


Bëhet fjalë për 7 Tetorin e këtij viti, kur bandat terroriste të Hamasit të nisura nga Rripi i Gazës bënë reprezalje, vranë 1200 civilë të pafajshëm, plagosën qindra të tjerë si dhe muarën e mbajnë ende peng 240 civilë të pafajshëm. Me të drejtë konsiderohet ”11 shtatori i Lindjes së Afërme” jo vetëm se ka shkaktuar mbi 11.000 viktima civilë të pafajshëm, ndërmjet tyre shumica gra dhe fëmijë; por, mbi të gjitha, për pasojat e shumta në gjeopolitikën planetare, për shkak të rëndësisë strategjike të këtij rajoni për paqen, stabilitetin dhe sigurinë në gjithë botën.
Për pasojë, ky 7 tetor e ka bërë dhe më shpërthyes rebusin gjeopolitik në atë zonë, ku janë të pranishëm dhe aktivë shumë aktorë/faktorë madhorë politikë, ekonomikë dhe ushtarakë me një gjeografi planetare. Ndryshe nga lufta ndaj ISIS, ku në përgjithësi pati një kohezion mbarëbotëror, zgjidhjen e lëmshit të sotëm gjeopolitik e pengon pikërisht mungesa e një fronti unik ndërkombëtar për shkak të përçarjeve të brendshme dhe të jashtme, parimeve dhe interesave të kundërta e të papajtueshme brenda, jashtë dhe midis tyre. Nga njera anë Perëndimi – SHBA-të, BE-ja me vendet anëtare ndërsa nga ana tjetër vendet arabe, Kina, Rusia, BRICS, Irani, e natyrisht Izraeli dhe Autoriteti Palestinez.
Për t’ia lehtësuar punën lexuesit, me avantazhin që më jep përvoja e gjatë diplomatike, më poshtë po japim një tabllo të përmbledhur të këtij rebusi, duke u ndalur, me aq sa e lejon vendi, te aktorët kryesorë ndikues, ku mund të gjinden dhe ” psetë” e vështirësive në realizimin e paqes së qëndrueshme.
Le ta fillojmë nga kontinenti ynë, me rolin dhe ndikimin e BE-së dhe vendeve të saj më të mëdha anëtare, të cilat më parë kanë qenë më aktive në atë rajon. Madje, dy dekada më parë BE-ja kishte të Dërguar të Posaçëm në Lindjen e Mesme, ish ministrin e jashtëm spanjoll Miguel Moratinos dhe më vonë ish Kryeministrin britanik Blair dhe të tjerë. Padyshim është kontribuesja më e madhe me ndihma ekonomike dhe humanitare për Palestinën me 1,1 miliard Euro. Mirëpo vitet e fundit, siç e pohoi këto ditë Përfaqësuesi i saj i Lartë, Borrrell, BE-ja ia la në dorë SHBA-ve, meqenëse dukej qartë se nuk i kishte ” këllqe ” sidomos pas dështimit të Pranverës Arabe, ku ajo u investua shumë.
Plani i Paqes i propozuar më 13 nëntor nga vetë Borrell është hapi i parë, tejet i vështirë dhe pa shumë shpresa, duke ditur dobësitë dhe ndarjet brenda BE-së. Me shumë mundime, në pamundësi të konensusit për armëpushim, në takimin e tyre më 13 nëntor, ministrat e jashtëm ranë dakord për krijimin menjëherë të një pauze dhe korridori humanitar për t’i ardhur në ndihmë popullsisë në Rripin e Gazës.
Ndërkohë, Spanja ka ndërmarrë nismën për një Konference paqeje, nisur nga tradita që ajo ka patur dhe 32 vite më parë. Mirëpo, ekspertët pohojnë se kjo është thjesht një shashkë zgjedhore pa efekte praktike e Kryeministrit Sançez, më tepër për qëllime politike që të sigurojë partnerë për krijimin e një koalicioni të ri qeveritar. Edhe Franca po bën përpjekje, siç ndodhi në Forumin e Paqes më 11 – 12 nëntor në Paris. Mirëpo për shkak të ”kusureve” në Pranverën Arabe, ajo nuk ka besueshmërinë e duhur. Dhe kritikat e Macron ndaj Izraelit lidur me përdorimin e forcës ndaj civilëve në Gaza, Netianahu i hodhi poshtë me gjuhë të drunjtë.
Ndërsa Gjermania, e cila ka trashëgimi negative me Holokaustin dhe për shkak të traditës së mëpastajme pro shtetit të Izraelit, krahas të tjerash, shpalli një ndihmë tjetër prej 38 milion Euro për Palestinën. Gjithsesi, BE-ja nuk mund të bëjë më shumë se sa të shpërndajë ndihma humanitare dhe të bëjë deklarime e vizita politike. Sepse ajo ka mbetur ”gjigand ekonomik, por xhuxhmaxhuxh politik”.
Në Perëndim, problemi tjetër i madh është ndarja e opinionit publik në vendet Europiane, dukshëm në favor të Palestinës. Shfaqjet anti-semitiste në 4 javët e fundit janë trefishuar në Gjermani, por dhe në Francë, Britani dhe gjetkë. Madje dhe liderja e lëvizjes klimatike ”E Premtja për të ardhmen” Greta Thunberg doli hapur në një protestë publike kundër Izraelit në mbështetje të Palestinës, duke e çuar drejt çmontimit lëvizjen që tani e stigmatizojnë si” E premtja pa të ardhme”.
Duke kaluar te SHBA-të, mbas 7 Tetorit jemi dëshmimtarë të një rikthimi të fuqishëm të Administratës amerikane në atë rajon. Pas Presidentit Biden në vizitën e tij blitz, brenda një muaji ishte tri herë në rajon dhe Sekretari i Shtetit Blinken, veç masave të tjera ushtarake. Mirëpo, siç pohojnë shumë ekspertë dhe politologë, roli i SHBA-ve në rajon është dobësuar ndjeshëm. Vitet e fundit, sidomos gjatë presidencës Trump dhe doktrinës politike të Presidentit Biden kundër ” luftave të përhershme” Lindja e Mesme u la në plan të dytë, duke e spostuar vëmendjen nga Kina dhe më vonë te Rusia. Për fat të keq, nga ” polic ndërkombëtar” dikur, vitet e fundit SHBA-të kanë qëndruar ” në stol”, duke u lënë fushë të lirë veprimi forcave ekstremiste që mbizotërojnë atje, Hamasit, Iranit, Hisbollahut, etj, të cilët, si të thuash ”kanë gjetur shesh dhe kanë bërë përshesh”
Veç kësaj, gjatë presidencës Trump u ndoq strategjia e gabuar për të krijuar stabilitet dhe marrëdhënie të mira e pajtim ndërmjet Izraelit dhe vendeve të tjera përreth me të ashtuquajturat ”Marrëveshje Abrahams” por duke e anashkaluar dhe injoruar Palestinën dhe ”politikën e dy shteteve”. Në këtë kuadër, në shtator 2020, Ish Presidenti Trump i ofroi Palestinës në këmbim 50 miliard Euro, çka u kundërshtua nga Presidenti Abbas i cili tha se ”Palestina nuk është në shitje”.
Kjo ishte pasojë e teorisë së gabuar që u ndoq dhe ndaj Rusisë e Serbisë, me idenë naive se me nxitjen e tregtisë dhe bashkëpunimit ekonomik do të zgjidhen problemet historike dhe politike, do të bëhet afrimi dhe pajtimi i tyre, edhe pse toka dhe terreni atje ishte dhe mbetet i minuar dhe i helmuar. Duke injoruar faktin se në thelb të konfliktit izraelito-palestinez apo dhe Prishtinë – Beograd nuk janë tregtia dhe ekonomia, por sfondi dhe konfliktet historike dhe politikat e gabuara.
Gabimi tjetër serioz i SHBA-ve dhe BE-së ishte ”mbyllja e njerit sy” ndaj akteve ekstremiste të Izraelit, edhe kur ai shkelte me të dyja këmbët” rezolutat e KS të OKB-së, injoronte Perëndimin, shtonte vendbanimet e paligjshme në Gaza, etj.
Për pasojë, SHBA-ve tashmë duhet të veprojnë në rrethana dhe terrene shumë më të pafavorshme. Kjo u pa qartë gjatë vizitës së Presidentit Biden në rajon, kur Egjipti dhe Jordania e ”pritën me këmbët” e para pa pranuar as zhvillimin e samitit.
Ndërkohë, Perëndimi ka përballë shumë shtete dhe blloqe të lëkundur dhe kundërshtarë, çka ia vështirëson së tepërmi punën. Duke filluar nga Turqia, aleat dhe aktor madhor perendimor dhe tejet i rëndësishëm në rajon, simpatizant i kahershëm i Palestinës. Gjithsesi kohët e fundit ajo dukej se i kishte sheshuar dhe marrëdhëniet me Izraelin pas disa turbulencave të njohura politike. Mirëpo, pikërisht atëhere kur mendohej se Ankaraja mund të shërbente si ndërmjetësues për ” të ftohur gjakrat”, duket se po i ” hedh benzinë zjarrit” duke marrë në mbrojtje Hamasin dhe duke e cilësuar si çlirimtar, ndërsa Izraelin si fashist! Në fakt, kohët e fundit, Turqia ka dalë hapur në disa aspekte gjeopolitike si sfidues ndaj SHBA-ve dhe Perëndimit, duke deklaruar e bërë të kundërtën e tyre. Mesa duket dhe kjo është pjesë e diplomacisë së Ankarasë, duke përfituar nga shërbimet e saj gjeopolitike me Rusinë, Sirinë, zgjerimin e NATO-s me Suedinë dhe Finlandën, etj.
Padyshim që blloku më sfidues në këtë drejtim për Perëndimin mbetet BRICS dhe i ashtuquajturi ”Jugu Global” me rreth 150 shtete, që në përgjithësi janë kundër Izraelit dhe në favor të shtetit palestinez, megjithëse formalisht e kanë dënuar Hamasin. Javën e kaluar, 123 shtete të atij grupimi, përfshirë Brazilin dhe Indonezinë miratuan një rezolutë të favorshme për Palestinën.
Të mos harrojmë pastaj Libanin ku është është Hizbollahu i mbështetur fuqimisht nga Irani, ky i fundit me planet dhe kërcënimet e tij tejet të rrezikshme luftënxitëse.
Mbi të gjitha, Rusia dhe Kina që ndonëse hiqen si asnjanjëse ”fërkojnë duart” nga gëzimi, sepse kështu shpërndajnë vëmendjen perendimore ndaj tyre në një rajon të nxehtë ku dihet se” kur hyn, por jo se kur dhe si del.” Ndonëse hiqen te gatshme për ndërmjetësim, interesi i tyre është natyrisht zgjatja pa kufi e konfliktit atje.
Për pasojë, këto përplasje dhe mosmarrëveshje po pasqyrohen dhe në OKB, e cila po tregon sërish paaftësinë e saj për menaxhimin e gjendjes, le më pastaj si garante e sigurisë dhe paqes. Më 15 nëntor, Këshilli i Sigurimit miratoi mes shumë debatesh rezolutën mbi krijimin e korridoreve disaditore për qëllime humanitare. Ndonëse detyruese, Izraeli thotë se nuk do ta zbatojë atë rezolutë, sepse u shërben miliantëve të Hamasit. Në vazhdën e pakënaqësive ndaj OKB-sw, Tel Avivi ka kërkuar dhe dorëheqjen e Sekretarit të saj të Përgjithshëm, Antonio Gueterres.
Sigurisht që në këtë katraurë të rrezikshme ka përgjegjësi të madhe Izraeli me qeveritë e tij dhe në veçanti Kryeministri i tanishëm Netianahu, i cili ka drejtuar me dorë të hekurt në 10 vitet e fundit. Brenda vendit, ai ka dëmtuar seriozisht kohezionin politik dhe social, me demarshet anti-demokratike sapo rierdhi në pushtet mbas disa palë zgjedhjesh të parakohshme, duke sulmuar pavarësinë e drejtësisë dhe gjyqësorit; duke provokuar protesta masive kundër tij. Madje dhe tani, sipas sondazheve, 4/5 e e izraelitëve kërkojnë largimin e tij, si përgjegjësi kryesor për humbjen e vigjilencës dhe thyerjen e mitit të mbrojtjes së vendit, por kjo është çështje kohe. Ndërkohë, Netianahu tregoi miopi të pafalshme politike, duke nënvleftësuar rrezikun nga Hamasi, me mendimin se nuk do ta sulmonte Izraelin. Po ashtu, ai vazhdonte zgjerimin e vendbanimeve në Rripin e Gazës dhe nuk pranonte asnjë lëshim ndaj Palestinës, duke e dobësuar atë dhe duke forcuar indirekt krahun ekstremist të Hamasit. Dhe plot veprime të tjera të kritikueshme, duke përfshirë murin ndarës 708 km të gjatë në Bregun Perendimor, i denoncuar dhe ndërkombëtarisht si kopje e shëmtuar e Murit të Berlinit!
Ndaj, Netianahu vazhdon të kritikohet brenda dhe jashtë vendit, duke ngjallur mosbesim në një zgjidhje afat-gjatë me të në krye të Izraelit. Këtë e pohoi në një intervistë më 31 tetor dhe ish sekretari i përgjithshëm i NATO-s dhe BE-së, Javier Solana i cili ishte tejet aktiv në fillimin e viteve 2000 me diplomacinë e tij të ”ecejakeve” në Lindjen e Mesme, duke pohuar se ”Netianahu është politikani më i keq dhe pa ikur ai nuk mund të ketë paqe në atë rajon”
Në këtë lëmsh ka padyshim gjynahet e veta dhe Autoriteti Palestinez në Rramallah. Brenda tij, me një apathi, mungesë të theksuar vizioni dhe lëvizjesh politike dhe diplomatike; qysh më 2007 kur humbi dhe zgjedhjet në Rripin e Gazës, mes akuzash të shumta dhe për korrupsion, duke bërë që pushtetin ta merrte e të mos e lëshonte Hamas me gjithë të pabërat e tij. Nga ana tjetër, Autoriteti Palestinez është treguar refraktar, jo bashkëpunues me aleatët tanë, me paragjykime, me një një mungesë të dukshme të lidershipit aktiv ose shkurt ”as mish as peshk”.
Nisur nga sa sipër, secili mund ta imagjinojë se sa e vështirë është dhe vetë frenimi i përshkallëzimit të mëtejshëm të situatës, le pastaj gjetja dhe zbatimi i një zgjidhjeje të qëndrueshme, e cila do të kënaqte të gjitha palët e lartpërmendura. Gjithsesi, edhe pse për këtë do të duhen vite, për të mos thënë dekada të tëra demarshesh diplomatike, thelbi i kësaj zgjidhjeje mbetet pranimi dhe realizimi i politikës ” së dy shteteve” bashkë me krijimin e masave të besimit dhe sigurimit ndërmjet Izraelit dhe Palestinës, shmangien e dhunës dhe vendosjen e Rripit të Gazës, krahas bregut Perendimor nën administrimin e shtetit të ardhshëm të Palestinës. Gjithashtu, siç deklaroi dhe Presidenti Biden, mbas qetësimit të gjendjes, Izraeli duhet detyrimisht të largohet nga Gaza.
Mirëpo, nisur nga dobësitë e mëdha qeverisëse të Autoritetit Palestinez, nëse dhe kur t’i jepet nën administrim Rripi i Gazës, mesa duket po fiton terren ideja e vendosjes së një administrimi dhe mbikqyrjeje ndërkombëtare si në rastin e Kosovës. Po ashtu, për Izraelin ka shumë rëndësi krijimi i një klime dhe mjedisi më të pranueshëm, më miqësor, me garanci për sigurinë e tij, heqja dorë e shfaqjeve të anti-semitizmit kudo ku vërehen dhe bashkëjetesa paqësore mes dy shteteve.
Mirëpo, nisur nga grindjet dhe mosmarëveshjet brenda vetë kampit perendimor dhe me blloqet e tjera, ky do të jetë një proces i gjatë dhe i mundimshëm. Ajo që ka rëndësi tani është frenimi i dhunës, siguria e jetës njerëzore, funksionimi i jetës normale në Gaza e gjetkë dhe krijimi i kushteve për armëpushim. Të tjerat, duke parë e duke bërë, sepse dhe strategjia më e përkryer vështirë se do të ” pinte ujë”.