


Susana Jamaladinova, një ukrainase me origjinë tatare të Krimesë e njohur profesionalisht si Jamala, është në listën e të kërkuarve të Rusisë, njoftuan agjencitë shtetërore të lajmeve RIA dhe TASS të hënën.
Ministria e Punëve të Brendshme akuzon fituesen 40-vjeçare të Eurovizionit për diskreditim të ushtrisë së Moskës, raportoi uebfaqja ruse e lajmeve Mediazona. Faqja tha se Moska e vendosi Jamalën në listën e të kërkuarve në tetor dhe në nëntor këngëtarja u arrestua në mungesë nga një gjykatë ruse.
Jamala, një kritike e zëshme e pushtimit nga Rusia të gadishullit të saj të Krimesë dhe pushtimit të Ukrainës, fitoi Konkursin e Këngës në Eurovizion në vitin 2016 me këngën “1944”, e cila ka të bëjë me dëbimin dhe spastrimin etnik të rreth 200,000 tatarëve të Krimesë të kryera nga autoritetet sovjetike, në maj 1944.
Jamala, e cila aktualisht është në një turne për rritjen e fondeve dhe ndërgjegjësimit në Australi, reagoi ndaj lajmit duke postuar një story në Instagram, jashtë Operës së Sidneit, me një emoji në fytyrë.