SHËNDET

Dr.Vlera Lekaj: Dritëhijet e diagnozës së një hemorragjie gastrointestinale

10:00 - 31.07.23 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Rëndësia e një ekzaminimi endoskopik të sipërm qëndron në faktin se shumë pacientë ankojnë për shqetësime të traktit tretës, të cilat ndonjëherë mund të jenë sinjal i një patologjie gastrointestinale të sipërme, dhe ekzaminimi endoskopik, i njohur ndryshe si Fibrogastroskopia, është ekzaminimi i cili në këto raste hedh dritë mbi diagnozën e një problemi të fshehtë të traktit tretës.
Gjatë praktikës në pavionin e Gastrohepatologjisë në QSUT, shumë pacientë mund të paraqiteshin me simptoma, si: djegie në dërrasën e kraharorit, dhimbje epigastrike(në qendër të gjoksit), nausea, të vjella, mungesë oreksi ose çrregullime me jashtëqitjen, në formën e diarresë, të konstipacionit ose një ndërthurje mes të dyjave.
Ndërkohë një pjesë tjetër e rasteve nuk kishin asnjë nga simptomat e mësipërme, por gjatë një check up-i rutinë, zbulonin në analiza një anemi pa shkak, apo që ishin përjashtuar shkaqet e tjera ose një fece gjak okult pozitiv (të dyja këto analiza janë dëshmi e një mundësie të prezencës së hemorragjisë së traktit gastrointestinal).
Në të dyja situatat e lartpërmendura këshillohet pikësëpari kryerja e Fibrogastroskopisë për të diagnostikuar dhe parandaluar komplikacione të mëtejshme nga një hemorragji e mundshme gastrointestinale të sipërme.
Diagnoza varion nga shumë faktorë, nëse pacienti ka në historikun e tij shëndetësor probleme të mëparshme, si p.sh. një ulcer e diagnostikuar kohë më parë, e cila për disa arsye mund të jetë riaktivizuar, ose mosha e pacientit, sigurisht me kalimin e viteve bëhemi më të prekshëm nga problemet gastrointestinale, apo pacientë të cilët marrin medikamente për probleme të ndryshme shëndetësore, sidomos kush merr aspirinë, si dhe konsumatorët e duhanit dhe alkolit janë përherë më të riskuar, pavarësisht moshës.
Përgjithësisht në rastet e një diagnoze të pakomplikuar si të një refluksi të thjeshtë, të një gastriti apo të një ulcere, e cila nuk gjakos edhe prognoza e pacientit është premtuese. Me mjekimin e duhur, i cili konsiston në marrjen e medikamenteve antiacide, frenuesve të pompës protonike etj., si dhe me respektimin e një diete të mirë ushqimore duke eliminuar ushqimet pikante, ushqime të thata, pijet e gazuara, alkolin, duhanin, yndyrën e tepërt, kafeinën, si dhe duke pasur kujdes me medikamentet që konsumojmë, dhe, nëse duhet t’i marrim ato patjetër për shkak të një problemi shëndetësor, t’i shoqërojmë me një mbrojtës stomaku.
Pavarësisht një seri simptomash apo analizash rutinë, të cilat mund të të orientojnë drejt një problemi të traktit tretës, shpesh herë gjatë kryerjes së një fibrogastroskopie mund të ndeshemi me lezione të caktuara të mukozës së stomakut, të cilat nën dritën e skopit, kur identifikohen, shkaktojnë dhe hijet e para të dyshimeve që mund t’i shfaqen mjekut endoskopist.
Puna e përditshme në kabinetin e endoskopisë është një sfidë, e cila shoqërohet me kënaqësinë e një diagnoze të saktë, të pakomplikuar dhe jo shqetësuese për pacientin, por ka dhe sfida me hije dyshimesh, për një diagnozë jo fort të mirë për pacientin, sidomos në rastet e neoformacioneve(tumore malinje), të cilat përbëjnë një gamë të gjerë diagnozash në përditshmërinë klinike. Këto janë raste të vështira dhe delikate, të cilat shoqërohen me vazhdimësinë e ekzaminimeve të pacientit për të arritur në një diagnozë të plotë dhe sa më të saktë për mbarëvajtjen e trajtimit të këtyre rasteve.
Gjatë një ekzaminimi endoskopik, ndër diagnozat më të zakonshme janë të ulcerës peptike. Pas identifikimit të një lezioni ulcerativ, rekomandohet që në çdo rast të merret material për studim mikrobiologjik të mëtejshëm. Në pjesën më të madhe të rasteve nga ekzaminimi mikroskopik pacientët dalin pozitiv për Helicobacter Pylori, i cili është një bakter, shkaktari më i shpeshtë i ulcerës. Rreth 50% e popullsisë së botës vlerësohet të jetë e infektuar me Helicobacter Pylori, dhe është më i zakonshëm në vendet në zhvillim.
Mjekimit për një pacient pozitiv për Helicobacter Pylori i bashkëngjitet, krahas frenuesve të pompës dhe antiacideve dhe terapia e kombinuar mes dy antibiotikëve për çrrënjosjen e Hekicibacter Pylori.
Ndërkohë që pacientët trajtohen për këto problematika të traktit tretës si dhe respektojnë gjatë kohës dietën ushqimore, në përfundim të mjekimit rekomandohet rivlerësim i gjendjes me ripërsëritjen e ekzaminimit të fibrogastroskopisë.
Sigurisht një hapësirë e veçantë, i kushtohet dhe pacientëve spitalorë, të cilët për shkak të komplikacioneve, si një hemorragji e mundshme gastrointestinale, mbahen nën observim për disa ditë dhe trajtohen në mënyrë parenterale deri në përmirësimin e gjendjes së tyre.
Te gjithë individët, të cilët trajtohen për problematika të ndryshme shëndetësore, duhet të ndiqen vazhdimisht me check up të rregullt, jo vetëm për të monitoruar problemin shëndetësor nga i cila vuajnë, por edhe për të parandaluar komplikacione të mjekimit, të cilat, në shumë raste, lidhen me traktin tretës.
Gjatë periudhës së pandemisë së Covid-19 u konstatua, gjithashtu, se në pjesën më të madhe të rasteve të trajtuara me hollues të gjakut, duke përmendur edhe njëherë këtu aspirinën, komplikacionet, si hemorragjitë gastrointestinale u raportuan më të shpeshta në numër.
Arsyet dhe shkaqet përballë një patologjie të traktit të sipërm tretës, variojnë në individë të ndryshëm nga faktorë gjenetikë të ndërthurur me ato ambientalë, ku përveç ushqimit dhe stilit të jetesës, një rol të konsiderueshëm luan edhe stresi, si faktor në riaktivizimin e ulcerës peptike apo shqetësimeve të tjera të traktit tretës. Gjatë diagnostikimit të këtyre rasteve dhe bisedës paraprake me pacientin për të zbuluar diçka më shumë në lidhje me shqetësimet e tij shëndetësore dhe historikun e sëmundjeve të tij, shpesh herë i referohemi traktit tretës si “truri ynë i dytë”, për nga rëndësia që ka në mirëqenien tonë të përgjithshme fizike dhe mendore si dhe ndjeshmërinë e lartë që trakti tretës zotëron.
* Dr.Vlera Lekaj, specializante gastrohepatologe




Shkrim i i botuar në suplementin “Life Pages” të “Gazeta Shqiptare”


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.