OPINION

Organizata e Kombeve të Ndara!

09:38 - 02.10.23 DR. JORGJI KOTE
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Dihet se OKB-ja u krijua menjëherë mbas përfundimit të Luftës së II Botërore, me synimin strategjik për t’i mbajtur të bashkuara vendet anëtare në gjirin e saj dhe të agjencive përkatëse ndërkombëtare; me qëllimin madhor që mbi bazën e Kartës së saj themelore të shmangeshin tragjedi të ngjashme, dhe të garantoheshin paqja, sigurina, stabiliteti dhe begatia kudo në botë. Mirëpo, vit pas viti, e sidomos duke ndjekur punimet e Sesionit të 78-të të Asamblesë së saj të Përgjithshme të zhvilluara në nivelin më të lartë më 5 – 27 Shtator, shihet se OKB-së i ka mbetur i tillë vetëm emri; ajo ngjan gjithnjë e më shumë si Organizata e Kombeve të Ndara!
Me këtë rast, në median e huaj vazhdojnë shkrimet, diskutimet dhe debatet mbi me gjendjen e mjerueshme në të cilën ndodhet ajo, forumi i saj më i lartë, Këshilli i Sigurimit dhe mungesa e një perspektive/alternative më të mirë.
Ka kohë që sistemi shumëpalësh i marrëdhënieve ndërkombëtare, i mishëruar te OKB-ja dhe filialet e saj të njohura tronditet nga kriza dhe konflikte të shumta dhe serioze, vitet e fundit nga COVID – 19, ndryshimet klimatike, tërmetet, përmbytjet dhe fatkeqësi të tjera natyrore, për të arritur kulmin me agresionin e paprovokuar të Rusisë ndaj Ukrainës vitin e kaluar, përshkallëzimi i rivalitetit midis Kinës dhe SHBA-ve dhe së fundi dalja në skenën botërore e BRICS, si një sfidë e madhe gjeopolitike për SHBA-të, BE-në dhe Perëndimin në përgjithësi.
Ndonëse vitet e fundit, dhe vetë vendet perëndimore, përfshirë SHBA-të e “kanë shkelur” në fushën e diplomacisë shumëpalëshe. Kulmi arriti gjatë Presidencës Trump, kur SHBA-të u larguan nga 10 organizata dhe traktate të rëndësishme ndërkombëtare, ku po rihyjnë tani.
Për pasojë, pranohet gjerësisht se Kryefjala e OKB-së nuk është më “ bashkëpunimi” por “ fragmentarizim” i rendit global. Sidomos Këshilli i Përhershëm i Sigurimit, siç u përmend dhe më lart, është goditur dhe më rëndë mbas agresionit rus të 24 Shkurtit 2022, mbasi kjo shkelje e hapur e Kartës së OKB-së vjen nga një anëtar i përhershëm i KS të OKB-së ndaj një vendi fqinj dhe sovran si Ukraina. Për pasojë, veprimtaria e Këshillit të Sigurimit në përgjithësi është kthyer në rutinë, madje dhe operacionet paqeruajtëse kanë kaluar në plan të dytë; veç kësaj, ka një lodhje nga Perëndimi për ndërhyrje humanitare dhe ushtarake, sidomos pas tërheqjes kaotike dhe dështimit në Irak, Libi dhe Afganistan.
Rrjedhimisht, Këshilli i Sigurimit është reduktuar në një platformë për shpalosjen dhe shkëmbimin e qëndrimeve dhe pozicioneve gjeopolitike, siç ndodhi dhe në Javën e tij të nivelit të lartë, të kryesuar nga vendi ynë si anëtar i tij i Përkohshëm më 20 – 25 Shtator; por ai pothuajse ka pushuar së qenuri organi më i lartë për shmangien dhe parandalimin e konflikteve dhe luftrave në shkallë më të gjerë e sidomos si garant i sigurisë dhe paqes globale.
Zhvillimi më intrigues në OKB në 10 vitet e fundit, mbas ardhjes në pushtet të Xi jinping ëshë dalja e Kinës në skenën botërore me pretendime gjithnjë e më të mëdha gjeostrategjike. Ajo synon të krijojë një kundrapeshë anti-perendimore ndaj G7. Për këtë qëllim ajo ka dalë me disa projekte gjigande, me një program të madh zhvillimi, forcimin e institucioneve të OKB-së ku ajo po lobon fuqishëm, duke krijuar aleanca dhe një shumicë “të rehatshme” brenda OKB-së dhe programe globale për sigurinë ndërkombëtare. Kina synon të ofrojë një model alternativ të një bote “ post- perendimore” Ajo tashmë duket qartë se ka marrë lidershipin e grupimit BRICS, grupimi i madh me 11 vende që pritet të zgjerohet dhe më tej në të ardhmen, si alternativë ndaj G 20 bashkë me G – 77 dhe të ashtuquajturin “Jugu Global”.
Në këtë drejtim, Kina po ndjek strategji të qartë, duke tentuar që në institucionet shumëpalëshe të OKB-së të krijojë një model alternativ ndaj “ hegjemonisë amerikane”. Ajo po shprehet hapur për një “ multilaterizëm real, mbi baza të barabarta. Kina synon siç e ka pohuar vetë, që nëpërmjet OKB-së të kthehet në një “ fuqi të madhe të vetëdijshme për përgjegjësinë e vet”
Ndërkohë, siç nënvizon me të drejtë për median gjermane Peter Wittig, ish ambasador në Londër, Uashington, Nju York dhe tani profesor në Universitetin Georgetown në Uashington, në OKB po vjen duke forcuar vazhdimisht pozitat e veta grupimi i ashtuquajtur “ Jugu Global” i përbërë nga rreth 150 vende në zhvillim, të prapambetura dhe të lëkundura në pozicionet e tyre, të cilat zyrtarisht nuk i takojnë asnjë blloku, por gjithsesi anojnë më shumë nga Kina dhe Rusia. Ndonëse shumica e tyre kanë votuar kundër agresionit rus në Ukrainë, shumë, shumë pak vende nga ai grupim e kanë dënuar hapur atë dhe nuk i janë bashkëngjitur sanksioneve ndaj Rusisë. Kjo ka ndodhur mbasi atyre nuk u intereson shumë se çfarë ndodh në Europë, e cila sipas tyre i ka lënë në baltë dhe se ajo luftë ka ndikime negative në vendet e tyre në drejtim të rritjes së çmimeve të blerjes së drithrave, gazit, naftës, energjisë, etj.
Nga ana tjetër, ato shtete nuk kanë asnjë vend në OKB dhe në agjencitë e saj, sidomos në Bankën Botërore dhe në FMN. Ndaj, mbështetja e tyre dhe në këtë fushë është me rrjedhoja pozitive për vendet perendimore. Ca më tepër se ndonëse të gjithë janë dakord për reformimin dhe zgjerimin e KS të OKB-së, kjo gjë, siç ka treguar përvoja e 20 viteve të fundit pas hedhjes së këtij propozimi pengohet nga vendet anëtare të përhershme, e sidomos Kina dhe Rusia. Edhe Gjermania ka kërkuar, krahas Japonisë, Brazilit dhe Indisë një vend të përhershëm, por tani e sheh se kjo është e pamundur. Ndaj dhe asaj po i sugjerohet të bashkëpunojë më shumë me SHBA-të, Britaninë e Madhe dhe sidomos duke europianizuar vendin e Francës, duke shfrytëzuar emrin e mirë që gëzon në OKB.
Vetëm se në bashkëpunimin me Jugun global do mbajtur pârasysh se vendet perendimore nuk duhet të mbështeten më shumë te vlerat dhe parimet se sa te interesat dhe bashkëpunimi në projekte në fushën ekonomike, infrastrukturë, etj.
Kjo kërkesë bëhet dhe më urgjente kur sheh se dhe pas agresionit rus ndaj Ukrainës, BRICS është bërë dhe më tërheqës për shumicën e vendeve në Afrikë, Azi dhe në Amerikën Latine. Ndonëse të 11 vendet antare dhe shumica e të tjerave që duan t’i bashkëngjiten nuk kanë vendosur sanksione ndaj Rusisë dhe nuk e kanë dënuar agresionin e saj. Në fakt, ato nuk i kanë pritur mirë sanksionet perendimore kundër Rusisë, sepse në këtë mënyrë preken dhe cënohen interesat e tyre ekonomike dhe tregtare jetike të shkaktuara nga turbulenca të shumta në tregjet ndërkombëtare të shoqëruara me rritje të ndjeshme të çmimeve të mallrave ushqimore, drithrave, gazit, energjisë, etj.
Lajmi jo i mirë është se këto vende, përfshirë dhe ato me pluralizëm politik, si Brazili, Argjentina, India dhe Afrika e Jugut nuk e kanë në “ menunë” e tyre politike demokracinë, shtetin e të drejtës, të drejtat e njeriut dhe në përgjithësi standardet perendimore. Dhe nuk pranojnë më mësime apo receta nga askush, as nga SHBA-të. Konflikti më i fundit diplomatik midis Indisë dhe Kanadasë është vetëm një nga shembujt më alarmantë në këtë drejtim dhe me siguri jo i fundit.
Nisur nga këto realitete dhe dukuri, SHBA-ja dhe BE-ja, Gjermania, Franca dhe vende të tjera perendimore duket se po “marrin kthesën e duhur”, duke hequr dorë gradualisht nga kërkesat këmbëngulëse ndaj tyre mbi shtetin e të drejtës dhe në përgjithësi “ diplomacinë misionare” siç njihet në zhargonin diplomatik. Kjo u pa qartë në pritjen madhështore që Biden i ofroi Kryeministrit indian Narendra Modi më 21 – 22 Qershor në Uashington; i vetmi Kryeministër që iu drejtua dy herë radhazi Kongresit amerikan në 7 vite, i pritur me pompë dhe bujë të madhe; vërejtjet për deficitet demokratike Biden ia bëri në intimitet, larg publikut dhe medias. E njëjta gjë u pa dhe në vizitën e Kryeministrit kinez Li Quing në Berlin me rastin e Konsultimeve qeveritare në nivel kryeministror me Gjermaninë dhe praninë në Samitin mbi Paktin global të financimit të vendeve të varfëra të hemisferës jugore në Paris më 19 – 23 Qershor.
Po ashtu, në fushën ekonomike, tregtare dhe investimet ndërkombëtare, SHBA-të, BE-ja, Gjermania, dhe vende të tjera perendimore kanë nisur një ofensivë të gjerë diplomatike në vendet e BRICS. Kështu, janë intensifikuar përpjekjet për përfundimin e Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë MERCOSUR e cila ka 20 vite që zvarritet. Po ashtu, BE-ja, në vend të ideologjizimit dhe demonizimit të nismës kineze “Një brez një rrugë”, po i kundërpërgjigjet me projektin e saj gjigand prej 600 Miliard Euro dhe së fundi, në Samitin e G-20 në Indi në shtator u ra dakord për ndërtimin e një rrjeti gjigand hekurudhor që do të lidhë Indinë, Europën dhe Arabinë, një sfidë e vërtetë ndaj “ Një brez, një rrugë” Po ashtu qeveria italiane parashikon dhe po harton masat përkatëse për largimin nga kjo nismë.
Vendimtare këtu është ndryshimi i sjelljes së Perëndimit ndaj këtyre vendeve të zhgënjyera prej tyre. Sepse ndodh si ajo që përmend ish ministri amerikan i Financave Larry Summers, të cilit në një vend afrikan i kishin thënë se “vlerat tuaja na pëlqejnë më shumë, por ama ne duam dhe rrugë e aeroporte” Ose, siç thuhet në një status të famshëm që tani tregohet në ligjëratat mbi gjeopolitikën “nga Kina marrin aeroporte, ndërsa nga SHBA-të leksione”
Këtë realitet ia shprehu disa muaj më parë dhe Presidenti i Kongos Felix Tschesedeki përpara kamerave Presidentit Macron se “Franca dhe BE-ja duhet të ndryshojnë sjelljen ndaj Afrikës, ta shohin atë ndryshe; të flasin me të jo si më parë, sikur ata kanë gjithmonë të drejtë ndërsa ne jemi gabim”
Së fundi, në vitin 2024 do të jetë Samiti i OKB-së mbi të ardhmen e saj. Gjithsesi, shpresat për reformimin e saj janë të vakta dhe të pakta. Sepse siç u përmend qysh në titull dhe gjatë shkrimit, OKB-ja tashmë mund të përkthehet “Organizata e Kombeve të Ndara” me SHBA-të, BE-në, Perëndimin në përgjithësi dhe nga ana tjetër “Lindja”, Rusia, Kina, Brics dhe Jugu Global. Këto ndarje tani shihen qartë dhe në secilin kontinent, rajon dhe brenda grupimeve më të rëndësishme ndërkombëtare; madje dhe brenda SHBA-ve, BE-së, NATO-s, ca më shumë në Ballkanin Perendimor, sidomos midis Serbisë dhe Kosovës dhe lista vazhdon. Me një fjalë, ndonëse të bashkuara në formë, 193 vendet anëtare të OKB-së sot janë më të ndara se kurrë në vlera, parime dhe interesa të ndryshme dhe krejt tw kundërta, të mbarsura me rreziqe dhe kërcënime serioze për paqen, sigurinë dhe stabilitetin planetar.
E megjithatë, ka një konsensus të gjerë se ky fakt, sado i trishtë, nuk ka pse të çojë në mohimin dhe nënvleftësimin e rolit dhe pranisë së OKB-së dhe Këshillit të saj të Sigurimit. Në fakt, shumica e ekspertëve mendojnë se pavarësisht nga këto dukuri negative, OKB-ja mbetet tribuna më tërësore, bindëse dhe gjithëpërfshirëse për trajtimin e sfidave globale në të gjitha planet. Në fund të fundit, më mirë të kemi një OKB dhe kështu siç është, me plot të çara dhe probleme, se sa pa të dhe Këshillin e saj të Sigurimit, mbasi kështu e keqja do të ishte dhe më e madhe.





Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.