Kryesore

Pjesë e dosjes së Vangjush Dakos, lirohet nga burgu biznesmeni, gjykata i ndryshon masën e sigurisë (EMRI)

18:04 - 04.12.23 E.P
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Gjykata Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka liruar nga burgu biznesmenin Fiqiri Faruku i cili është arrestuar në kuadër të dosjes së ish-kryebashkiakut të Durrësit, Vangjush Dako.




Me anë të një njoftimi, gjykata sqaron se ka pranuar kërkesën e biznesmenit Fiqiri Faruku, duke ndryshuar masën e sigurisë ndaj tij, nga ajo e arrestit me burg në arrest shtëpie.

Biznesmeni i arrestuar në muajin qershor është pjesë e dosjes së Prokurorisë së Posaçme për ish-kryetarin e Bashkisë së Durrësit, Vangjush Dakos dhe zyrtarëve dhe ish-zyrtarëve të tjerë.

Fiqiri Faruku është administrator i firmës së ndërtimit në pallatin 11 katësh që u ndërtua pa leje në Durrës. Ai u akuzua per për falsifikim dokumentesh.

Pjese e dosjes ku permendet biznesmeni

Në dosje thuhet se në korrik të 2010, shoqëria ndërtuese ‘Fakle’ SHPK me administrator Fiqiri Farrukun kërkon leje për një ndërtesë 7 katëshe. Në 20 dhjetor kërkoi një shtesë kati dhe në 22 dhjetor ka kërkuar leje për të shtuar 3 kate plus papafingo.

Prokurorët arsyetojnë se pasi ish-kryebashkiaku Dako njihet me këto kërkesa ia kalon zyrës së urbanistikës.

SPAK thekson se pavarësisht procedurave, punimet për ndërtimin e pallatit nisën në 2011.

NJOFTIM PËR MEDIAT

1. Personi nën hetim F.F, më datë 30.11.2023 ka paraqitur pranë Gjykatës kërkesën me objekt: zëvendësimin e masës së sigurimit.

2. Në përfundim të gjykimit, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me trup gjykues të përbërë nga gjyqtari Erjon Bani, bazuar në nenet 112 dhe dhe 260 të K.Pr.Penale, me vendimin Nr. 479, datë 04.12.2023, vendosi:

  • Pranimin e kërkesës të paraqitur nga i pandehuri F.F.
  • Zëvendësimin e masës së sigurimit personal “Arrest në burg” caktuar ndaj të pandehurit F.F me vendimet Nr. 57, datë 06.06.2023 dhe Nr. 61 datë 08.06.2023 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me masën e sigurimit personal “Arrest në shtëpi” parashikuar nga neni 237 i K.Pr.Penale.
  • Detyrohet i pandehuri F.F të mos largohet nga banesa e tij me adresë: Rr. “*****”, Lagjia Nr. *, Pallati Nr. ****, Kati i **, *****.
  • Detyrimin e të pandehurit F.F, të mos komunikojë me persona të tjerë me përjashtim të atyre që bashkëjetojnë me të.
  • Zbatimi dhe mbikëqyrja e kësaj mase të bëhet nga oficerët e policisë gjyqësore që mbulojnë vendbanimin e personit nën hetim F.F.
  • Urdhërohet lirimi i menjëhershëm i të pandehurit F.Fnga ambjentet e paraburgimit nëse nuk mbahet apo nëse nuk duhet të mbahet i arrestuar, i ndaluar apo i dënuar për ndonjë vepër tjetër penale.
  • Ngarkohet Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar në bashkëpunim me policinë gjyqësore për ekzekutimin e këtij vendimi.
  • Kundër këtij vendimi mund të bëhet ankim në në Gjykatën e Posaҫme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar brenda 5 (pesë) ditëve, duke filluar ky afat nga e nesërmja e njoftimit të këtij vendimi.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.