


Shqipëria është një nga vendet më të pasura në Europë për burimet ujore për frymë. Kapaciteti aktual i burimeve tona ujore të ujit të pijshëm, i tejkalon me 3 herë nevojën që ka vendi për ujë. Por trashëgimia i një sistemi jo të mirë të sjelljes së ujit në shtëpitë tona, keqadministrimi, indiferenca, abuzimi kanë qenë jashtëzakonisht të rënda në afër 30 vjet dhe furnizimi ynë me ujë nga sistemi publik mbart ende probleme të mëdha. Edhe pse ky sistem i sotëm i furnizimit me ujë të pijshëm prodhon 28 përqind më shumë ujë, sesa është nevoja për furnizim, mbi 70 përqind e qytetarëve nuk merr ujë 24 orë në 24! Problemi qëndronte tek shumica e të 58 ndërmarrjeve të ujësjellës-kanalizimeve në 61 bashkitë e vendit. Ato vijonin të kishin tregues të dobët, si teknikë, ashtu edhe financiarë, duke ofruar cilësi të ulët shërbimi për popullsinë dhe bizneset, madje duke ia pamundësuar ofrimin e shërbimeve popullsisë më të cenueshme, në zonat periferike dhe rurale të vendit. Kemi periferi qytetesh dhe fshatra të tëra, që nuk kanë sistemet e duhura të furnizimit me ujë, madje kemi edhe mungesë tubacionesh e kanalizimesh. Akoma, për fat të keq, rreth 20 përqind e popullsisë rurale nuk mbulohet nga rrjeti i tubacioneve të ujësjellësve. Shumica e shoqërive të ujësjellësve, 37 nga 58 prej tyre, deri pak vite më parë, vareshin thuajse tërësisht nga fondet e qeverisë qendrore. Përballë kësaj gjendjeje, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë nisi një reformë të thellë të furnizimit me ujë në vitin 2022. Ky plan reforme tërhoqi besimin e Bankës Botërore dhe të Sekretariati Shtetëror Zviceran për Çështjet Ekonomike (SECO). Më 13 maj 2022, Bordi i Drejtorëve i Bankës Botërore vendosi një financim për reformën e ujit në Shqipëri, që përfshin një hua të butë prej 75 milionë dollarë amerikanë dhe një grant(fond dhurate) prej 6,3 milionë dollarë amerikanë, të financuar nga SECO zviceran. Këto ditë, në një projektligj të hedhur në konsultim publik nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë “Për sektorin e furnizimit me ujë të pijshëm, largimit, grumbullimit dhe trajtimit të ujërave të ndotura urbane”, kjo ministri ofron 3 mundësi(alternativa) për të përmirësuar gjendjen e këtij sektori, ku një prej tyre është edhe mundësia e dhënies me koncesion të ujësjellësit. Është njëra nga mundësitë, sikurse e kanë edhe të gjitha sistemet e sjelljes së ujit të pijshëm të rajonit dhe më gjerë në Evropë. Nuk është se të 15 shoqëritë rajonale të ujësjellësit do të privatizohen me një të rënë të lapsit që sot. Jo! Por mundësia(alternativa) që, pas një studimi të menduar dhe përgatitur mirë, një ofrues i interesuar privat, i cili plotëson disa kushte, të mund të lejohet(t’i jepet me koncesion e drejta), i vëzhguar mirë, që t’i ofrojë ujin e pijshëm dhe me cilësi një zone të vendit, nuk ka pse të mos jetë në tryezën e zgjidhjeve. Plani është ambicioz, por a do të çojë kjo në rritjen e çmimit të ujit të pijshëm për qytetarët, kur ata kanë ende depozita, poshtë apo mbi pallate? Jo! Kurrsesi jo. Me këtë projektligj, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe Agjencia Kombëtare e Ujësjellës-Kanalizimeve(A KUM) kërkojnë të menaxhojnë më mirë shoqëritë rajonale të krijuara të ujit, duke u dhënë tre mundësi. E para, përmes kontratave të performanës, të lidhura mes AKUM dhe bashkive përkatëse. Këto kontrata përcaktojnë treguesit, që do të arrihen në bazë vjetore, nga ish-ndërmarrjet e mëparshme të ujësjellës-kanalizimeve. Në rast se në një ose në dy vjet, këta tregues nuk përmbushen, ndërmarrjet e ujësjellës-kanalizimeve nuk do të qëndrojnë duarkryq, duke pritur para vetëm nga pushteti qendror dhe duke vijuar të krimben në borxhe me OSHEE-në dhe tatimet, por do të kenë mundësinë, ose të jepen me koncesion, ose, kur nuk kanë asnjë shpresë, të drejtohen nga struktura që në projektligj quhet operatori i alternativës së fundit, kryesisht strukturë shtetërore, që do të menaxhojë ish-ndërmarrjen problematike të ujësjellës-kanalizimeve në gjendje emergjence, derisa të kalohet në një zgjidhje tjetër. Kjo është e vërteta e ujësjellësave super të shtrenjtë me koncesion, që po trumbetohen pa asnjë bazë, se me këtë projektligj të kthyer në ligj, do të mbështjellin, si metastazat e kancerit, trupin e Shqipërisë. Ujësjellës me koncesion kanë të gjitha vendet e rajonit. Ato janë struktura të mbikqyrura mirë dhe të mirërregulluara ligjërisht. Të tillë do të jenë ujësjellësit me koncesion edhe tek ne, nëse do të kemi të tillë, si një zgjidhje ligjore që do ta kemi edhe ne, por jo dukë rënduar tarifën e ujit mbi qytetarët.