Temperaturat në pjesë të Siberisë kanë rënë në minues 56 gradë të hënën, ndërsa kryeqyteti i Rusisë, Moska, është përballur me reshje rekorde të borës dhe pengesa në fluturime.
Në Republikën Saka, e cila ndodhet në verilindje të Siberisë dhe pjesë e së cilës është Jakutsku, njëri prej qyteteve më të ftohta në botë, temperaturat ranë në minus 50 gradë, sipas Institutit Hidrometeorologjik të këtij vendi.
Meteorologët rusë thanë se do të jetë sikur të ishte më shumë se minus 60 gradë në Oimiakon, duke marrë parasysh erën dhe lagështinë e ajrit dhe se temperaturat do të bien edhe më shumë gjatë natës.
“Në pjesën evropiane të Rusisë, në territoret siberiane dhe urale, acari pritet të ashpërsohet në javët e para të dhjetorit”, tha Instituti Kombëtar Hidrometeorologjik i Rusisë.
Pothuajse e gjithë Saka ndodhet nën sipërfaqen e ngrirë të tokës. Në kryeqytetin e rajonit, Jakutsk, i cili shtrihet rreth 5.000 kilometra në lindje të Moskës, temperaturat ishin rreth minus 44 deri në minus 47 gradë.
Temperaturat prej minus 50 gradëve janë bërë më pak se të zakonshme në vitet e fundit, për shkak të ndryshimit klimatik.
Kryeqyteti rus u përball me një ndër reshjet më të mëdha të borës deri më tani më 3 dhjetor. Më shumë se 35 centimetra borë ranë vetëm brenda një dite.
Fluturimet u shtynë në disa prej aeroporteve të Moskës, si pasojë.
Temperaturat në Moskë dhe në rajonet rreth kryeqytetit parashihen të bien në rreth minus 20 gradë në fund të kësaj jave./rel