Në Prishtinë ka nisur protesta për vrasjen e Liridona Ademaj, e cila u ekzekutua të mërkurën e 29 nëntorit me porosi të bashkëshortit të saj Naim Murseli.
Protesta është organizuar nga Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist me moton “nuk ka paqe pa sigurinë e grave”, shoqërohet me thirrjet “liri, barazi, solidaritet”.
Gjatë tubimit, protestuesit përmendën emrat e grave të vrara përgjatë viteve në Kosovë, duke kërkuar drejtësi për secilën prej tyre.
“Poshtë patriarkati” dhe “nuk ka paqe pa çlirimin e grave”, ishin disa nga thirrjet tjera në protestë.
Protestës pritet t’i bashkohet edhe kryeministri Albin Kurti, ndërsa të pranishëm janë parë deputetë dhe përfaqësues të institucioneve.
Gjithashtu pjesëmarrës janë dhe familjarë të Liridonës.
Çfarë ndodhi më 29 nëntor?
Raportimet fillestare pohuan se Liridona Murseli u vra nga disa grabitës, teksa po udhëtonte me makinë së bashku me bashkëshortin dhe dy fëmijët e saj.
Ata ishin duke u kthyer në shtëpi pasi kishin dalë për darkë, ndërsa pranë shpisë e del përpara një person me armë, i cili i kërkon të japë çfarë kishin me vete, në këtë moment Naim Murseli merr dy fëmijët dhe largohet nga vendi i ngjarjes, ndërsa autori qëllon për vdekje Liridonën në makinë.
Vrasje me porosi
Detajet e para të natës tragjike morën kthesë sot kur Policia e Kosovës arrestoi burrin e saj Naim Murselin dhe Granit Plavën si të dyshuar për vrasjen e viktimës.
Bashkëfshatori i Naim Murselit, Granit Plava ishte i pari që pranoi në polici se për vrasjen e kishte porositur Naimi dhe i kishte premtuar 30 mijë euro, 15 prej të cilave ia kishte dhënë para krimit dhe 15 të tjera do t’ia jepte pas krimit.
Një gjë të tillë e pranoi më vonë edhe vetë Naim Mursel, pa treguar shkaqet se pse e bëri një gjë të tillë.
Sipas dyshimeve të familjarëve, shkak mund të ketë qenë, shumë e madhe që i garantonte siguracioni që Liridona kishte në Suedi, në rast të një tragjedia, si ajo që ndodhi, shumë e cila kapte vlerën e 20 milion eurove.
Zbulimi i krimit
Ditën e premte, 1 dhjetor, ai i dha lamtumirën nënës së djemve të tij duke i organizuar edhe ceremoninë mortore në fshatin e tij në Cërmjan të Gjakovës.
Naim Murseli, priti dhe përcolli me dorën në zemër miq, të afërm e familjarë të tyre, që shkuan për ngushëllime, si edhe shoqëroi kortezhin drejt banesës së fundit të Liridona Murseli.
Por vetëm disa orë pas ceremonisë së varrimit të 30-vjeçares, Naim Murseli u vendos në pranga së bashku me bashkëfshatarin e tij, Granit Plava dhe nipin, Kushtrim Kokolla, pjesëtar i Forcave Speciale të Kosovës.
Ndërkohë është gjetur arma e krimit me të cilën dyshohet se u vra Liridona Murseli, si edhe makina e përdorur nga autorët.
Ndërkohë ende nuk dihet roli i anëtarit të FSK, Kushtrim Kokolla në ngjarjen e rëndë, që dyshohet se u porosit nga daja i tij.