AKTUALITET

U kap në një apartament me qira në Tiranë, kush është i kërkuari i Italisë që ishte pjesë e organizatës “Sacra Corona Unita”

09:24 - 24.08.23 E.P
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Policia e Tiranës bëri me dije dje se kishte arrestuar një shtetas shqiptar ndaj të cilit ekzistonte një urdhërarrest ndërkombëtar. Bëhej fjalë për një person të dënuar nga Gjykata italiane për trafik droge, ndërkohë që ishte në arrati prej më shumë se 5 vjetëve.




Sipas të dhënave, u vu në pranga Ortis Banda, 43 vjeç, i cili ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Roma. Por në fakt, emri i Ortis Bandës, i arrestuar ditën e djeshme në Tiranë është i listuar prej vitesh si njëri prej anëtarëve të një grupi kriminal që bashkëpunon me organizatën mafioze të “Sacra Corona Unita”. Ndaj tij është dhënë një vendim në marsin e vitit 2018, ndërkohë që në bankën e të akuzuarve me të ishin edhe disa shqiptarë të tjerë.

Policia e Tiranës

Në bazë të vendimit të Gjykatës së Leçes në Itali, ishte dënuar me 5 vjet, 10 muaj e 16 ditë burgim, për “Trafikim droge”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga Kodi Penal italian. Sakaq Interpol Tirana, në bashkëpunim me Interpol Romën, vijon procedurat për ekstradimin e këtij shtetasi drejt Italisë. Policia e Tiranës tha dje se u finalizua një tjetër operacion policor, i koduar “Apartamenti”, për kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim ndërkombëtar. I dënuar nga autoritetet gjyqësore italiane, për trafikim droge, kapet në një apartament të marrë me qira dhe arrestohet me qëllim ekstradimin, 43-vjeçari. Si rezultat i shkëmbimit të vazhdueshëm të informacioneve ndërmjet FAST Albanias, Interpol Tiranës dhe Interpol Romës, se në Tiranë fshihej një shtetas i shpallur në kërkim ndërkombëtar për trafikim droge, është organizuar dhe finalizuar operacioni policor i koduar “Apartamenti”.

Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Roma, në bazë të vendimit të Gjykatës së Leçes, Itali, e cila e ka dënuar 43- vjeçarin, me 5 vjet, 10 muaj e 16 ditë burgim, për “Trafikim droge”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga Kodi Penal italian.

Në vitin 2012, shtetasi Ortis Banda ka trafikuar një sasi kokaine, në bashkëpunim me 2 shtetas të tjerë, njëri prej të cilëve u kap në flagrancë në qytetin e Maniagos, me sasinë e kokainës.

Dënimi në marsin e 2018-s

Shtatë trafikantë shqiptarë, që bashkëpunonin me klanin mafioz “Sacra Corona Unita” në Itali për drogën, janë dënuar nga drejtësia italiane. Ata u arrestuan gjatë operacionit të koduar “Federiko II” në dhjetor të vitit 2016, ndërsa më parë ishin zhvilluar edhe dy operacione të suksesshme “Augusta” e “Netuork”. Hetimi nisi nga agjentët e DIA-s dhe u ndoq nga zëvendës prokurori i atëhershëm i antimafias, Guglielmo Cataldi. Sipas hetimeve Kristaq Boci importonte sasi të mëdha të heroinës nga Shqipëria.

Kristaq Boçi, nga Vlora, (i njohur edhe si Arben Meça) ishte koka e organizatës që ishte në gjendje të transportonte nga Shqipëria në Salento të Italisë, sasi të mëdha marijuane dhe heroine, që shitej më pas në doza të vogla në vendin fqinjë (vitit 2016). Më parë, në korrik të vitit 2013, Boçi u kap bashkë me disa shqiptarë të tjerë, me 3.5 kg heroinë në një makinë me targa shqiptare. Boçi, gjatë dërgimit për në polici, edhe pse shoqërohej nga tre oficerë dhe duart i kishte të lidhura, arriti të arratisej. Ai kapërceu një mur dhe më pas humbi gjurmët edhe pse policia qëlloi dy herë në ajër. Por, një ditë më pas, vlonjati u arrestua sërish.

Sacra Corona Unita është organizatë kriminale vepron në Puglia dhe në rrethinat e saj. Kjo organizatë është themeluar nga Giuseppe Rogoli në burgun e Barit në natën Krishtlindjeve të vitit 1981. Rangoli ka qenë anëtar i organizatës tjetër kriminale, “Ndrageta”, dhe i kërkon leje kapos të bandës së tij për të formuar një tjetër organizatë. “Sacra Corona Unita” përbëhet nga 7 organizata dhe 47 familje dhe me rreth 1755 anëtare kryesisht në provincën e Brindizit dhe Leçes. Është një organizim i ri në krahasim me organizimet e mëparshme të mafies për sa i përket territorit dhe aferave por aktualisht paraqitet dhe vepron me vendosmëri dhe egërsi të dukshme. E veçanta e kësaj mafieje është përdorimi i të miturve dhe lidhja e ngushtë me segmente shqiptarësh edhe për shkak të afërsisë gjeografike.

DËNIMET NGA GJYKATA ITALIANE

Kristaq Boci, 47 vjeç–20 vite burg

Bilal Bocaj, 49 vjeç– 9 vite, 6 muaj dhe 20 ditë

Klaid Hasanaj, 48 vjeç– 14 vite, 2 muaj dhe 20 ditë

Emiliano Sulka, 23 vjeç– 11 vite burgim

Pëllumb Drenova, 56 vjeç– 10 vite, 9 muaj dhe 10 ditë

Anila Hasanaj, 46 vjeçe– 4 vite, 8 muaj dhe 20 mijë euro gjobë

Ortis Banda, 36 vjeç– 5 vite dhe 30 mijë euro gjobë


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.