Kryesore

Mesfushori i Tiranës dhe mbrojtësi i Egnatias, Vllaznia nis të “peshkojë” në merkato

09:13 - 21.12.23 gsh
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Zbulohen emrat e parë të lojtarëve që mund të afrohen te Vllaznia në merkaton e janarit. “Panorama Sport” mëson se drejtuesit e klubit kanë nisur të “peshkojnë” te Tirana dhe Egnatia, aty ku synohen të afrohen dy futbollistë të njohur të kampionatit shqiptar, pikërisht mesfushori Ardit Hila dhe mbrojtësi Hysen Memolla.




Të dy kanë kohë që nuk aktivizohen në skuadrat e tyre dhe largimi në janar nga Tirana dhe Egnatia duket çështje e kryer. Burime në klubin shkodran tregojnë për gazetën, se drejtori sportiv, Tefik Osmani, ka pasur bisedime direkte me Hilën, i cili nuk po kalon një situatë të mirë te Tirana dhe nuk po grumbullohet nga trajneri Julian Ahmataj.

Mesfushori pret të tërheqë letrat nga klubi bardheblu dhe më pas të bëjë një hap konkret për të ardhmen e tij. Gjithsesi, nuk është vetëm Vllaznia që kërkon 30-vjeçarin, pasi një ofertë joshëse në drejtim të tij është bërë edhe nga Elbasani, i cili është klubi i vendlindjes së Hilës.

Verdheblutë kërkojnë me çdo kusht të rikthehet në Superiore, duke investuar shumë këtë sezon. Mësohet se oferta e Elbasanit është edhe më e mirë nga ana financiare se ajo e Vllaznisë për lojtarin, por mbetet për t’u parë se çfarë vendimi do të marrë Hila.

Gjatë këtij sezoni mesfushori është aktivizuar në 12 ndeshje me bardheblutë, duke shënuar edhe dy gola në fitoret ndaj Kukësit dhe Dinamos.

MBROJTËSI – Problemet në mbrojtje në pjesën e parë të këtij sezoni e bëjnë të domosdoshme ndërhyrjen në merkato të kuqebluve. “Panorama Sport” zbulon se i preferuari për repartin e prapavijës është ish-lojtari i Kombëtares, Hysen Memolla, i cili është “gozhduar” prej javësh në stol tek Egnatia dhe në janar pritet të largohet nga Rrogozhina.

31-vjeçari është një lojtar me eksperiencë ndërkombëtare, ndërsa mund të përshtatet qoftë si qendërmbrojtës, ashtu edhe si mbrojtës i majtë. Bisedimet me të janë në fazën fillestare, pasi duhet të shkëpusë një herë kontratën me Egnatian.

Drejtori Osmani po kërkon gjithashtu një tjetër mbrojtës, një mesfushor dhe një sulmues, si reparte të nevojshme për të përforcuar ekipin. Në të njëjtën kohë, strategjia e klubit është që në ekipin e parë të ketë më shumë hapësirë për lojtarët nga Akademia e Vllaznisë.

ADMIR URUÇI – PANORAMASPORT.AL


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.