AKTUALITET

Vrasja e dhunshme e Marigona Osmanit/ Familjarët të pakënaqur me dënimin e njërit prej autorëve! Avokati: Do ta apelojmë!

18:01 - 04.08.23 E.D
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Një gjykatë në Kosovë dënoi një burrë me burgim të përjetshëm për vrasjen e bashkëshortes së tij ndërsa një tjetër me 15 vjet heqje lirie për ndihmë në kryerjen e vrasjes.




Gjykata themelore në Ferizaj, shpalli fajtor Dardan Krivaqën për vrasjen e bashkëshortes së tij 18 vjeçare Marigona Osmani në gusht të vitit 2021, ndërsa Arbër Sejdiun për ndihmë në kryerjen e vrasjes.

“I akuzuari Dardan Krivaqa me datën 21 gusht 2021 në banesën e tij në rrugën Ramadan Rexhepi në Ferizaj në intervalin kohor nga ora 10:40 e deri të nesërmen me datën 22 gusht 2021 në ora 14:43, ndërsa ka qenë duke bashkëjetuar me tani të ndjerën Marigona Osmani, për motive të xhelozisë e me vetëdije ndërmerr veprime të dhunshme, të rënda, esktreme ndaj saj, në atë mënyrë që gjatë dy ditëve rresht kohë pas kohe në vazhdimësi me një shkop të drurit e godet viktimën në pjesë të ndryshme të trupit duke i shkaktuar dhimbje të mëdha fizike dhe psiqike”, tha gjykatësi Sahit Krasniqi, duke shpallur vendimin.

Në vendim thuhet se Marigona Osmani vdiq nga pasojat e dhunës së skajshme të ushtruar ndaj saj nga tashmë i dënuari Krivaqa.

Dënimi me burgim të përjetshëm për Dardan Krivaqën u mirëprit nga Rrjeti i Grupeve te Grave në Kosovë. Por organizata mendon se dënimi me 15 vjet heqje lirie i Arbër Sejdiut është i ulët.

Avokati i familjes së të ndjerës, Gazmend Rexhepi, paralajmëroi ankesë ndaj dënimit për Arbër Sejdiun.

“Të dy të akuzuarit meritojnë burg të përjetshëm dhe vazhdoj t’i qëndroj prapa mendimit se vrasja e Marigonës ka qenë vrasja më e rëndë e pasluftës në Kosovës për shkak se kronologjia e saj ka zgjatur rreth 72 orë para se të ndërronte jetë. Pasi ta marrim aktgjykimin sigurisht se do ta bëjmë ankesën tonë për sanksion penal por edhe për ndryshim të kualifikim për ndihmë për shkak se konsideroj që i akuzuari i dytë jo vetëm që ka ndihmuar por ka qenë i përfshirë në bashkëkryerje direkte në vrasjen e të ndjerës”, tha zoti Rexhepi pas përfundimit të seancës gjyqësore.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, mirëpriti vendimin e gjykatës duke e cilësuar atë si “një mesazh për të gjithë ata që zgjedhin dhunën ndaj grave si mjet”.

“Dhuna nuk do të tolerohet, femicidi do të ndalet”, shkroi presidentja Osmani në rrjetet sociale.

Vrasja e 18 vjeçares Marigona Osmani nxiti reagime në shkallë të gjerë në Kosovë ku dhuna ndaj grave dhe dënimet e ulta ndaj kryesve të kësaj dhune vazhdojnë të jenë ndër problemet më të rënda.

Pak para mbajtjes së seancës gjyqësore, Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist mbajti një protestë para Gjykatës Themelore në Ferizaj, duke shprehur shqetësimin për dënimet e ulta ndaj personave që kanë ushtruar dhunë apo kanë kryer vrasje ndaj grave.

“Jemi mbledhur këtu meqë jemi dëshmitarë se gjykatat në Kosovë kanë amnistuar vazhdimisht burrat që kanë vrarë gratë duke i lënë të lirë e me dënime shumë të ulta. Nuk mund të qëndrojmë të qeta derisa kjo gjykatë dhe cdo institucion tjetër shtetëror të rreshtohet në anën e grave”, tha Bjeshka Guri nga kjo organizatë.

Gzim Shala hulumtues në Institutin e Kosovës për Drejtësi, tha në një përgjigje për Zërin e Amerikës se deri tash në disa raste është shqiptuar dënimi me burgim të përjetshëm, po se asnjë prej tyre nuk ka arritur plotë fuqishmërinë.

“Edhe rasti i sotëm ende nuk është i formës së prerë dhe do t’i nënshtrohet rishikimit nga ana e Gjykatës së Apelit”, tha zoti Shala duke theksuar se politika e ndëshkimeve rreth dhunës ndaj grave vazhdon të jetë problematike.

“Sipas gjetjeve të Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD), në rastet më të shpeshta, gjykatat kanë shqiptuar dënime me kusht në rastet e dhunës në familje. Me këtë rast, IKD e ka parasysh se secili rast i ka specifikat e veta dhe varësisht specifikave, praktika mund të sjellë lloje të ndryshme të rasteve që arsyetojnë dënime të ndryshme. Por, kur shohim një numër kaq të lartë të rasteve që kanë përfunduar me dënime me kusht, atëherë ndërtohet argumenti se në këto raste nuk bëhet fjalë për specifika të rasteve, por për dukuri në vendimmarrje”, thotë zoti Shala ndërsa nënvizon se “dënimi me kusht, në parim, nuk mund të supozohet si efikas dhe proporcional në parandalimin dhe luftimin e dhunës në familje”./VOA


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.