Pesë vjet më parë (19 nëntor 2018), kur sapo kishte festuar 75-vjetorin e ditëlindjes, u nda nga jeta Sulejman Dibra, aktori i 100 roleve të interpretuara në më shumë se pesë dekada në skenën e teatrit dhe në kinematografinë shqiptare.
Nga spektatorët e Teatrit Kombëtar të para viteve ’90 (si dhe nga teleshikuesit) ai njihet si “Arturio Ui” i Bertold Brehtit, Borovski tek filmi “Për ata që janë në dete”, Cubeli, tek “Duke gdhirë viti ’45”, Arbeni tek “Dimri i fundit”, Stefani tek “Studentja e vitit të fundit” apo dhe Aleksi tek “Sinjali i kuq”. Me këtë galeri tipash e karakteresh Sulejman Dibra renditet ndër interpretuesit me mjeshtri të lartë artistike.
Gjithsesi, do t’i duheshin më shumë se pesë dekada në skenën e Teatrit dhe në kinematografi, interpretuesit të 100 roleve, për t’u vlerësuar më në fund në vitin 2006 me Titullin “Artist i Merituar”. Sulejman Dibra ka lindur më 9 shtator të vitit 1943 në qytetin e Shkodrës. Këtu kreu arsimin bazë për të vijuar më pas studimet në Akademinë e Arteve. Pasi mbaroi arsimin e lartë në degën e aktrimit (Akademia e Arteve), më 1967 emërohet si aktor pranë teatrit “Migjeni” në Shkodër, ku ka interpretuar në skenë mbi 10 figura artistike, përkrah artistëve më të mirë, si Tinka Kurti, Lec Bushati, Roza Anagnosti etj.
Dy vite përvojë mes artistëve më të njohur të Shkodrës-djep i kulturës sonë kombëtare, do t’i shërbenin S.Dibrës për të ecur vrullshëm dhe mjaftë cilësisht në karrierën e tij si aktor. Kështu, nga viti 1969 nis karrierën më të bukur artistike në Teatrin Kombëtar, si aktor dhe regjisor, krahas kolosëve të artit skenik shqiptar Kadri Roshi, Naim Frashëri, Sulejman Pitarka, Sandër Prosi, Ndrekë Luca etj..
Si një ndër aktorët e pëlqyer në 70 shfaqje është ndjekur me shumë brohoritje nga spektatorët. Deri në vitin 1979 (pas dhjetë vitesh në Teatrin kombëtar) bilanci i këtij aktori me talent të rrallë njeh mbi 40 role. Po gjatë këtij harku kohor prej një dekade në Teatrin Kombëtar, në Akademinë e Arteve, në Estradë, në Radiotelevizion dhe grupe amatore të kryeqytetit ka vënë me sukses me dhjetëra premiera si regjisor. Në memorien e spektatorit kryeqytetas të atyre viteve ruhen të freskëta shfaqjet e realizuara nga regjisori mjaftë kualitativ S.Dibra, si “Gërsheta lufte”, “Doktori pacient, “Këneta”, “Fisheku në pajë”, “Rrumpallë show”/// e “Modeli në estradë”, premiera këto me të cilat ka fituar çmime të para, të dyta e medalje.
Ka xhiruar gjithashtu dy filma me metrazh të shkurtër “Një nuse nga jashtë” dhe “Ec Manjola”. Por, krahas interpretimit me nivel të lartë artistik të dhjetëra roleve në teatër, si dhe vënies së disa pjesëve teatrale si regjisor, S.Dibra vlerësohet edhe si pedagogu me talent të rrallë, ku nga viti 1970 deri më 1984 ka dhënë leksione në Akademinë e Arteve, në degën e aktrimit e të regjisurës (si pedagog i jashtëm).
JETA SKENIKE
Jeta skenike e S.Dibrës u ndërpre disi në vitin 1979, pasi u emërua drejtor i Teatrit të Estradës të Tiranës, të cilën e drejtoi me mjaft sukses për 11 vjet me radhë. Janë pikërisht këto vite kur Estrada profesioniste e kryeqytetit njeh arritje kulmore. Kjo për faktin U vlerësua vetëm në vitin 2006 me titullin “Artist i Merituar” Kur Sulejman Dibra interpretonte Arturo Ui në Teatrin Kombëtar 80-vjetori i lindjes dhe 5-vjetori i ndarjes nga jeta, si u la në harresë aktori i 100 roleve në teatër dhe kinematografi se spektatori i mban mend spektaklet në Pallatin e Sportit, ndërkohë që sallat ku biletat kërkoheshin me autorizim mbahen mend për recitalet e këngëtarëve apo varietete e larmishme e plot humor.
Pa dyshim që këto suksese, përveçse kolosëve të humorit kryeqytetas e këngëtarëve të mirënjohur të kësaj trupe, i dedikohen ish-drejtorit të talentuar e virtuoz, Sulejman Dibra. Dhe jo vetëm kaq, aftësitë drejtuese dhe organizative të S.Dibrës do të evidentoheshin edhe në pragun e ndërrimit të sistemeve, kur nga viti 1989 deri më 1999 do të drejtonte me kompetencë e profesionalizëm, për pesë vite Cirkun e Tiranës dhe për pesë vitet tjera Teatrin Kombëtar.
Pikërisht në këto vite të shndërrimeve të mëdha strukturore, Sulejman Dibra do të vijonte punën me përkushtim për t’i përafruar ato me institucione të standardeve ndërkombëtare. Si drejtor i Teatrit Kombëtar deri më 1999 do të ndikonte në plotësimin e kërkesave legjitime të artistëve, që ata të ndjeheshin sadopak të vlerësuar si kolegët e tyre në teatrot e vendeve të Perëndimit.
Me të njëjtin ritëm dhe performancë pozitive punoi si udhëheqës artistik në Qendrën Kulturore Tirana, deri sa doli në pension, duke shënuar vetëm arritje produktive dhe cilësore.
AKTRIMI
Ky mjeshtër i aktrimit ka bilanc mjaftë pozitiv edhe në kinematografinë shqiptare, me mbi 30 role të interpretuara prej tij, si “Punëtori i papunë” te “Portokajt”, ku edhe ka fituar çmimin për arritje cilësore, ndërkohë që nga teleshikuesit mbahet mend edhe për rolet “Kasketa” te “Operacion zjarri”; “Bolla e zezë” tek “Njësitet Guerrile”; “Gështenjapjekësi” tek “Qortimet e vjeshtës”; “drejtori” tek “Tinguj lufte”; “gjenerali” tek “Nëntori i dytë”; “hetuesi” tek “Njerëz dhe fate” e shumë role të tjera.
Në tërësi, mbi 100 role të ndryshme të interpretuara me mjaft mjeshtëri në Teatrin Kombëtar dhe në kinematografi e bëjnë “Artistin e Merituar”, Sulejman Dibra, një figurë të dashur e të paharruar për artdashësin shqiptar. Ky është thjesht në shifra artisti ynë i mrekullueshëm Sulejman Dibra, por pas shifrave kujtojmë rolet e papërsëritshme, ku figurat e interpretuara prej tij nuk kapen në mënyrë të përgjithshme, statike, por në zhvillim e sipër, si rezultat i kontradiktave që zhvillohen në një vepër dramatike.
Ai njihet si aktori që nëpërmjet monologut të brendshëm zbërthente gjithë shqetësimet, preokupimet e mendimet e personazhit. Një artist me një profil krijues tepër fin, tepër të veçantë. Tek Sulejman Dibra vihet re individualiteti që e karakterizon, jo vetëm në atë çka ai bën, por edhe në unitet mendimi dhe ndjenje. Si aktor i zgjuar depërton në thellësi të roleve deri në skutat më të errëta të tyre, duke zbërthyer deri në detaj psikologjinë e personazhit.
CV-ja krijuese e këtij mjeshtri të madh të skenës dhe ekranit nxjerr në pah interpretimin e roleve nga më të ndryshmet dhe asnjëherë nuk ka qenë i njëjtë. Mjaftojnë qoftë dhe vetëm Arturo Ui, apo dhe ‘Hetuesi” te telenovela e viteve të fundit “Njerëz dhe fate”, për të konkluduar se S.Dibra e njihte mjaft bukur botën emocionale të personazhit. Rolet e interpretuara prej tij janë sa jetësore dhe të natyrshme, ku në gamën e interpretimeve spikat thjeshtësia. Dhe nuk është e vështirë të evidentosh faktin se sa natyrshëm hynte ai në lëkurën e personazhit, pasi i kishte kushtuar vëmendje punës me plastikën si dhe me zërin, duke synuar thelbin analitik e logjiko-emocional të tij.
EKSPERIENCA
Aktori, regjisori dhe drejtuesi me përvojë i tri institucioneve kulturore kombëtare Sulejman Dibra, vetëm një muaj para se të ndahej nga jeta do të shprehte në disa intervista televizive keqardhje për gjendjen në të cilën ndodhet arti në vendin tonë. Ndër të tjera do të deklaronte hapur se nga ajo punë e madhe që bëhej për teatrin dhe filmin, sot ka humbur shumë.
“Artisti i Merituar” fliste për jetën artistike dekada më parë dhe çfarë shikonte deri para pesë vitesh sot, ku sipas tij problemi më i madh mbetet komercializmi në art. Për aktorin, të pakta ishin (dhe janë edhe sot) buxhetet që jepen nga shteti për teatrin dhe kinemanë, e ku duket se dhe artistët vetë po shikojnë jo pak pjesën e përfitimit. Ikona e teatrit dhe kinematografisë Sulejman Dibra, i cili fillimet artistike i ka që në vitin 1966 fliste tejet i trishtuar për mjerimin që shikonte edhe në institucionet e teatrit.
Për aktorin duhej që shteti të ndërhynte urgjentisht për të rregulluar gjendjen e institucioneve, pasi në to ishte (dhe është edhe aktualisht) shumë e vështirë të zhvillosh jetën artistike. Aktori ndalej dhe në Ministrinë e Kulturës, që sipas tij me politikat e saj deri më tani nuk solli asnjë zhvillim në art dhe kulturë. Sipas S.Dibrës, problem mbetej dhe vlerësimi që mungon për artistët.
Ai shprehej se për artistët sot jepen tituj, por që nuk po mendon askush për t’i shoqëruar dhe me vlerën monetare që meritojnë njerëzit e artit. Dhe këtë e hoqi vetë “në kurriz”, pasi si nuk gëzoi qoftë dhe një pension të posaçëm, që iu është dhënë disa emrave me profil shumë më të ulët se i tij. Regjisor, aktor dhe drejtues në institucione të artit, në kohën e monizmit ka qenë një pagë e mirë për kohën, por u nda nga jeta me një pension minimal 28 mijë lekë të reja.
Ai mbante me meritë titullin “Artist i Merituar”, por ama ai nuk u shoqërua me asgjë, ndërkohë që jetonte me një pension minimal. Më shumë se 40 vjet jetë artistike me filmin dhe teatrin, pa përmendur kontributet e tjera në institucione dhe vlerësimi për të mungonte. Ndërkohë vetë ai si ikonë e teatrit dhe kinematografisë shqiptare, me modesti shprehej se kjo ndodh jo vetëm me të, por dhe me të tjerë artistë, për të cilët vlerësimi nuk është ai që duhet nga shteti./ HALIL RAMA/