AKTUALITET

Ja si Serbia mund të sabotojë planet për zgjerimin e ri të Bashkimit Europian në Ballkan

17:30 - 13.11.23 E.D
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Asnjë vend nuk është anëtarësuar në Bashkimin Europian që nga hyrja e Kroacisë në vitin 2013. Por gjykuar nga rekomandimet e të mërkurës së kaluar të Komisionit Europian, mund të thuhet se ekziston vërtet një vrull i ri pas projektit deri dje të ngecur të zgjerimit të BE-së.




Brukseli propozoi hapjen e bisedimeve të anëtarësimit për Ukrainën, Moldavinë dhe Bosnje Hercegovinën dhe bërjen e Gjeorgjisë një kandidate për anëtarësim, një fazë kjo më e hershme e procesit të integrimit. Disa fjalë të përzgjedhura me kujdes, e nxjerrin në pah këtë nismë të re.

Të gjithë anëtarëve të mundshëm – përfshirë 6 shtete të Ballkanit Perëndimor, por me shumë gjasa jo Turqia – u kujtohet se duhet të zbatojnë reformat politike, ekonomike dhe administrative të nevojshme që të bëhen të përshtatshme për pranimin në gjirin e familjes europiane.

Por në përgjithësi mesazhi është i qartë: zgjerimi i Bashkimit Europian është i dëshirueshëm, madje i nevojshëm, për shkak të rreziqeve me të cilat përballet Europa pas pushtimit të plotë të Ukrainës nga ana e Rusisë që në shkurtin e vitit 2022.

Megjithatë, nëse i hidhni një sy raporteve individuale të vendeve në analizën e përvitshme të Komisionit Europian dhe tabloja rezulton të jetë shumë më e paqartë. Asnjë vend aspirant nuk është pranë përmbushjes së të gjitha kritereve të anëtarësimit për sa i përket demokracisë, sundimit të ligjit dhe standardeve ekonomike.

Një shembull i qartë është Serbia, kandidatja më e madhe në Ballkan për nga popullsia dhe territori. Ajo po bën shumë pak për të zgjidhur mosmarrëveshjet e saj me Kosovën, shtetin me shumicë shqiptare, që e shpalli pavarësinë nga Beogradi në vitin 2008. Politika e saj e jashtme nuk ka bërë mjaftueshëm për të qenë në një linjë me atë të BE-së, sidomos për shkak të afërsisë së Beogradit me Moskën. Po ashtu, Serbia ka shënuar një përparim të kufizuar në adresimin e problemeve të ndjeshme si lufta ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Pavarësia e medias në këtë vend është shumë e dobët. Në fakt, Komisioni Evropian do të ishte justifikuar të përdorte një gjuhë edhe më të ashpër ndaj qeverisë serbe. Mosmarrëveshja me Kosovën, përbën një pengesë të madhe për hyrjen e Serbisë në Bashkimin Evropian. Por jo më pak serioze është çështja nëse presidenti Aleksandar Vuçiç dhe partia e tij, Partia Progresive Serbe, janë të sinqertë në lidhje me dëshirën për t’iu bashkuar bllokut që aktualisht përbëhet nga 27 vende.

Një lexim më realist i politikave aktuale të Serbisë, sugjeron se objektivi kryesor i elitës në pushtet, është thjesht që të qëndrojë sa më shumë në pushtet, duke e kufizuar me çdo mënyrë opozitën politike, duke kontrolluar gjyqësorin, aparatin e sigurisë, sektorin publik dhe median përmes mjeteve që sfidojnë vlerat themelore të BE-së.

Synimi i dytë është të ruhet një nivel pavarësie në vendimmarrje për Serbinë, duke i dhënë mundësinë të mbajë marrëdhënie të ngushta politike dhe ekonomike me Rusinë dhe Kinën. Po ku e kanë çuar Beogradin politika të tilla?

Në korrik të këtij viti, SHBA-ja njoftoi vendosjen e sanksioneve ndaj Aleksandar Vulin, drejtuesit të Agjencisë së Sigurisë Shtetërore të Serbisë, njëherazi një bashkëpunëtor i ngushtë i Vuçiç. Arsyeja kryesore është përfshirja e tij e dyshuar në krimin e organizuar ndërkombëtar, trafikun e drogës, lidhjet me Rusinë, por edhe për “promovimin e narrativave etno-nacionaliste që nxisin paqëndrueshmëri në Serbi dhe rajon”.

Kjo akuzë ndaj Vulin, që dha dorëheqjen në fillim të këtij muaji, i referohet shfaqjes nën sundimin e Vuçiç të konceptit të “Srpski Svet“, ose Botës Serbe – që të kujton promovimin nga presidenti rus Vladimir Putin të “Russky Mir“ (Botës Ruse).

Moska dhe Beogradi pretendojnë se kanë të drejtë, madje edhe për detyrë që të “mbrojnë” rusët dhe serbët etnikë që jetojnë jashtë shtetit amë. Në Ukrainë, kjo tezë shërben si një justifikim për Vladimir Putinin për aneksimin e territoreve që ai i konsideron si pjesë të “botës ruse”.

Për Serbinë, kjo nënkupton se jo vetëm Kosova, por edhe Mali i Zi dhe Republika Srpska, pjesa e banuar nga serbët e Bosnje Hercegovinës, duhet të jenë pjesë e një sfere politike të Serbisë së Madhe. Synime të tilla, janë tërësisht të papajtueshme me anëtarësimin në Bashkimin Europian.

Por problemet nuk përfundojnë këtu. Këtë muaj Aleksandar Vuçiç e shpërndau parlamentin serb dhe shpalli zgjedhjet e parakohshme, të cilat do të mbahen në dhjetor me synim zgjatjen e qeverisjes së partisë së tij. Është e sigurt se procesi nuk do të jetë më i drejtë sesa zgjedhjet e fundit që u mbajtën në prillin e vitit të kaluar, për të cilat monitoruesit e pavarur thanë se favorizuan pushtetarët.

Brukseli meriton të vlerësohet për ecjen përpara me planet e zgjerimit të BE-së. Por në Serbi procesi i integrimit është në ngërç, dhe po e humbet besueshmërinë. Ky fakt, hedh hije të forta dyshimi nëse këto plane do ta zgjidhin problemin e prapambetjes demokratike dhe destabilitetit rajonal në Ballkan.

Burimi: Financial Times


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.