OPINION

Tezë që përligj keqqeverisjen!

09:04 - 12.09.23 DR. JORGJI KOTE
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

E kemi fjalën për shprehjen që pushtetarët e kanë në “ majë të gjuhës” duke e kthyer kthyer në refren sa herë kur te ne ndodh diçka negative “ e, mo se dhe jashtë ndodh kështu”! Ca më keq akoma, mbasi lajnë duart” me përgjegjësinë personale, ata “ shkrijnë talentin” për të na mbushur mendjen me tabela/shifra, se demek «  ja, shihni,  jo vetëm te ne, por dhe jashtë vendit po bëhet kiameti»




Natyrisht, krahasimet me shifra janë të nevojshme, sidomos për institucionet shtetërore, për të parë  se ku jemi. Ato bëhen dhe jashtë, veç jo për justifikim, por për të treguar se ku jemi me tendencat përkatëse, duke përcaktuar masa konkrete për eliminimin e shkaqeve dhe pasojave të tyre afat-shkurtër dhe afat-gjatë.

Mirëpo  statistika, sado e saktë qoftë,  bëhet e dëmshme kur i trajton të dhënat dhe grafikët mekanikisht dhe jashtë kontekstit politik, ekonomik dhe social të një vendi të caktuar. Ca më keq kur ato kthehen në « gjethe fiku » për të mbuluar dështimet e rastit, në vend që të shërbejnë për analiza të thella që t’u çelin rrugën masave dhe veprimeve praktike për përmirësimin e gjendjes, që«  qeverisja e mirë » të mos kthehet në slogan bosh dhe keqqeverisje. Apo kur shkohet deri aty sa rastet/treguesit negativë i faturohen opozitës,  a thua se ajo është pengesa kryesore, kur shumica parlamentare ka shumicë komode, se  ka në dorë “dhe gurin dhe arrën” dhe asgjë nuk e pengon për një qeverisje të mirë.

Gjithsesi, le ta theksojmë se, po vërtet dhe jashtë vendit ndodhin ngjarje  e dukuri të ngjashme, por askund nuk përdoret një shprehje e tillë justifikuese nga qeveritarët. Përkundrazi, atje ndryshe nga ne, çdo ngjarje analizohet me seriozitetin më të madh, duke nxjerrë jo vetëm fajtorët dhe përgjegjësinë personale  deri në ndjekjen e tyre penale, por mbi të gjitha përgjegjësinë morale, politike dhe institucionale, duke  përcaktuar dhe rrugëdaljet nga ato situata. Le t’i referohemi mw poshtë disa shembujve pikantë të kohëve të fundit.

U fol shumë për rritje dhe indeksim pagash disa kohë më parë me rastin e krizës energjitike. Mirëpo, sipas revistës së specializuar «  Monitor »  paga mesatare në vendin tonë është vetëm 30 për qind e mesatares së rajonit. Ndërsa ato të shëndetësisë dhe më të ulta.  Në të kundërt, pagat minimale në Gjermani janë 4 herë më të larta se te ne. Më konkretisht  në sektorin e tekstileve, vërtet që pagat mujore mund të jenë rritur më shumë se kudo, por faktikisht ato  janë 220 Euro ose 10 herë më të vogla se në Europë.

Reklamohet me të madhe si sukses se pensionet po na u indeksokan me 9 për qind. Mirëpo, prapë ato janë “ liliput” krahasuar me nivelet perendimore, pa përmendur përfitimet e shumta sociale në perëndim. Në Belgjikë, pensioni social që indeksohet në çdo tremujor është  minimumi 750 Euro, kur dhe çmimet janë më të ulta, veç përfitimeve të tjera në tarifat e transportit, ku me 7,5 Euro një pensionist mund t’i bjerë  “kryq e tërthor” gjithë vendit  me transportin publik, ndërsa aboneja vjetore në Bruksel për ta është 0 – 12 Euro; po ashtu medikamentet për sëmundjet e rënda janë pothuajse falas, veç bonusit vjetor 500 Euro që u jepet  për pushimet verore.

Lidhur me ndihmën sociale, Raporti i Bankës Botërore për vitin 2022 tregon se Shqipëria renditet në tre vendet e fundit në Europë;  ndihmë i thënçin, sepse ajo plotëson vetëm 20 për qind të nevojave të qytetarit! Po ashtu, sipas Eurostarit, Shqipëria është e dyta në Europë për çmimet e energjisë elektrike për familjarët!

Më tej, të dhënat tregojnë se jemi të parafundit në Europë lidhur me indeksimin shëndetësor! Po, dhe Europa ka probleme me shëndetësinë, e cila i është nënshtruar reformave të thella. Por, ku ata dhe ku ne! Nuk ndodh askund jashtë të mbeten 400 paciente me tumor në mëshirë të fatit, sepse mungojnë aparaturat përkatëse!Raporti më i fundit i OBSH-së evidencoi faktin se Shqipëria ze vendin e fundit në Europë me vetëm 12 mjekë për 10.000 banorë ! Na le pas dhe Bosnia me 22 mjekë, Maqedonia dhe vende të tjera të largëta.

« Çmimet e artikujve ushqimorë e të mallrave te ne janë të larta. E mo, se dhe jashtë e në BE janë rritur!» Kështu, tarifat e energjisë në Gjerrmani janë dhjetëfishuar nga 85 në 850 Euro. Pak a shumë ka ndodhur kudo në Europë. Mirëpo, Europa ka caktuar një tavan prej 770 Euro duke subvencionuar rritjen e çmimit nga shteti për familjet në nevojë dhe të tjerët në një masë më të vogël.

Dhe më keq paraqitet gjendja lidhur me artikujt ushqimorë bazë. Të dhënat e fundit të « Eurostat » nxjerrin në pah dallime të mëdha mes nesh dhe vendeve të tjera lidhur me strukturën dhe dinamikën e çmimeve të artikujve ushqimorë, ku ne i kemi më të lartat në rajon. Veç mishit dhe peshkut, i jemi afruar shumë BE-së dhe për çmimet e vezëve, qumështit dhe djathit me 97 për qind të mesatares europiane!

Akoma më shqetësues është fakti se  në vendet e BE-së, falë pagave të larta dhe lehtësive të tjera, produktet ushqimore zenë vetëm 12 për qind të buxhetit familjar, ndërsa te ne 44 për qind, duke dalë sërish të parët në Europë !

«  Ekonomi informale ? E mo, se dhe vetë BE-ja po vuan prej saj »! Po, po ama ne kemi vite që mbajmë rekord me mbi 50 për qind, nga 25 dhe 40 për qind që sipas studimeve serioze ishte më 2007 dhe 2015 ! Në një kohë kur  mesatarja e 158 vendeve në botë është 31,9 për qind! Ndërsa Indeksi i Bazelit lidhur me riskun e lartë të pastrimit të parave në biznes e ka zbritur Shqipërinë dhe 6 shkallë më poshtë ; tashmë vetëm Turqia na e kalon në Europë ! Ndaj, ne vazhdojmë të jemi nën  vazhgimin e BE-së lidhur me ekonominë informale e prapë guxojmë të miratojmë ligje mbi amnistinë fiskale dhe pasaportat e arta!

« Dhe jashtë ka borxh  të madh publik » bërtasin qeveritarët tanë, «  madje më të lartë se ne dhe me 80 për qind ! Po, e vërtetë, borxhi publik gjerman është 62 për qind, ai belg dhe britanik 100 për qind i GDP-së dhe kështu me radhë. Mirëpo, së pari, nuk është e sigurt nëse borxhi ynë publik është realisht 80 apo gati 100 për qind kur shtohen detyrime të tjera të fshehura. Gjithsesi,  dallimet kryesore qëndrojnë te përmbajtja, natyra dhe mundësitë e pakrahasueshme të atyre vendeve lidhur me shlyerjen e tyre.! Vendet e tjera hyjnë në borxh për arsye  shumë më të qenësishme  dhe kanë mekanizma të shumta të shlyerjes së tyre ; ndërsa ne marrim borxh për të shlyer borxhet, duke i shtuar ato dhe më tepër! E megjithatë, qeveria  ka hyrë 200 milionë Euro borxh te ISSH, mbasi nuk është në gjendje të paguajë sigurimet shoqërore të administratës së saj.

« Edhe jashtë ka papunësi, jo vetëm te ne» ! E vërtetë, madje ka vende që e kanë më të lartë zyrtarisht nivelin e papunësisë. Mirëpo te ne së pari mungon transparenca; thuhet se papunësia të rinia është 20 për qind por sipas të dhënave të besueshme të pavarura ajo është dy herë më e lartë! Veç kësaj, në vendet e BE-së ka leva dhe mekanizma të tilla që i zbusin ndjeshëm efektet e papunësisë te rinia dhe që as që mund të krahasohen me ” liliput-masat” tona sociale!

Ndaj dhe jashtë ka një numër jo të vogël njerëzish që parapëlqejnë të qëndrojnë pa punë, duke vjelur përfitimet sociale që megjithë shkurtimet, janë të pakrahasueshme me tonat!

Po zotërinj qeveritarë, dhe në BE ku duam të hyjmë ka krim, drogë, korrupsion, etj, madje në ndonjë vend dhe më shumë se te ne. Por, kjo nuk ka pse të na ngushëllojë; sepse kur u hyjmë analizave të thelluara politike, ekonomike dhe sociale del se së pari, nuk jemi në pozita të barabarta; bie fjala me vendet e Benelux të cilat përbëhen nga 184 nacionalitete, përfshirë dhe bashkëatdhetarë tanë që kontribuojnë dhe jo pak prej tyre në shifrat e lartpërmendura. Kryesorja, atje funksionon drejtësia  që i ndjek këto dosje, ndërsa te ne në shumë raste nuk bëhet drejtësi, por vetëgjyqësi.

Veç kësaj, krimi i çdo lloji atje  ndëshkohet ashpër dhe nuk bëhet fjalë që bartësit e tij të hynë në Kuvend dhe në pushtetin lokal, si te ne! Bërtasim me të madhe  se reformën tonë në drejtësi nuk e kanë  bërë as vende antare të BE-së ; por bëhemi qesharakë, sepse askund në BE  nuk ka patur e as nuk ka një vend tjetër me një shkallë aq të madhe krimi dhe korrupsioni sa po i kallim tmerrin dhe  Europës!

«  Azil, po dhe në vende të tjera, madje dhe të BE-së  po ikin njerëzit, e drejtë e tyre lëvizja »  Ok,  e pranueshme kur bëhet fjalë për flukse  normale. Mirëpo Raporti më i fundit i OKB -së tregon se në 30 vitet e fundit janë larguar nga vendi ynë 1,2 milion vetë, shumica dërmuese këto 10 – 15 vitet e fundit, shifër rekord, duke u renditur në vendet e para në botë. Dhe, ndryshe nga vendet e tjera, shumica dërmuese e shqiptarëve kanë shkuar për azil të paligjshëm dhe me fëmijë, në pamundësi për të jetuar në vendin tonë; jo vetëm nga ana ekonomike por dhe për shumë arsye të tjera të njohura. Praktikisht zemë vendin e parë në rajon duke lënë pas dhe Kosovën! Edhe të dhënat zyrtare më të fundit tregojnë se nga muaji Qershor e këtej, zemë vendin e parë në Europë për frymë të popullsisë, duke lënë pas vetëm Gjeorgjinë.  Në renditjen botërore, na e kalojnë vetëm Siria, Libia, Iraku dhe vende të tjera që dihet se janë në gjendje lufte, ndërsa ne jemi në negociata për  anëtarësim në BE!

«   Tkurje e popullsisë me rënie të lindshmërisë, plakje dhe largimin e rinisë »? Por, por kjo po ndodh dhe gjetkë e jo vetëm në Shqipëri » pohojnë shpejt e shpejt « agjitropët » qeveritarë. Dakord, vetëm se në parashikimet e saj më të fundit «  The Economist »  tregon se  në 3 dekadat e ardhëshme, pas Bosnies me 37 për qind,  ritmin më të lartë të tkurjes së popullsisë pritet ta ketë vendi ynë me 26 për qind ! Duke ia kaluar ku e ku Kosovës me 11 për qind, ndërsa Mali i Zi vetëm me 3 për qind!

Së fundi, i vetmi rast kur liderët tanë  «  dorëzohen » e nuk thonë se «  kështu ndodh dhe jashtë » janë zgjedhjet e lira e të ndershme me të cilat «  na ka ngecur sharra në gozhdë ». Sepse vërtet nuk ka vend tjetër demokratik në Europë ku Vota të vidhet, shitet, blihet dhe «  tufëzohet » ! Dy dekada më parë, të huajt ngrenin supet dhe kërkonin shpjegime kur na dëgjonin tek betoheshim se « votat  do t’i mbronim  me trupat dhe gjakun tonë »; por ka kohë që dhe ata janë mësuar me këto hile zgjedhore te ne.

Ndaj, ka ardhur koha që qeveritë e çdo krahu politik të mos abuzojmë më me  « dhe jashtë  ndodh kështu » por  t’i vihen punës « nga brenda » për të krijuar frymën,  vlerat dhe traditat tona, si pjesë e ardhëshme e BE-së. Ndryshe,papërgjegjshmëria dhe keqqeverisja që po janë përshkallëzuar në kulm nuk do të ndalen.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.