Kronikë

Sherri mes tifozëve të Tiranës dhe Vllaznisë, arrestohen 8 persona, nën hetim 20 të tjerë

10:26 - 08.10.23 a.d
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Një ditë pas incidentit mes tifozëve të Tiranës dhe Vllaznisë në Rrugën e Kombit, policia thotë se ka arrestuar 8 persona, ndërsa për 20 të tjerë ka nisur procedimi penal.




Me anë të një njoftimi zyrtar, policia sqaron se në total u shoqëruan në komisariat 106 tifozë të të dyja skuadrave.

Personat akuzohen për veprat penale “Plagosja e lehtë me dashje”, “Prishja e qetësisë publike” dhe “Shkatërrimi i pronës”, të kryera në bashkëpunim.

Çfarë ndodhi dje?

Vllaznia humbi 0-1 ndaj Tiranës, në takimin e luajtur në Kukës. Pas sfidës, kanë qenë mbështetësit e Vllaznisë që kanë sulmuar tifozët e Tiranës në zonën e  Repsit.

Një prej lojtarëve të Shkodrës pasi zbriti nga autobusi, filloi duke ofenduar mbështetësit e skuadrës kryeqytetase. Më pas, situata u acarua, duke kaluar në gjuajtjen e sendeve të forta dhe përleshja mes palëve u bë e pashmangshme.

Njoftimi i policisë

U konfliktuan fizikisht, në Rrugën e Kombit dhe dëmtuan autobusët me të cilët udhëtonin, shoqërohen në ambientet e Policisë, 106 tifozë të ekipeve të futbollit “KF Tirana” dhe “KF Vllaznia”.

Prej tyre, vihen në pranga 8 tifozë dhe procedohen penalisht 20 të tjerë.

Shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Lezhë dhe ato të komisariateve në varësi të saj, sapo janë njoftuar se në Rrugën e Kombit, tifozët e 2 skuadrave të futbollit në vendin tonë, po konfliktoheshin fizikisht, kanë organizuar punën dhe kanë mbërritur menjëherë në vendngjarje, ku kanë bërë të mundur identifikimin dhe shoqërimin në ambientet e Policisë të 106 tifozëve (nga të dyja ekipet) të përfshirë në konflikt.

Në vijim të veprimeve procedurale për paligjshmëritë e kryera (konflikt fizik dhe dëmtim të autobusë me të cilët udhëtonin), u arrestuan në flagrancë shtetasit: K. X., 20 vjeç, K. Z.,18 vjeç, R. M., 18 vjeç, I. A., 18 vjeç, K. D., 38 vjeç, R. L., 18 vjeç, F. K., 18 vjeç dhe F. Sh., 20 vjeç.

Gjithashtu, janë referuar materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për 20 tifozë të tjerë, nga të dyja ekipet.

Ndërkaq, tifozët e tjerë të shoqëruar, në përfundim të veprimeve procedurale, janë lënë të lirë.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkalles së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Plagosja e lehtë me dashje”, “Prishja e qetësisë publike” dhe “Shkaterrimi i pronës”, të kryera në bashkëpunim.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.