio Tirana, një ndërtesë asokohe me një strukture të veçantë, që dikur kishte shërbyer si Radio Tirana, dhe që ende kryente atë funksion. Në atë kohë drejtoria e radios mbulonte edhe televizionin, sigurisht duke qenë shumë pranë.

Dërhemi operator radio tirana (2)

Jeni në kërkim të një pune, ju vjen një propozim befasues?

Shkojmë, ngjisim shkallët, kërkojmë për të takuar një drejtues, na çojnë në katin e dytë, të nëndrejtorit Ymer Minxhozi. Ymeri, sapo u informua që unë isha gjysmë specialist, menjëherë, zbritëm te drejtori, Petro Kito, burrë shumë i sjellshëm. U futëm në zyrë, pasi i foli për problemin, ai u treguai gatshëm, urdhëroi të filloja punë, pasi “kemi nevojë” u shprehën.

Ka qenë data 29 prill 1960, dhe të gjithë ishin të angazhuar po punohej në montimin e aparaturave, pasi atë ditë në darkë në orën 17.00 apo 19.00 nuk më kujtohet mirë, do bënin provën, dhe transmetuam për here të pare figurën me zërin direkt, bashkë me siglën e Televizionit Shqiptar, një drapër dhe çekan. As 22 vjeç nuk kam qenë. Për montimin e atyre aparaturave dhe në vazhdim dy here të tjera erdhën edhe dy specialistë, me ta edhe një grua regjisorë nga Gjermania Lindore.

Jeni i pranishëm në ditën e parë të një përurimi historik?

Gjithçka në ndërtesën njëkatëshe përballë radios, aty e ka zanafillën televizioni shqiptar. Me datën 1 maj 1960, u bë përurimi. Fillimisht tri herë në javë, duke alternuar ditët, vetëm e diela ishte fikse. Ishin punonjësit e radios që kanë dhënë eksperiencën, kanë ndihmuar, duke shërbyer në ato fillime të vështira, të pasigurta e të panjohura për televizionin dhe për teknikët, operatorët.

Pas siglës hapëse, spikerja do anunconte shprehjen e zakonshme: “Të dashur shikues e telespektatorë, po fillojmë transmetimin e programeve në televizionin shqiptar”.

E para ka qenë, Stoli Beli, që ishte edhe redaktore në radio. Vijohej me një përrallë, një film për fëmijë, pastaj një dokumentar shkencor që e merrnim nga Kinostudioja, ose një film artistik deri në mbyllje të programit. Sigurisht edhe emisioni i lajmeve.

I keni përjetuar të dyja ndërtesat, kur ato ishin përballë njëra tjetrës.

Ishte ndërtesa e ish-Radios që do të ristrukturohet, një iniciativë që e përgëzoj pa masë, dhe përballë saj, një vile njëkatëshe, tejet e bukur, por që nuk ekziston sot, paralel, një mur na ndante me katërkatëshin.

Ajo vile ka shërbyer për një kohë disavjeçare si ndërtesa e televizionit të parë shqiptar, në fillimet eksperimentale të tij. Me një hyrje ballore, me pak shkallë, verandë, një sallon, që bashkohej me katër dhomat. Njëra u bë studio e lajmeve, ku ishin kamerat, tjera përdorej për zërin me aparaturat përkatëse, dy magnetofona; kuzhina, ishte për folësit, për transmetimin, me aparatura të ndryshme, të diapozitivit, të titrave, etj.

Një mjedis shërbente edhe për improvizimin e shfaqjeve, me një piano në mes të saj që shoqëronte kur ftoheshin këngëtarë të Teatrit të Operës që këndonin këngë popullore, lirike etj. Këtu improvizohej edhe Teatri i Kukullave. Një dhomë ku ishte kontrolli i kamerës, pulti i regjisë me regjisorin, aparatura e transmetimit e gjithë prodhimit televiziv.

Dërhemi operator radio tirana (1)

Bëhet fjalë për aparatura aspak të kohës, përkundrazi jashtë çdo kushti teknik

Te ndërtesa e radios, bashkë me ato të televizionit aparaturat ishin gjysmë të skaduara, ne e dimë si kemi punuar me to. Ishte kryeinxhinieri Emil Plumbi, që si kryetekniku, merrej me to, aparate shumë të vjetra gjermane, ruse dhe çeke, që ishin dhënë si një lloj ndihme, gjëra të falura të konsumuara jo të blera, dhe me probleme, defekte të vazhdueshme.

Ishte një kamera gjermane lindore e përdorur me sistem mekanik, që në një ose dy orë, nga llambat nxehej, dhe ishim të detyruar të ndërprisnim punën. Qëllonte të rrinim një, dy ditë pa transmetuar derisa ajo të rregullohej. Problem ishte transmetimi i zërit dhe figurës njëkohësisht dhe direkt. Kujtoj, praninë e një aparati filmi 35mm. Aty kanë punuar Liri Celi, Ilia Capo dhe Vezir Hoxha.

Ndërsa Jani Nano komandonte një aparaturë sovjetike që bënte lidhjen e aparaturës së transmetimit me një antenë të instaluar në tarracën e ndërtesës së radios ku është sot, nga ku shpërndahej sinjali. Vetëm për Tiranën, madje në një distance të afërt në pak kilometra. Për qytetet e tjera nuk bëhej fjalë.

Një administrate për të dyja institucione, si sot?

Sigurisht nëse do të bëjmë një paralelizëm. Duke qenë se ishin përballë dhe pranë njëra-tjerës, të dyja institucionet, si administrate ishim bashkë, por televizioni konsiderohej si punë ankesi, pa shumë interes, si një fëmijë jetim.

Liri Celi ishte si përgjegjëse, shefe redaksie në Radio, si dhe në Televizionin, kryesisht për emisione të rinisë dhe kulturës. Stoli Beli siç thashë kryente rolin e spikeres në TV, njëkohësisht edhe redaktore në radio për emisionin e fëmijëve. Përveç Stoli Belit, ishin edhe tre-katër spikerë të tjera, që alternoheshin.

Dërhemi operator radio tirana (4)

Jepen edhe lajmet e ditës, folësit e parë

Jepeshin vetëm një here në ditë. Ishin ato të radios, nga Vera Zhei, Polivaq Lino, pastaj Kico Fotjadhi, këta janë të parët që kanë dale në ekran, si folës të emisionit të lajmeve. Jo më shumë se 20 minuta ishte edicioni, pa filmime, por me fotografi, kryesisht të ATSH-së. Pati tentative për të afruar edhe të tjerë spikerë të jashtëm, siç ishte rasti i Loredan Bubanit, djalit të ish-drejtorit të parë të ish-Radio-Tiranës, Gjegj Bubani.

Televizion, punë, por edhe shkollimi lartë për ju?

Unë punoja dhe vazhdoja universitetin, sepse tri here në javë në televizion kisha kohë të lirë. Që të filloja shkollën e lartë, shkak u bë drejtori Petro Kita, kur një ditë më thërret, Beqir, më thotë, çfarë shkolle të mesme ke bërë? Liceun artistik, i them. Pse nuk vazhdon të lartën? Po dua të filloj,I përgjigjem, Ishte shtator dhe ishin zhvilluar nja tri katër javë. Në cilën degë më pyet dëshiron të shkosh? Në Gjuhë-Letërsi i them. Ai merr në telefon Thoma Delianën, ministër i Arsimit dhe të nesërmen u regjistrova në fakultet.

Keni përjetuar një histori të veçantë, ajo e djalit të ish-drejtorit të ish-Radios?

Vërtet e tillë, kur ai filloi si spiker në televizion. Ka qenë koincidencë, rastësi sigurisht edhe dashamirësi nga ana ime. Loredan Bubani quhej, ishim bashkë në fakultetin Gjuhë-Letërsi, e njihja mire dhe e dija i biri i kujt ishte. Krijuam shumë miqësi, ia njihja aftësitë, ishte televiziv, me një diksion të pastër në të folur.

Duke pare nevojën e spikerëve, një dite i propozova të vinte aty. Erdhi bëri prova e pëlqyen, ranë dakord, por pa ja ditur biografinë. Doli disa here në transmetim në emisionin e lajmeve. Kur pas pak kohe, papritur më thërret drejtori, një njeri i mirë, babaxhan, ndonëse anëtar partie, më thotë: “Beqir, ti ke sjellë këtu një spiker mjaft të mirë, po e di se djali i kujt është Loreadan Bubani? Po, i përgjigjem, djali i ish-drejtorit të pare të radios, për të cilin e dija që qeveria komuniste padrejtësisht e kishte burgosur, por pa ua thënë askujt këtë të kaluar të të atit të Loredanit, kur e prezantova e solla aty. Sapo ishin njoftuar, e hoqën, e larguan menjëherë. Viti 1962 ka qenë.

Dërhemi operator radio tirana (1)

Çfarë transmetonit në televizionin eksperimental asokohe, spektakle, sport, deri edhe “Koha sot dhe nesër”?

Kujtoj se kemi bërë tentativë, për të parën here të transmetonim Festivalin e Dytë të Këngës në Radio Televizion, viti 1962, kur ai zhvillohej tek Instituti i Lartë i Arteve. Pra jemi ende te vila, mendoni, çfarë vështirësi, por dëshira, pasioni na shtynte, ndonëse kushtet, aparatura ishin tejet primitive. Transportuam kamerat, bashkë me stativin lëvizës, tejet i rëndë disa kuintalë, pra asgjë nuk ishte e lehtë.

Por, dështuam për ta transmetuar sepse nuk arritëm të lidheshim me antenat, pra, vetëm për çështje, problem teknike. Ndërsa për “Koha sot dhe nesër”, që edhe kjo e ka zanafillën në televizionin eksperimental, e ka bërë Petrit Leka, një emër I njohur, që e vijoi më vonë edhe në TVSH-në e re.

Piktorët, artistë, të gjithë protagonist në ato fillime

Kishin shumë rëndësi, pasi ilustronin me figura, vizatime të përgatitura më parë se të niste emisioni, ose shoqërohej me vizatime direkt nga nga piktorët, mbi një letër të bardhë të vendosur në një tabelë. Kujtoj piktorët Namik Prizreni, Bardhyl Fico, Dhimitër Vesho, Orhan Bega.

Por, edhe këngëtarë të njohur?

Në ato dhoma-studio të vogla e modeste, kanë kënduar Mentor Xhemali, Marie Kraja, Stavri Rafael, Avni dhe Nina Mula, GjoniAthanas, Gaqo Çako, Ibrahim Tukici, Vace Zela, Lucie Miloti, Hafsa Zyberi, FitneteRexha, Anita Take, etj. Me to edhe pianistet Lola Gjoka, Maria Rafael, Boris Plumbi, Lili Tafaj, Isuf Kazazi.

Aktorë, ato të elitës të pranishëm në ekranin e televizionit eksperimental?

Nga aktorët e Teatrit të Kukullave, tek ajo e Teatrit Kombëtar, Estrada e Shtetit, ajo e Ushtarit, me skeçe të reduktuara, recitime nga Naim Frashëri, Margarita Xhepa, Pjetër Gjoka, Liza Vorfi, Loro Kovaci, Viktor Gjoka, DritaPelingu, LazërFilipi, MihalPopi, Skënder sallaku, Mepomeni Çobani, Myftar Armiri, Dario Llukaci, Lin Noka, etj.

Kur kamerat krijojnë problem deri te Byroja Politike, për çfarë bëhet fjalë?

Tentativa tjetër ishte ajo për një ndeshje futbolli. Edhe kjo e para, ka qenë viti 1962, në stadiumin kombëtar “Qemal Stafa”, ndeshje kampionati kombëtar. Vendosëm stativin e rëndë, dhe zakonisht transmetohej o e gjitha ose gjysma e ndeshjes, varej nga kamera. Ishte një periudhë që u transmetuan nja dy tre ndeshje. Përdornim një kamera të vjetër, të cilën na lejonin ta vendosnim tek ajo shkalla ku dilnin, kishte një sheshpushimi, dhe në njërën nga këto takime, në gjysmën e pjesës së pare kamera merr flakë. Ndërmjet një çelësi, arrij ta shuaj dhe me kufje i them regjisë të mbyllnin transmetimin, duke i treguar shkakan.

Aty ishte edhe Rmiz Alia. Zbres poshtë në pistë për të ndjekur ndeshjen, mbaron e para ,kur vjen Gani Kodra, më thotë Beqir, eja se të kërkon shoku Ramiz. “Çfarë pati, më pyeti”. Ia shpjegoj, duke i thënë gjë e vjetër, edhe ndodh. I habitur më pyeti sa kushton një e tillë e re? As nuk e dija çfarë vlere kishte, por 1 mijë dollarë i them unë. Pse keq për 1 mijë dollarë jemi ne? Nga ai çast, u bë urgjencë e nevojës, që u porositi një kamerë nga Tomson Hutson. Erdhi kryeinxhinieri i firmës nga Franca bëmë kontratën dhe pa vonuar mbërriti e reja, e cila kushton më shumë se dhjetë mijë dollarë. Kamera e avancuar për kohën, gjysmë mekanike, me tre objektiva, një ndër to variabël me njëlloj lëvizshmërie të njëtrajtshme. Pas saj, një kamera portative “Philips”, me të cilën regjistruam Festivalin Folkloristik të Gjirokastrës.

Rikthehemi te studiot e televizionit eksperimental, te vila njëkatëshe

Nuk ka qëlluar, ishte e pamundur që aparaturat të dilnim për xhirime jashtë studios. Pra, as parade për 1 Majin, 28-29 Nëntorin nuk filmoheshin nga televizion, vetëm ato tentative për festivalin, sportin që ju fola. I ftonim, të vinin aty, p.sh., ndërmarrja e Gani Luzit, ishte më sistematikja. Demonstronin instrumente të bëra, gjëra të vogla, zbukurime. Vinte nëndrejtori, Nasi quhej që shpjegonte fliste dhe ne i ekspozonim. Po kështu, ndërmarrja e porcelanit, ajo artistike “Migjeni”, etj.

Si funksiononte, cili ishte procesi lidhur me kamerat, kameramanët?

Në televizionin e vjetër nuk kishte kameraman tjetër, vetëm unë, nga një herë me zëvendësonte Refik Veseli. Sigla muzikore u gjet ishte ajo “Drapër e çekan”. Në qarkullim nuk ishin më shumë se 200 televizorë bardhe zi, nga të cilat më shumë kishin familjet e udhëheqjes. Ishin disa markaruse si “Rekord”, “Temp”, “Orion” hungareze, me ekrane të vegjël.

Tani na tregoni pak si shkuat nga Kosova në RAI?

Për here të pare jashtë shtetit ka qenë ajo në Kosovë. Viti 1971, dhe kam shoqëruar trupën e Teatrit Popullor, të cilët shfaqen atje dramën Cuca e Maleve. Një pritje madhështore, kam mbetur pa mend, nga dashuria për ne. U kthyem, bëra reportazhin, e pa Thanas Nano, drejtori i Përgjithshëm, u pëlqye, duke hequr pak pjesë.Pastaj në RAI në 1973, një surprizë e madhe, kënaqësi, dicka e rrallë, kur më dërguan për specializim në Itali bashkë me piktorin Edi Hila.

Qëndruam tre muaj, ku pata fatin të asistoj, punonjës te studiot e RAI-it, e t përfitoj duke marrë një eksperiencë me vlerë. Kur erdhëm, solla një televizor, disa veshje, por pati zhurmë, siç ndodhte, shumë komente, thashetheme, u krijua një situatë e rëndë: “paratë ku i gjete, kush t’i dha”, etj., si këto. Pas 15 viteve në televizion, na hoqën, të dyve nga puna.

Përgatiteni për të shkuar në Karlsruhe, për ndeshjen e Shqipërisë me RF Gjermane, por?

Para se shkonim në Kosovë, në qershor të vitit 1971, në Karlsruhe do të zhvillohej Gjermani-Shqipëri dhe siç ndodhte hapej fjala, dhe nga televizori më caktojnë mua me Ismet Bellovën. Për të filmuar ndeshjen jo për ta transmetuar. Ishte koha kur televizioni përveç kamerave elektronike morri edhe kamera filmike “Bolex” nga Zvicra, më pas “Ariflex”, kamera filmi, etj.

U përgatitëm por as Ismeti as unë nuk shkuam. Na hoqën, ishte puna e tyre, nuk e di edhe sot motivin. Pak muaj më vonë më thërret Klimi Misja në zyrë, dhe më thotë: Beqir bëhu gati nesër se do nisesh për në Kosovë. Si i ri që isha, pa menduar gjatë reagova: “Drejtor, nga Gjermania në Kosovë? Nuk kam kostum i them. “Po për Gjermani kishe kostum”, më pyeti me pak humor?

Rikthehemi te largimi juaj nga TVSh-ja, si vijoi?

Mua më çuan punëtor te treni, Edin te pularia. E dënim që na dënuan për 6 muaj, por jo, zgjati më shumë se një vit. Ndërkohë fillova tentativat për të gjetur një tjetër punë. Kërkova në televizion, por ma kishin mbyllur derën, pastaj në Kinostudio, por më thoshin “pse nuk të merr televizioni”.

Nga një Komitet Partie tek ai Ekzekutiv, i Rajonit, të gjithë më refuzonin, nuk ndërhynte dikush për të më ndihmuar, por ishte e pamundur.

Ju kujtohen punonjësit e televizionit, atij në vilën te “Rruga e Kavajës”?

Në 2 vjet e gjysmë, gati tre, tek ajo vilë, dhe ndërtesa e radios përballë, ku kemi punuar të bashku, nga Liri Celi, Stoli Beli, Katerina Gaxho, Heroina Deliu, Margarita Jance, Luiza, mbiemrin e të cilës nuk e kujtoj. Pastaj Emil Plumbi, Sali Mensori, Spiro Qirko, Jani Nano, Ilia Capo, Vezir Hoxha, Pipi Nace, Refik Veseli, Kadri Metohu, Lulzim Topciu, Gaqo Konomi, Riza Hasimi, Petrit Qylafku, Kostandin Leka.

Transferimi i televizionit nga ajo vile simpatike, në ndërtesën e re ka qenë në vitin 1964, në katin e pare të saj, në disa mjedise tip magazinash, jo të përshtatshme. Më pas, filluan të vinin edhe aparatura perëndimore. Deri kur u ndërtua selia e Televizionit, ajo modern aktuale.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.