


Dy humbjet radhazi kanë trazuar disi ujërat në Korçë, aq sa pikët në ndeshjen e sotme, që do të luhet në orën 18:00 ndaj Kukësit, shihen si detyrim për Skënderbeun.
Kështu e komenton edhe vetë trajneri Ivan Gvozdenoviç, i cili në konferencën për mediat para ndeshjes bëri me dije se fitorja mbetet rruga e vetme në javën e pestë, për të mos e komplikuar edhe më tej situatën. Për të arritur objektivin maksimal, kryepankina korçare ka kërkuar edhe mbështetjen e tifozërisë. Për ndeshjen ndaj Kukësit, Gvozdenoviç do të kenë një grup të plotë lojtarësh, teksa kjo i jep mundësinë të bëjë zgjedhjet e duhura.
“Ndoshta ka ndikuar lodhja e disa lojtarëve dhe ishim të detyruar të bënim ndryshime, por unë i qëndroj mendimit se ata u futën në fushë në ndeshjen me Teutën, bënë mirë dhe nuk bënë gabime. Ne kemi një ekip me 25 lojtarë dhe të gjithë janë të gatshëm për të luajtur titullarë. Kjo na jep shumë mundësi zgjedhjeje, por mbase duhet të kishim guxuar më tepër në Durrës dhe mos e prisnim kundërshtarin në pjesën e parë. Megjithatë, është një ndeshje që ne e kemi hedhur pas krahëve dhe tani po mendojmë për reagimin. Kjo ka më shumë vlerë se kritika e vazhdueshme për dy ndeshje të humbura në transfertë”, theksoi fillimisht trajneri i Skënderbeut.
NDESHJA ME KUKËSIN Reagimi i pritshëm vjen nga ndeshja e sotme ndaj Kukësit, e cila për Ivan Gvozdenoviçin duhet fituar me çdo kusht. Për këtë trajneri ka ftuar edhe tifozët që të jenë në mbështetje të ekipit në një moment delikat ku kërkohet kthesa.
“Unë i kuptoj edhe tifozët që kanë të drejtë të kenë pakënaqësi karshi këtyre dy javëve, pasi jemi Skënderbeu dhe për ne humbja gjithmonë është e hidhur dhe e papranueshme. Kanë të drejtë të kritikojnë, por nga ana tjetër ju them se kemi nevojë që sot të kemi një atmosferë si ajo ndaj Dinamos. Luajmë në fushën tonë dhe nëse jemi bashkë, do t’ia dalim. Ndaj Kukësit fitorja është detyrim. Normalisht që do të bëjmë kujdes dhe do të marrim përgjegjësitë tona. E kemi përgatitur ndeshjen mirë dhe tani presim të marrim frytet e punës. Nuk do të jetë e lehtë, pasi edhe Kukësi kërkon të reagojë nga kjo nisje jo e mirë që ka pasur. Megjithatë, neve na interesojnë pikët dhe do të hyjmë në fushë me qëllim që të dalim me fitore nga kjo ndeshje”, përfundoi kreu i pankinës korçare, i cili ka rinovuar kontratën me klubin edhe dy sezone të tjera krahas këtij aktual.
LLAZI SARO-PANORAMASPORT.AL