Kronikë

Balla reagon pas operacionit me urdhër të SPAK: Sundimi i ligjit po godet fort sëmundjen e vjetër të lidhjeve të krimit me policinë dhe drejtësinë

11:27 - 22.12.23 a.d
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Ministri i Brendshëm, Taulant Balla, ka reaguar në lidhje me operacionin e zhvilluar nga policia, me urdhër të SPAK, për goditjen e një grupi kriminal në Durrës, që çoi pas hekurave Rexhep Arapin të njohur si ‘i forti i Durrësit’. 




Gjithashtu në këtë ngjarje dyshohet se është i përfshirë dhe ish-shefi i krimeve të rënda Dedan Gjoni, i cili tashmë ndodhet në burg, i arrestuar disa javë në parë i akuzuar për sigurim të kushteve për të kryer vrasje.

Arapi dhe Gjoni dyshohet se kanë bashkëpunuar me njëri-tjetrin, për të nxjerë në pritë Xhevdet Arapin.

Balla, në reagimin e tij thotë se, revanshi i sundimit të ligjit ndaj krimit të organizuar po godet fort sëmundjen e vjetër të lidhjeve të krimit me policinë dhe drejtësinë.

“Këto operacione dhe këto rezultate janë vetëm fillimi i vendosmërisë tonë për të vijuar me luftën frontale kundër krimit të organizuar dhe vetë-pastrimin e radhëve të Policisë së Shtetit nga ata elementë të cilët e dëmtojnë atë’, shkruan ndër të tjera ai.

Reagimi i Ballës:

Përgëzime Policisë së Shtetit dhe prokurorëve të SPAK për goditjen e një tjetër grupi kriminal në Durrës. Revanshi i sundimit të ligjit ndaj krimit të organizuar po godet fort sëmundjen e vjetër të lidhjeve të krimit me policinë dhe drejtësinë. Në asnjë cep të territorit të kësaj republike s’mund të ketë më feude apo bajraqe, ku mbi ligjin dhe mbi qytetarët të jenë të fortët, të cilët edhe kur policia i shoqëronte tek dera e komisariatit, ata dilnin po atë ditë nga dritarja me vendime të blera tek tezgat e drejtësisë së vjetër.

Hetimet në bashkëpunim me SPAK, prokuroritë e jurisdiksionit të përgjithshëm, SHISH dhe agjenci të tjera ligjzbatuese të vendeve partnere për punonjës të nivelit të parë drejtues apo zbatues, të dyshuar për shpërdorim detyre, korrupsion, vepra penale në fushën e narkotikëve, veprime arbitrare, lidhje/komunikime me krimin si dhe çdo veprim tjetër të paligjshëm vijojnë dhe rezultatet e këtij procesi janë domethënëse:

339 punonjës policie të arrestuar/proceduar deri më tani.

Këto operacione dhe këto rezultate janë vetëm fillimi i vendosmërisë tonë për të vijuar me luftën frontale kundër krimit të organizuar dhe vetë-pastrimin e radhëve të Policisë së Shtetit nga ata elementë të cilët e dëmtojnë atë.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.