Kryesore

EKSKLUZIVE/ Trefishohet Fondi i Solidaritetit, ja sa milionë euro jep UEFA për Superioren

08:23 - 21.12.23 gsh
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Milionat nga UEFA i vijnë në ndihmë futbollit shqiptar, më saktësisht fidanishteve të tij, akademive. Një shifër e majme si rrallëherë tjetër është vënë në dispozicion të klubeve të Superiores, me shuma aspak modeste që vijnë nga Fondi i Solidaritetit të UEFA-s për të ndihmuar rritjen e futbollit të bazës në vendin tonë.




MILIONAT- UEFA ka bërë të ditur nëpërmjet një vendimi qarkullues shumat që përfitojnë klubet e federatave anëtare të saj të cilat dalin nga të ardhurat e siguruar nga kompeticionet e klubeve (Liga e Kampioneve, Liga e Europës dhe Liga e Konferencës). Përfituese janë klubet të cilat nuk kanë siguruar praninë në fazën në grupe të kompeticioneve ndërkombëtare në edicionin 2022- 2023.

Shifra që përfitojnë skuadrat e kampionatit shqiptar, të cilat ishin pjesë e këtij sezoni është 1.207.000 euro. Një shifër relativisht e majme, që padyshim do të jetë një ndihmesë e madhe për klubet përfituese dhe akademitë përkatëse, pasi përbën një buxhet të rëndësishëm për funksionimin e tyre.

PËRFITUESIT – Dokumenti i UEFA-s bën të qartë se kriteri në parim është ai i “shpërndarjes së barabartë mes të gjitha klubeve të kategorisë më të lartë që nuk u përfshinë në fazën në grupe për edicionin 2022-2023”.

Kjo do të thotë se në teori, këtë shumë e përfitojnë të ndarë në mënyrë të barabartë 10 klubet e edicionit të kaluar në Kategorinë Superiore. Por ekzistojnë edhe mënyra të tjera shpërndarje të kësaj shume edhe në kategoritë më të ulëta, nëse një Federatë e caktuar propozon një skemë të veçantë dhe më pas ajo miratohet nga UEFA.

KLEÇKA – Për të gjithë ata që mendojnë se këto janë para që klubet apo federata mund të përdorë për të zgjidhur telashet financiare apo borxhet që kanë, UEFA e ka bërë të qartë se nuk do ta lejojë një gjë të tillë.

“Këto para duhet të përdoren vetëm për aktivitetet e zhvillimit të të rinjve të klubeve apo për programet e komunitetit lokal”, shkruhet në shpjegimin e UEFA-s për destinacionet e parave që dalin nga Fondi i Solidariteti.

Pagesat e shumës i vihen në dispozicion federatave përkatëse që nga janari 2024 dhe UEFA ka bërë të ditur se “çdo federatë duhet të transferojë menjëherë shumën e plotë te klubet përkatëse, pa mbajtur apo destinuar ndonjë pjesë të këtyre parave për qëllime të tjera”.

Në teori, nga këto para duhet të përfitojnë vetëm akademitë e klubeve dhe me to, nuk mund të paguhet asnjë zë tjetër në shpenzimet e klubeve.

TRANSPARENCA E MUNGUAR SHQIPTARE – Këtu është pjesa ku futbolli shqiptar ka çaluar gjithmonë. Shumat e Fondit të Solidaritetit rrallëherë bëhen publike nga FSHF-ja dhe kur vjen fjala te klubet, këto të fundit asnjëherë nuk publikojnë bilance apo zërat ku shpenzohen të ardhurat e tyre.

Megjithatë, këto janë të ardhura prej qindra mijëra eurosh në vit të cilat hyjnë prej dekadash në futbollin shqiptar nëpërmjet FSHF-së dhe kjo e fundit, ka për detyrë të ketë dokumentacionin përkatës që të faktojë se ato shkojnë në akademitë e klubeve.

Një dokumentacion që nuk bëhet asnjëherë publik nga asnjëra palë dhe që ngre gjithmonë një pikëpyetje të madhe, që lidhen me faktin se ku përfundojnë milionat që vijnë nga Europa.

ERMAL KUKA – PANORAMASPORT.AL


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.