LAJMI I FUNDIT

“Derbi, pika e kthesës për Dinamon”, ish-kapiteni Pinari: Moment i vështirë, të mos kërkojmë gjëra të mëdha kaq shpejt (E PLOTË)

20:39 - 21.09.23 E.D
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Jemi në javën e 5-të të Superiores dhe Dinamo luan të premten derbin e 2-të. Ndeshet me Partizanin në “Elbasan Arena”, ku në javën e parë të kampionatit u mund 2-3 nga Tirana. Blutë janë larg pritshmërive në këtë fillim të sezonit, me vetëm 3 pikë pas 4 javësh. Tri humbje në kaq pak javë kanë sjellë zhgënjim, por është vetëm fillimi dhe koha do të tregojë nëse është vetëm një moment i keq apo Dinamo vërtet ka probleme kaq të mëdha.




Luan Pinari, ish-kapiten i Dinamos, sot drejtor i akademisë së saj, gjykon se derbi mund të jetë një pikë kthese. Ish-mbrojtësi, që ka luajtur edhe me Partizanin në karrierë, shprehet se futbolli është i paparashikueshëm, ndaj dhe duhet pritur për të dalë në konkluzione të sakta. Në intervistën e mëposhtme për “Panorama Sport”, Pinari flet edhe për rindërtimin e akademisë së Dinamos.

Pinari, klubi i Dinamos ju ka besuar drejtimin e akademisë së tij. Si është riorganizuar kjo akademi, ku sapo keni kompletuar dhe stafet e trajnerëve?

Po, ka qenë një punë e madhe në fakt për akademinë. Dua të falënderoj klubin që më besoi këtë detyrë, por edhe të gjithë ata që kanë punuar me ekipet e moshave te Dinamo për atë kontribut që kanë dhënë. Dinamo tashmë ka shtëpinë e saj, ka kompleksin e saj stërvitor, që ndihmon shumë ekipet e moshave. Nuk ishte e lehtë për të gjetur njerëzit e duhur, sepse kur flitet për një akademi, kërkohen njerëz të përgatitur profesionalisht, por edhe në aspektin human.

Duhen trajnerë që të jenë edhe mësues të mirë, edukatorë të mirë, sepse përfshihen të gjitha grupmoshat, që nga ato më të voglat. Besoj se kemi bërë zgjedhjet e duhura për ta çuar akademinë e Dinamos në një nivel tjetër. Kemi afruar trajnerë, që kanë edhe një lidhje me Dinamon nga e kaluara.

A mund të themi se në një të ardhme të afërt do të rikthehet shkolla e Dinamos në futboll?

Patjetër që po dhe nuk do të jetë e largët dita. Në ekipet e moshave ka lojtarë shumë të talentuar, disa prej tyre stërviten edhe me ekipin e parë. Kam shumë besim se me punën që do të bëhet do të evidentohen talente që në një të ardhme jo të largët do të furnizojnë ekipin e parë të Dinamos. Ky është edhe qëllimi që drejtuesit i kanë kushtuar rëndësi të veçantë riorganizimit të akademisë. Binjakëzimi me një emër të madh si Mançester Siti padyshim që do të sjellë të mirat e veta.

Fokusi duket te Dinamo U-19, që tashmë do të drejtohet nga Dritan Mehmeti, i cili ishte në krye të skuadrës së parë deri në korrik…

Të gjitha skuadrave të akademisë u është dhënë rëndësi maksimale. Trajneri Mehmeti drejton Dinamon U-19, ku stërviten edhe lojtarët që bëhen gati për skuadrën e parë. Qëllimi është që jo vetëm lojtarët e kësaj skuadre, por të gjithë të marrin formimin e duhur sportiv, të rriten dhe t’i shërbejnë klubit.

Kalojmë te skuadra e parë e Dinamos, që duket se po vuan në këtë start për të arritur rezultate pozitive. Cili është gjykimi juaj?

Sigurisht, priteshin rezultate më të mira në këto javë të para të kampionatit. Të gjithë mendonim dhe besonim se skuadra do të bënte më mirë, por nuk është një moment për kritika apo për gjykime të nxituara. Është vetëm fillimi i kampionatit dhe Dinamo ka nevojë për mbështetjen e të gjithëve, nga drejtuesit te tifozët, për ta kaluar këtë situatë të vështirë. Futbolli është i paparashikueshëm: i merr pikët aty ku nuk e mendon dhe i lë aty ku i quan të sigurta.

Në këtë moment delikat vjen edhe derbi me Partizanin. Si e prisni këtë ndeshje?

Unë do të thosha moment i vështirë, jo delikat, sepse siç e thashë, jemi ende në fillim. Patjetër që është një ndeshje e fortë, e cila mund të shërbejë edhe si një pikë kthese për Dinamon. Ne që kemi luajtur në derbi e dimë se motivimi vjen vetë në këto lloj ndeshjesh dhe çdo lojtar mundohet të japë më të mirën nga vetja.

Të mos harrojmë se Dinamo në këto katër ndeshje që ka luajtur në kampionat, paraqitjen më të mirë e ka bërë në derbin me Tiranën në javën e parë. Luajti vërtet mirë, pavarësisht se nuk mori pikë për mënyrën si u vendos ai derbi, me ato penallti. Mendimi im është se do të jetë një derbi i hapur me Partizanin, secila skuadër ka shanset e veta. Për Dinamon është një mundësi e mirë reagimi dhe shpresoj se do të marrë rezultat pozitiv. Skuadra duhet të përsërisë derbin me Tiranën në aspektin e lojës dhe të ketë pak më shumë kujdes për ta kthyer situatën në favor.

Në një gjykim më të gjerë, a besoni se kjo skuadër mund të shkojë në 4-shen e parë në fund, që është edhe objektivi i klubit?

Më lart thashë se futbolli është i paparashikueshëm. Klubi po punon, po bën gjithçka për një skuadër kompetitive. Për mendimin tim, Dinamo së pari duhet të krijojë një lloj stabiliteti në lojën e saj dhe në rezultate. Të mos ngutemi për të kërkuar gjëra të mëdha që tani. Nëse skuadra e arrin këtë stabilitet, patjetër që me kalimin e javëve do të rritet dhe do të shkojë në vendet e para të renditjes. Projekti kërkon kohën e vet në futboll, në klub ka besim për një sezon pozitiv.

PANORAMASPORT.AL


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.