DOSSIER

Dokumenti/ U vranë një “dyzinë” me të rinj dhe trupat u lanë në rrugët e Tiranës. E vërteta e masakrës së 4 shkurtit 1944

17:10 - 07.02.24 a.d
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

DR. VASFI BARUTI/ Ngjarja, siç ishte. Dy atentate të qarkorit komunist të Tiranës: Në zonën e Tiranës së re, më 3 shkurt ’44, guerilas komunistë në befasi i bëjnë atentat makinës së Kadri Cakranit. Reaksion hakmarrës ishte i njëhershëm, si e jep kronika e ATSH-së e asaj dite: “Njoftim.




Dje në ora 15 disa grupe terroristësh të përgatitur me hollësi në disa vende të qytetit sulmuan automobilë dhe personalitete me bombë. /…/ [Hakmarrja:] U vranë Todo Shkurti, Vangjel Capo, Hasan Çeliku, Mihal Koço.”Qarkori komunist s’vuri mend nga pasoja e atentatit të 3 shkurtit ndaj makinës së Cakranit dhe pasditen e vonë të 3 shkurtit guerilas komunistë të qarkorit komunist i bëjnë goditje të befasishme të armatosur makinës së ministrit Xhafer Deva, me marrje jetë nipi i tij adoleshent, goditja u mbajt në fshehtësi nga qarkori i Tiranës, si duket kuptuan se masakra e 4 shkurtit ishte kundërreaksion i Xhafer Devës ndaj atentatit të 3 shkurtit. E vërteta komuniste e fshehur zbulohej nga Isuf Deva, sekretar i Xhafer Deva i cili dëshmoj në hetuesi: “… Komunistët më 3 shkurt i bëjnë atentat makinës së Xhafer Devës, plagoset e vdes në spital i nipi, adoleshenti Fahri Ibrahimi”[1]

Kundërgoditja hakmarrëse e Xhafer Devës: Më 4 shkurt nga ora 01 e pasnatës deri mëngjesin herët me urdhër të Xhafer Devës ekzekutohen në rrugët e Tiranës njerëz të pafajshëm dhe më çnjerëzorja se kufomat lihen në rrugë deri mbrëmjen e asaj dite! Burim i masakrës i shkruar ato ditë është letra e Nako Spirut për udhëheqësinë e partisë: “Të dashur shokë Ali [Miladin P.], Trashi [Koci X.], Muzhik [Liri G.] /…/ Në Tiranë reaksioni është shumë i madh. /…/ Tue gdhi 4 shkurt /…/ pushkatojnë në rrugë gadi 80 njerës. Mund ta merrni me mend çfarë terrori ka këtu /…./ Këtu situata është e vështirë. Kontrolle për ditë e për natë. Të dalin shokët dhe miqtë tanë nga qyteti nuk është e mundur, /…/ 13 shkurt. Të fala Deti.”[2] Në kësi kushte terrori kur s’mund të dilet nga shtëpia Nako S. e miqtë e tij paskërkan identifikuar 80 të vrarë! Vajmedet!

Dokumenti origjinal i 5 shkurtit ’44 ..

MANIPULIM I EPËRM KOMUNIST!

E vërteta e manipulimit komunist të 4 shkurtit ka mjaft variabla, këtu e më parë vjen e shumta në të paktën. Në Hetusi Isuf Deva, sekretari i Xhafer Devës: “Ishte disa orë para mesnatës së 3 shkurtit kur u përpiluan listat e familjeve e personave të nacionalçlirimtares mbi të cilët do të binte hakmarrja dhe personat ishin në burgjet e Tiranës, kurse listat u perpiluan në shtëpinë e Xhafer Devës,”[3] përgjegjës për masakrën e 4 shkurtit dhe informacionin e parë për të “vrarë me dyzina” e jep trakti komunist i 5 shkurtit, në “Zëri i Popullit”, kurse në letrën e 13 shkurtit Nako S. shkruan ndryshe: janë “rreth 80 të vrarë”!

Prokuroria e kryeqytetit me valët e “Radio Tiranës” lajmëron qytetarët të paraqiten në qëndrat e Xhandërmarisë të regjistrojnë identitetin e të vrarëve[4] dhe në regjistrat e prokurorisë janë emrat Vangjel Capo, Todi Shkurti, Hasan Çeliku, Sokrat Toko, Mihal Koço, Vincenso Apel, Reveni Ludoviko nga të cilët katër të parët vrarë pasditen e 3 shkurtit dhe shtatë natën e 4 shkurtit, 1 italian me banim në Tiranë dhe 1 tjetër italian.[5] Nëse kishte të vrarë të tjerë ishte rasti për t’u shënjuar nga familja në protokollin e xhandarmërisë porse erdhi heshtja!

Në çdo përvjetor përkujtohen “80” të masakruar në 4 shkurt, në media të pavërteta numërash kur e vërteta vjen pranë një dyzine. Nga socialistët për “80” të rënët e 4 shkurtit s’ka një pllakë përkujtimore dhe këtu nis superhabia që kërkon mungesën e nderimit me një pllakë përkujtimore dhe që s’ka gjasa të vendoset ndonjëherë ngase e dinë mirë të pavërtetën “80”! Listimi i parë për masakrën e 4 shkurtit bëhej në vjetori i parë në Bashkimi i 4 shkurtit 1945, “identifikohen” 22 të vrarë dhe nga investigimi im janë 2 të rënë në Prishtinë, 1 më 3 shkurt dhe 9 të tjerë të vrarë i gjeta të listuar në libri Dëshmorët e Atdheut nga Ministria e Mbrojtjes (1912) amá ata kanë vetëm vitrënien 1944, por pa datërënien dhe andaj aspak e besueshme që ata nëntë të jenë vrarë më 4 shkurt.

Organizata kombëtare e LANÇ-it, në Pavdekësia ka disa listime dhe i referohem listimit më të gjatë me “42” dëshmorë të 4 shkurtit dhe prej listimit merret kampion rastësor i cili shenjoi se 8 prej tyre listohen të 4 shkurtit në Tiranë por investigimi i tyre[6] konstaton se ata tetë bien për liri jo në Tiranë por në në vende të tjera dhe ja: Hava Meça në Brataj të Vlorës, Inajete Dumi në Qarrishtë, Nife Sula në Çaush të Krujës, Rakibe Dervishi në Kallarat të Vlorës, Shyqyri Gorblleshi në Prishtinë, Trëndafile Hasanliaj në Vranisht të Vlorës, Vait Shima në Bërzhitë të Tiranës, Xhemal Misku në Bosnjë dhe kësisoj do të vijonte më tej investigimi im. E pabesueshme amá e vërtetë e pamëshirë! Publikimi me “17 dëshmorë të 4 shkurtit…”[7] u kqyrur në libri “Dëshmorët e Atdheut”: prej tyre me vitrënie dhe jo me datërënie 4 shkurt janë Sokrat Toko, Sulejman Vrapi, Fadil Rada, Xhemal Sojli.

Dokumenti origjinal i 5 shkurtit ’44 në “Zëri Popullit” është trakti i Qarkorit të Partisë për Tiranën dhe i botuar në Bashkimi i 4 shkurtit ’45 dhe po ai trakt ribotohej me emrin Thirrje e të njëjtit qarkor në vëllimi Thirrje dhe Trakte 1941-1944 (1962) dhe, po ashtu, i njëjti Trakt i këtij vëllimi ribotohej në vëllimi “Zëri i Popullit dhe buletinet e tij”. Ndërsa Trakti në vëllimi “Thirrje dhe Trakte” është 5 (pesë) faqe libri kurse po ai Trakt i botuar në vëllimi “Zëri i Popullit dhe buletinet e tij” është 1.2 (një pikë dy) faqe me raport 5:1.2 faqe. Midis vëllimit Thirrje dhe Trakte dhe vëllimit Zëri i Popullit e buletinet ka dhe bëhet diferencë: vëllimi i parë (Thirrje … ) për autor ka Instituti i Historisë së Partisë pranë KQ të Partisë, kurse vëllimi i dytë (Zëri i Popullit…) autor ka Instituti i Historisë pranë Akademisë së Shkencave, porse edhe diferenca e dytë: në vëllimi i parë në komandë është censura e origjinaleve të luftës kurse dokumentet e vëllimit të dytë janë të origjinalit pa vënë dorë në to. I njëti trakt me dy formate e s’njeh vetveten! E kampioni i dhënë këtu për Traktin për 4 shkurtin s’është rast, e të themi “një rast është” dhe përkundër kësisoj është thuajse gjithë arkivi i Luftës, i censuruar përtej fantazisë, është investigim shumëvjeçar i autorit me 280 dokumente arkivore për luftën e pasluftën. Vajmedet

Çoroditje humoristike! Traktet komuniste më 5 shkurt ’44, më 4 shkurt ’45 dhe më 1962 “numërojnë” 80 apo “me dyzina” të vrarë më 4 shkurt 1944. Pas thirrjeve publike në Radio Tirana për të regjistruar të vrarët e natës së 4 shkurit në regjistrat e Prokurorisë së Tiranës shihet se janë të regjistruar shtatë të vrarë natën e 4 shkurtit. Listime të 5 shkurtit ’45 me të rënë më 4 shkurt janë me vitrënie 1944 por pa datërënie; listime në “Pavdekësia” me 45 të “rënë” më 4 shkurt porse të rënë në rajone të tjera të vendit apo në troje të ish-Jugosllavisë. Sipas midesë politike edhe disa media mbuluar me 80 apo 86 të rënë më 4 shkurt!

Numri i të rënëve lojë vrastare, e turpshme, humoristike! Verdikti i 4 shkurtit me afër një dyzinë në dokumente të Prokurorisë së Tiranës. Edhe në këtë 80-vjetor katër shkurti do mbetet po ai thuajse afër 80 vjeçar. dhe po e njëjta lojë edhe për 28.000 të renë dëshorë në luftë, madje edhe shumë më shumë vrastare! E historishkruesit e “Historisë së shqiptarëve”, botuar së fundi, mbeten lojtarë në të njëjtën lojë të pështirë, neveritëse! 80 vjet: mungesë e pllakës përkujtimore të 4 shkurtit dhe mungesa e listimit të “80” ama me vitrënie 1944 dhe datërënie “4 shkurt” mbesin kryefjala për 4 shkurtin! Artikulli “Gjaku don gjak” është i 3 (tre) shkurtit në “Bashkimi i kombit” dhe aspak i 4 shkurtit një mashtrim mediatik-politik!

MANIFESTIMI AGRESIV, PËRSE?

Në përkujtim të 4 shkurtit në qytetet e vendit bëhen demonstrate politike, më e madhe në Tiranë. Komunikata e Bashkimit e asaj dite “I gjithë tregu do të rrijë i mbyllur për gjithë ditën, kafet e restorantet do të mbyllen. 1. Ora 8-30 do të bëhen lutje në faltore për viktimat e terrorit. 2. Ora 10 metingu në Kinema Kosova dhe fjala e general Koçi Xoxe. 3. Orën e metingut gjithë populli do rrjeshtohet simbas lagjeve, organizatave, dikastereve dhe organeve të pushtetit në shesh nga ku do të transmetohen mitingu me altoparlant”. Folësit në miting me prirje për të indokrinuar njerëzinë në një zë aty me thirrje gjaku don gjak, hakamrrje.

Ky format organizimi, në përkujtimi i 4 shkurtit 1945, me ndarje në blloqe sipas lagjeve, qëndrave të punës, digastereve, si në kuti shkrepse, mbeti model për festime 45-vjeçare në regjimi komunist. Faqet e gazetës të pushtuara nga frymë agresive lufte: Gjaku don gjak! Gjaku don gjak! Hakmarrje! Hakmarrje! Manifestimi agresiv kish dy arsye të forta: Tiranasit ruajnë të hidhur në kujtesë ç’panë rrugëve të qytetit 75 ditë më parë me më se 100 të pushkatuar ndaj dhe mëtohet të zbehet ajo pamje makabre me atë organizim ushtarak që ngjante me gjëmë; por edhe për të mprehur shpatën e luftës së klasave mbi të kamurit, borgjezët, nacionalistët, të arsimuarit në Perëndim!

*Historian


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.