Kronikë

Vrau fqinjin 26-vjeçar para banesës, publikohet foto e autorit të ngjarjes! Sherri në lokal që përfundoi me viktimë

12:27 - 15.08.23 E.P
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

I riu në foto është autori i krimit të rëndë në Bulqizë, i cili vrau me thikë një 26-vjeçar pas një sherri në lokal mbrëmjen e së hënës (14 gusht).
Autori Dorjan Dema (Majtas), Viktima Dritan Manjani (Djathas)




Dorjan Dema goditi për vdekje me thikë të riun para shtëpisë së viktimës në fshatin Homesh të Shupenzës.

Dritan Manjani u dërgua në spital, por nuk arriti që t’i mbijetojë plagëve të marra.

 Ndërkohë autori i ngjarjes, 30-vjeçari Dorjan Mema u vendos në prangat e policisë mëngjesin e sotëm (15 gusht).

Dëshmitë:

Sipas një banori të zonës, i cili piu kafen e fundit me viktimën, autori ishte duke ngrënë dhe pirë me 5 persona të tjerë në të njëjtin lokal.

“Unë piva një kafe me të ndjerin, por unë u largova dhe e lash të ndjerin në lokal. Autori ishte me 4 veta të tjerë duke ngrënë meze e duke pirë birra. Se di se çfarë ndodhi më pas.

Ai nuk u bashkua me ata, por ishte tavolinë tjetër. Thonë se ka nisur konflikti në lokal, por aty kanë ndërhyrë dhe i kanë ndarë. Më pas viktima, rreth orës 9 e gjysmë e kanë thirrur te shtëpia. Ai ishte duke ngrënë bukë dhe kur ka dalë i kanë shtirë me thikë dhe jo me kaçavidë siç kanë thënë”, tha ai.

Ndërsa një banor tjetër tregoi se teksa Dritan Manjani po hante bukë, dy makina kanë mbërritur në shtëpinë e viktimës dhe e kanë thirrur 26-vjeçarin të dalë jashtë.

 “Dil or djalë se mos keni zënë rrugën”, i ka thënë nëna e tij, sipas fqinjit. Por kur i riu ka dalë nga banesa fundi ka qenë tragjik për të.

“Ishte djali më i mirë, nuk bën më nëna. Ka punuar në Greqi, me nder. I ka djemtë shumë të mirë. Nuk ishte i martuar, dhe nuk di të kenë pasur konflikt apo probleme. Nuk kanë hapur kurrë probleme. Për ngjarjen di që kanë qenë duke pirë. I kanë parë të tjerë dhe më pas morëm vesh që ndodhi kjo ngjarje.

Ishin në të njëjtën vend me autorin tek lokali. Por thanë që më mbrapa kanë ardhur dy makina, e kanë thirrur këtë djalin. Ai ka dalë jashtë dhe më pas ka ndodhur edhe vrasja. Kanë ardhur natën nga ora 21:45, me makina me dy makina , thonë ata që i kanë parë unë nuk i kam parë.

Nëna vet i ka thënë; ‘dil or djalë se mos keni zënë rrugën’ se mos është duke ardhur ndonjë makinë tjetër. Ka qenë duke ngrënë bukë, dhe më pas ka ndodhur ajo që ndodhi”, tregoi një banor i zonës.

Çfarë raportoi policia

“Në orët e vona të mbrëmjes, në Shupenzë shtetasi D.D., 30 vjeç, banues në fshatin Homesh, për motive të dobëta është konfliktuar me shetasin D.M., 26 vjeç, banues në Homesh. Gjatë konfliktit 30-vjeçari e ka goditur me kaçavidë 26-vjeçarin, i cili si pasojë e plagëve ka humbur jetën në spital.

Shërbimet e Policisë falë reagimit në kohë, lokalizuan, kapën dhe arrestuan autorin e ngjarjes shtetasin D.D. Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë vijojnë hetimet për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë të rrethanave të ngjarjes”, njoftuan uniformat blu.

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.