AKTUALITET

Temperatura të larta … dhe në rritje

07:40 - 06.08.23 E.P
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Vera e vitit 2023 ka shënuar temperatura përvëluese e të pazakonta. Temperaturat e larta po përjetohen jo vetëm nga moti, por edhe nga kombinimi i ngjarjeve drejtësi e reformuar-politikë. Prandaj menduam që edhe editoriali i “Monitor” të ketë pak temperaturë më të lartë politike.




Në vitin 2023 kemi hyrë në vitin e 32-të të regjimit që e quajmë “demokratik”. Nuk janë shumë për të pretenduar demokraci të zhvilluar e të konsoliduar.

Por nuk janë as pak për të kërkuar që organizimi dhe përfaqësimi politik të ndryshojë ndjeshëm nga përmbajtja e regjimit “komunist”. 32 vitet e demokracisë mund të mos jenë ende të mjaftueshme për të zhbërë 47 vitet e komunizmit, por nuk janë dhe aq pak sa të mos kërkohej që metodat e komunizmit të shpërbëheshin.

Në fakt, vërehet që ka ende mjaft ngjashmëri dhe shpeshherë ndihesh sikur mekanizmat kanë vijuar të funksionojnë njësoj, pa as më të voglën ndërprerje.

Ashtu si në komunizëm, udhëheqësia kryesore e ekipit politik të vendit ka mbetur e ngurtësuar dhe e ngërthyer në mënyra veprimi që kanë krijuar sistem bllokues për çdo gjë që nuk e kanë nën kontroll.

Edhe ekipi politik, në tërësi, ka shfaqur “normë të ulët qarkullimi”. Pa dyshim, pasoja është demokracia jofunksionale dhe vërtitja në 30 vjet në të njëjtën retorikë politike e mënyrë ushtrimi pushteti, që nuk ka prodhuar zhvillim të qëndrueshëm.

Në komunizëm, mjeti më efikas për të ndryshuar pjesë të ekipit politik (Kujdes! Vetëm ekipin që fillonte pas numrit 1), ishte goditja e grupeve armiqësore, agjenturore, agjitatore apo sabotatore.

Mekanizmi që mundësonte këtë goditje ishte drejtësia. Akuzat mund të ishin edhe të vërteta në ndonjë pjesë të tyre. Por vënia nën akuzë e udhëheqësve shumë afatgjatë sigurisht që nuk e kishte origjinën te vërtetësia e akuzës. E ndërsa eliminohej një grup që mund të përbënte sadopak rrezik në regjimin e Njëshit të partisë, popullit i servirej shfaqja propagandistike.

Duket se dhe në demokraci kemi ardhur në pikën ku duhet induktuar një ndryshim i ekipit politik afatgjatë. Si mekanizëm goditës duket sikur është përsëri drejtësia (e reformuar), ku ka ndryshuar vetëm lloji i akuzës, duke kaluar në terrenin e akuzës për korrupsion.

Qartazi kjo akuzë ka shumë të vërtetë brenda, por origjina e drejtimit të akuzës duket se nuk buron thjesht nga vërtetësia e saj.

Në këtë përfundim arrihet lehtësisht tek sheh që nën akuzë (në gjendje të lirë, të ndaluar apo të arratisur) janë vënë një sërë figurash drejtuese të së majtës prej 10 vitesh në pushtet, për afera të ndryshme të cilësuara korruptive.

Pra e majta duket se po merr sinjalet e nevojës për ndryshim ekipi. Jo më kot, e majta shqiptare, që ishte origjinuesja e KPD-së së famshme, ku secili pjesëtar i saj nxori të palarat dhe korrupsionin e secilit pjesëtar tjetër, në një shfaqje të paturpshme e arrogante të së keqes që lidhej me krimin dhe korrupsionin që kish kapluar qeverisjen në vitet 2000, në një situatë të ngjashme, gati çerek shekulli më vonë, zgjodhi të mblidhej me pompozitet, por heshturazi dhe mbyllurazi.

Sepse zinxhiri i ngjarjeve korruptive, siç duket, po kërkon të tjera qarkullime figurash dhe ndoshta, edhe shpalljen e një udhëheqësi pasardhës. A do të ndodhë shumë shpejt shfaqja e udhëheqësit të radhës të së majtës, kjo nuk thuhet dot me siguri. Siguri më të madhe ka mundësia që mandati i katërvjeçarit të tretë, të shkurtojë ditët e tij.

Te krahu politik përballë së majtës, qarkullimi po merr një pamje më agresive dhe në formën e një sjelljeje më shpërbërëse e më copëzuese. Krahu përballë, duke qenë një formacion politik më pak ideologjik, më pak i konsoliduar rreth parimesh të caktuara politike dhe kuptohet edhe me struktura partiake me më pak përvojë e konsolidim, nuk tregoi forcë të mjaftueshme për të induktuar riformatim dinjitoz e në funksion të jetëgjatësisë e konsolidimit të formacionit politik.

Për rrjedhojë, prodhoi përplasje deri dhe të dhunshme e që po mbahen në sytë e të gjithëve. Kjo i ka bjerrur fuqinë politike e gërryer elektoratin. Me opozitën tejet të dobësuar, në fakt, pushteti i sotëm ka një fuqi të plotë mbi çdo institucion të vendit dhe po ushtrohet i pasfiduar nga askush, një tjetër situatë kjo që na ka përafruar përsëri me regjimin komunist.

Prandaj, nuk është e paimagjinueshme që edhe në krahun opozitar, qarkullimi i ekipit politik të imponohet përmes mekanizmit të drejtësisë. Por ajo që mbetet të shihet është nëse përdorimi i një mekanizmi të tillë do ta rrëzojë përfundimisht opozitën, apo goditja do të jepet shumëfish më e fortë në krahun qeverisës që të arrihet ekuilibrimi i forcave?

Goditja e dhënë nga drejtësia, tashmë për një grup amalgamë njerëzish të drejtësisë, policisë, shtresës së biznesit, politikës dhe krimit, që mbi të gjitha janë përfitues të drejtpërdrejtë të favoreve nga qeveria (në status investitori, tendera etj)., dhe kanë vepruar në terrenin e grumbullimit të votave në favor të së majtës, duke i rrëmbyer opozitës deri bastionet e saj, sigurisht që tregon se po tentohet të goditet forca reale e qeverisë së sotme.

Pa këtë lloj baze nuk do të ishte e papritur që panorama e votuesve të ndryshonte katërcipërisht.

Megjithatë, maxhoranca aktuale, e gjendur para një situate të paprecedentë, ku një pjesë e mirë e figurave kyçe politike, përfliten prej vitesh për përfshirje në afera korruptive, janë nën hetim, janë dënuar apo janë në kërkim, në një tentativë të dëshpëruar për tu dukur e sofistikuar në propagandën e radhës, ka hedhur në konsum vetë reflektimin dhe vetë riorganizimin, rezultatet e të cilëve pritet të shpallen në kongresin e jashtëzakonshëm të vjeshtës.

Pra, pas verës së nxehtë, duket se temperatura politike do të vazhdojë të rritet. Drejtësia do të vijojë të godasë.

Nga forma e goditjes do të shohim, nëse mazhorannca do të rigrupohet së brendshmi për të vijuar qeverisjen e pashqetësuar, apo shqiptarët do të thirren përpara kutive të votimit që mazhoranca të rikonfirmojë veten. E nëse ndodh kjo e dyta, gjasat janë që në qeverisjen e re të thirret edhe opozita që do të fitojë njohjen zyrtare.

Kjo do të shënojë fillimin e një periudhe “stabiliteti pluralist” përkundrejt “stabilitetit monist” të sotëm. “Stabiliteti pluralist” do të arrijë një rinovim pjesor ekipi politik, por jo rinovim në thelb të mënyrës qeverisëse dhe nuk do të ofrojë alternativa të ndryshme politike.

Prandaj politika shqiptare do të preket nga temperaturat e larta, por jo ende nga erërat e forta freskuese dhe pastruese të atmosferës.

Ndryshimi në thelb i mënyrës së qeverisjes dhe drejtimit politik të vendit nuk do të jetë i afërt. Për këtë kërkohet forcë e potencial, që krijohen në vite. Me ritmet aktuale të emigrimit të popullsisë, vitet shtohen./monitor


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.