AKTUALITET

Monedha europiane rifiton pikë në kursin e këmbimit, por ngelet poshtë nivelit të 102 lekëve

14:02 - 04.12.23 gsh
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Euro ka rifituar pikë në kursin e këmbimit me Lekun në fillim të kësaj jave.




Sipas kursit të këmbimit të Bankës së Shqipërisë, monedha europiane u këmbye të hënën me 101.75 lekë, në rritje me 0.58 lekë krahasuar me kursin zyrtar të fundit të javës së kaluar.

Në fakt, rritja e euros erdhi kryesisht në pjesën e dytë të ditës së premte, por është reflektuar në kursin zyrtar që përditësohet çdo mesditë të hënën. Sidoqoftë, ditën e sotme kursi i Euros duket i qëndrueshëm në nivelet e të premtes pasdite.

Ringritja e Euros është reflektuar edhe në kursin e valutave të tjera kryesore. Dollari Amerikan u këmbye të hënën me 93.63 lekë, në rritje me 0.74 lekë krahasuar me të premten. Paundi Britanik shënoi një rritje edhe më të fortë, me 1.21 lekë dhe u ringrit në nivelin e 118.63 lekëve.

Sipas agjentëve të këmbimit valutor, frenimi rënies së kursit të Euros erdhi nga një kërkesë e shtuar për blerje valute sidomos në segmentin e biznesit.

Ashtu siç ka ndodhur edhe më herët gjatë këtij viti, një rënie e fortë e kursit të Euros sjell, në një moment të caktuar, rritje të kërkesës për të, me qëllim përfitimin nga një kurs që perceptohet i favorshëm.

Për këtë arsye, pas një cikli disajavor rënës, shpesh kursi i Euros shënon ringritje të ndjeshme, por të shkurtra, që zgjasin pak ditë. E tillë duket edhe tipologjia e rritjes së fundjavës së kaluar, ndërsa ngelet për tu parë nëse ajo do të vazhdojë gjatë kësaj jave.

Shpresat për një rritje, qoftë edhe afatshkurtër, të kursit të Euros, lidhen kryesisht me shpenzimet e larta buxhetore që priten gjatë këtij muaji.

Deri në fund të tetorit, buxheti ishte në një gjendje të lartë suficiti, prej më shumë se 48 miliardë lekësh. Ecuria e kursit të këmbimit gjatë nëntorit tërthorazi lë të kuptohet se as muajin e kaluar nuk pati rritje drastike të shpenzimeve buxhetore.

Sidoqoftë, rritja e pritshme e likuiditetit në Lekë do të balancohet të paktën pjesërisht nga rritje sezonale e ofertës valutore që ndodh përgjithësisht gjatë muajit tetor, e lidhur me festat e fundvitit, kthimin e emigrantëve dhe rritjen e turizmit.

Përtej luhatjeve afatshkurtra që mund të sjellë muaji dhjetor, ekspertët mendojnë se balancat në kursin e këmbimit pritet të vazhdojnë të mbështesin një Lek në pozita të forta./MONITOR

Burimi: Banka e Shqipërisë


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.