DOSSIER

“Populli po vuan për bukën e gojës”- Zbulohet dosja e gjeneralit disident që akuzoi Enver Hoxhën: Kur të na sulmojë greku apo serbi, dilni ju dhe mbrojeni atdheun se ne…

07:42 - 14.02.24 a.d
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Dashnor Kaloçi




Pjesa e pare

Publikohen disa dokumenta arkivore të nxjerra nga Arkivi i Ministrisë së Brendëshme në Tiranë, të cilat i përkasin viteve 1966-1975, në një dosje në ngarkim të ish-Drejtorit të Sigurimit të Shtetit në Ministrinë e Mbrojtjes Popullore, gjeneral-major Halim Xhelo, e cila përmban dokumentet e procesit hetimor e gjyqësor të tij, etj., duke filluar nga data 8 shkurt e vitit 1966, kur ai u arrestua nga kolegët e tij të Sigurimit të Shtetit, (për shkak të një letre anonime që i kishte bërë sekretarit të parë të Komitetit Qendror të PPSh-së, Enver Hoxha), e deri në datën 25 maj të vitit 1975, kur u përpilua edhe proces-verbali i vdekjes së tij, në burgun e Burrelit, ku ai vuante dënimin e ri dënimin, “për agjitacion e propagandë”!

Siç do të shohim në dokumentet në fjalë të dosjes gjyqësore në ngarkim të gjeneral-major Halim Xhelo Koçiut, me origjinë nga fshati Dukat i Vlorës dhe me banim në Tiranë, akuza kryesore ndaj tij, është letra anonime që ai i bëri në atë kohë diktatorit Enver Hoxha. Ai analizonte me detaje vijën e gabuar politike që po ndiqte udhëheqja e lartë e PPSh-së, (duke kopjuar dhe imituar Kinën e Mao Ce Dunit), e cila e kishte çuar popullin në mjerim të plotë, aq sa fshatarësia kooperativiste, vuante edhe për bukën e gojës. Përveç kësaj akuze, organet hetimore dhe gjyqësore të asaj kohe, me porosi nga “lart”, për ta diskretituar gjeneralin disident, e kanë akuzuar edhe për “vjedhje të pasurisë shtetërore”, duke përvetësuar disa shuma monetare (në dollarë dhe në lekë), për një aparat televizori që ai kishte blerë jashtë shtetit dhe disa metra kabull, që me vendim gjykate, ju vunë në ngarkim dhe i’u sekuestruan.

Por, duket se udhëheqja e lartë e PPSh-së e personalisht Enver Hoxha, nuk kanë qenë të kënaqur me dënimin prej shtatë vitesh, që iu dha fillimisht Halim Xhelos nga ana e Kolegjit Ushtarak të Gjykatës së Lartë, (i kryesuar nga kolonel Vangjel Kocani dhe dy ndihmsat e tij, Kolonel Koço Tollkuçi dhe Minella Trebicka), dy vite më vonë, në vitin 1968, teksa vuante dënimin në burgun e Burrelit, ai ri dënohet përsëri, nga një tjetër trupë gjykuese, (Sybi Dedej, Hajri Shehu dhe Frederik Nosi), në bazë të disa dëshmive të dhëna nga disa bashkëvuajtës të tij në atë burg, ish-ushtarak të Ministrisë së Punëve të Brendshme. Në mbyllje të këtyre dokumenteve, do publikojmë edhe prces-verbalin e vdekjes së tij në burgun e Burrelit që mban datën 25 maj të vitit 1975, të firmosur nga mjeku, Myslym Hysa, zv/prokurori i rrethit, Vangjel Muzina dhe komandanti i burgut, Idajet Deda të cilët e konsideruan atë si “vetëvrasje”! Për më shumë rreth këtyre, na njohin dokumentet në fjalë, që publikohen për herë të parë nga Memorie.al

Dokumenti i vitit 1966. me vendimin e Kolegjit Ushtarak të Gjykatës së Lartë, për dënimin e gjeneral-major Halim Xhelos
REPUBLIKA POPULLORE E SHQIPËRISË “KOLEGJI USHTARAK”

GJYKATA E LARTË Nr. 16 Regj. Themeltar

 

Nr. 13 i vendimit

V E N D I M

N’EMËR TË POPULLIT

Këshilli gjyqësor i Kolegjit Ushtarak të Gjykatës së Lartë, i formuar nën kryesinë e:

Kolonel Vangjel Kocani, Gjyqtar i Gjykatës së Lartë, me ndih. Gjyqtar, Kolonel Koço Tollkuçi, – Ndih. – Gjyq.

Kolonel Minella Trebicka – Ndih. – Gjyq.

T’asistuar prej sekretares, Vangjeli Terova, me pjesëmarrjen e Zv/Prokurorit të Përgjithshëm, Kolonel Faik Minarollit, me seancat e mbyllura të datave 9 e 10.3.1966, mori në shqyrtim çështjen me Nr. 16 që i përket të pandehurit:

HALIM XHELO, i biri Koçiut dhe i Xhikos, i datë-lindjes 1923, lindur në Dukat të Vlorës dhe banues në Tiranë, me origjinë shoqërore, fshatar i pasur, oficer me gradën Gjeneral-Major, i martuar, ka tre fëmijë, A.P., i padënuar më parë, mban këto dekorata: urdhrin e Flamurit, tre urdhra të Skënderbeut, (1 të klasit të II-të dhe tre të klasit të III-të), urdhrin Partizan të klasit të II-të dhe të III-të, urdhrin e Shërbimit Ushtarak, urdhrin e Trimërisë, medaljen e Kujtimit, të Çlirimit dhe të Trimërisë, urdhrin e Yllit të Kuq dhe atë të 10 Vjetorit të Ushtrisë, i arrestuar më 8 shkurt 1966, i përfaqësuar nga Avokat Gaqo Progri.

A K U Z O H E T se:

Ka zhvilluar propagandë armiqësore kundër pushtetit popullor, ka përvetësuar më shumë se njëherë pasurinë shtetërore, si dhe ka shpërdoruar pozitën e tij zyrtare, duke kryer kështu krimet e parashikuara nga nenet 73 pika e I-rë, 80 pika e I-rë dhe 323 pika e I-rë të Kodit Penal.

KËSHILLI GJYQËSOR I KOLEGJIT USHTARAK TË GJYKATËS SË LARTË

Pasi dëgjoi apologjinë e të pandehurit, pretencën e prokurorit, i cili kërkoi të deklarohet fajtor dhe në bazë të nenit 73 pika e I-rë të Kodit Penal, të dënohet me 10 vjet heqje të lirisë, në bazë të nenit 51 të K.P. me 2 vjet heqje të lirisë, dhe në bazë të nenit 325 pika e I-rë të K.P. me 5 vjet heqje të lirisë.

Përfundimisht, në bazë të nenit 40 të K.P., kërkoi të dënohet me 10 (dhjetë) vjet heqje të lirisë dhe të heqjes së gradës Gjeneral-Major, pasi dëgjoi mbrojtjen, fjalën e fundit të të pandehurit, i cili kërkoi mëshirë, dhe pasi shqyrtoi dhe analizoi provat në tërësi:

V Ë R E N:

I pandehuri Halim Xhelo, duke pasur postin e zëvendës drejtorit të Sigurimit të Shtetit dhe gradën Gjeneral-Major, në vend që të luftonte kundër elementëve armiq dhe të mbronte vijën e Partisë, të mbronte interesat e atdheut dhe të popullit, ai përkundrazi, si person reaksionar, është vënë në opozicion me politikën marksiste-leniniste të Partisë dhe të Shtetit tonë dhe ka zhvilluar agjitacion e propagandë kundër pushtetit popullor.

Në një kohë kur Partia dhe Qeveria iu drejtua me një letër komunistëve dhe masave të gjera për të përkrahur dhe diskutuar rreth masave kundër burokracisë dhe për një stil revolucionar në punë, në një kohë kur populli ynë i’u përgjigj thirrjes së Partisë dhe po diskutonte me entuziazëm duke shfaqur mendime e propozime krijuese, i pandehuri Halim Xhelo, i ka dërguar një letër anonime Udhëheqjes së Partisë dhe të Shtetit, me përmbajtje të theksuar armiqësore.

Gjatë zhvillimit të gjyqit, u provua se i pandehuri ka shprehur në këtë letër fjalë shpifëse kundër politikës së Partisë dhe të Shtetit në përgjithësi, kundër fitoreve të mëdha të revolucionit tonë popullor. Ai ka shkruar në këtë letër se, gjatë këtyre 22 vjetëve të pushtetit popullor, populli ynë është katandisur në ditë të hallit, për bukën e gojës, se fshatarësisë po i rrëmbehet gjithashtu, se gjithë shtresave po i shtrëngohet litari në fyt, e të tjera e të tjera. Në këtë mënyrë i pandehuri është bërë tellall i propagandës së urryer imperialisto-revizioniste.

U provua se në këtë letër i pandehuri ka shpifur gjithashtu, kundër unitetit të çeliktë: parti-udhëheqje-popull dhe në një armiqësi të pashoqe ka theksuar se gjoja në një situatë të rëndë e të rrezikshme për vendin tonë, masat punonjëse nuk do të ndjekin udhëheqjen e Partisë dhe të Shtetit, kështu, po të sulmojë greku, serbi apo djalli vetë, shkruan i pandehuri në letër, dilni vetë për të mbrojtur atdheun, se ne nuk rrezikohemi.

Në letër i pandehuri është shprehur gjithashtu se, kanë të drejtë që na quajnë dogmatikë. Në këtë mënyrë ai është pajtuar plotësisht me revizionistët hrushovianë e titistë, që janë armiq të tërbuar të Partisë dhe të popullit tonë.

Shpifjet e mësipërme dhe shprehjet e tjera armiqësore që përmban letra, janë bërë me qëllim për të diskretituar vijën e drejtë marksiste-leniniste të Partisë dhe të Shtetit tonë, prandaj ato në thelb, konsiderohen thirrje kundër pushtetit popullor. Fakti se këtë letër me përmbajtje armiqësore i pandehuri e ka dërguar me destinacion, provon se qëllimi i tij ka qenë për t’i përhapur këto pikëpamje minuese ndaj pushtetit popullor, dhe njëkohësisht ka dashur që t’i bëjë presion, udhëheqjes së Partisë dhe të Shtetit, për të devijuar nga rruga e drejtë, lidhur me masat kundër burokracisë.

Në këtë rrethana, në veprimet e të pandehurit, gjykata e gjen të vërtetuar figurën e krimit të agjitacionit e propagandës, kundër pushtetit popullor.

Ky krim provohet me letrën anonime, me aktet e ekspertizës teknike që vërtetojnë se kjo letër është daktilografuar nga makina “Oliveti”, me Nr. 21.0073, që i përkiste sektorit ku punonte i pandehuri, dhe me vetë pohimet e të pandehurit, i cili pohon se letrën anonime e ka përpiluar vetë, dhe e ka shtypur në makinën e sipërpërmendur.

U provuar gjithashtu se i pandehuri, ka kryer vjedhjen e pasurisë shtetërore, duke përvetësuar 169 dollarë amerikan, që sipas vërtetimit të Bankës së Shtetit Shqiptar, të datës 3.3.1966, vlerësohen me 2112.50. Nr.

Krimin e mësipërm i pandehuri e ka kryer në këto rrethana: në muajin prill-maj 1964, ai është interesuar për të blerë disa materialeve shirita ferro-manjetikë, për sektorin që kishte në varësi. Për këtë arsye, i pandehuri ka biseduar me dëshmitarin Gaqo Peristeri, i cili i siguroi shumën prej 169 dollarë amerikanë dhe ja dorëzoi të pandehurit, për t’i dërguar me korrierët përjashta shtetit, për blerjen e materialeve.

Mirëpo i pandehuri këto të holla valutë, nuk ia dorëzoi njeriut, por i mbajti në kasafortën e tij. Më vonë, materialet e kërkuara u blenë në Francë nga një fond tjetër nga Ministria e Punëve të Brendshme. Dëshmitari Gaqo Peristeri, kur morri në dorëzim materialet e blera në Francë, përpiloi një vërtetim mbi harxhimin e 169 dollarëve për blerjen e 30 copë shiritave ferro-manjetike, duke kujtuar se këto materiale ishin blerë pikërisht me shumën 169 dollarë, që ja kishte dorëzuar të pandehurit.

Ky vërtetim, mban datën 15.5.1964, firmosur edhe prej të pandehurit. Në këtë mënyrë harxhimi i 169 dollarëve, u justifikua me dokumentin e sipërm, kurse në fakt, këto i pandehuri i mbante vetë. Pas disa muajsh, duke menduar se çështja e tyre u mbyll dhe s’i kërkonte më njeri, i pandehuri vendosi që këto dollarë, pasuri e shtetit, të blinte një televizor. Kështu në dhjetor të vitit 1964, me anë të një personi, ka blerë jashtë shtetit një televizor të markës së “Vest”.

Pretendimin e të pandehurit se nuk duhet të përgjigjet për përvetësimin e 169 dollarëve, për arsye se i kishte lëshuar një dëftesë Gaqo Peristerit, për marrjen e tyre, gjykata nuk e quan më vend. Dëshmitari Gaqo Peristeri, vuri në dukje se, kur i dorëzoi të 169 dollarët, nuk i ka marrë ndonjë dëftesë dhe nga ana tjetër, kur morri në dorëzim materialet, ai përpiloi dokumentin ku vërtetohej se të 169 dollarët, ishin harxhuar për materialet e kërkuara, dokument i cili u firmos edhe nga i pandehuri.

Unë e dija, ka shtuar dëshmitari, se materialet që m’u dorëzuan, ishin blerë pikërisht me shumën e 169 dollarëve që unë i kisha dhënë të pandehurit, po ta dija se ato ishin blerë me një fond tjetër, ahere nuk kisha pse përpiloja dokumentin e sipërpërmendur. Në këtë mënyrë, përvetësimi i shumës së 169 dollarëve është provuar nga thëniet e dëshmitarit Gaqo Peristeri, me dokumentin që mban datën 15.6.1964, në të cilën vërtetohet harxhimi i shumës së 169 dollarëve për blerjen e materialeve në Francë dhe në pohimet e pjesshme të pandehurit, i cili e ka pohuar se këtë shumë e ka përdorur për blerjen e një televizori për vete.

I pandehuri akuzohej edhe për përvetësimin e 2000 lekëve të reja nga N.T.L.A.P. Durrës, për arsye se kishte paraqitur një proces-verbal teknik të datës 16/X/1964, ka qenë harxhuar me të vërtetë nga i pandehuri. Për këtë vunë në dukje në gjyq, dëshmitarët Ismail Vathi, Alfred Xhufka, Qerim Allushi dhe Leko Xhimirtiku, prej të cilëve, tre të parët kanë përpiliuar dhe kanë firmosur procesin e sipërpërmëndur. Në këto kushte, i pandehuri nuk duhet të përgjigjet për përvetësimin e 2000 lekëve të reja.

I pandehuri ishte akuzuar edhe për përvetësimin e 500 L.r. të reja, për marrjen e 20 metër kabull të ri të markës R.K.-3 (75 cm.), të cilin e ka përdorur për antenën e televizorit. Gjatë zhvillimit të gjyqit, dëshmitari thonte dhe vuri në dukje se kablloja e sipërpërmendur, ishte marrë nga ofiçina e Radiolokacionit me dokumenta të rregullta. Në këto rrethana, mungojnë elementët e krimit të përvetësimit të 500 L.r.

Përfundimisht, i pandehuri ishte akuzuar në bazë të nenit 80 pika e I-rë i K.P., me qenë se shumën e përvetësuar të 169 dollarëve, baras me 2112.50 L.r., dhe shumën tjetër të 2500 L.r., përvetësim i materialeve televizive dhe i kabllove konsiderohej si vleftë në përpjesëtime të mëdha, mirëpo gjatë zhvillimit të gjyqit, rezultoi se i pandehuri ka përvetësuar vetëm shumën e 169 dollarëve, që vlerësohen në 2112.50 L.r. Meqenëse kjo shumë është e vogël, vepra kualifikohet në bazë të nenit 81 të K.P.

I pandehuri ishte marrë në përgjegjësi penale edhe në bazë të nenit 351 të K.P. për shpërdorim të pozitës zyrtare.

Gjatë hetimit gjyqësor, nuk u provua se i pandehuri të ketë shpërdoruar pozitën e tij zyrtare, për të kaluar nga dogana televizorin e markës “Vest”, pa u kontrolluar. Nëpunësi i doganës, Demir Kapllani, i pyetur si dëshmitar, ka vënë në dukje se ai, nuk njihej fare me të pandehurin dhe se i kishte folur gjë ky i fundit për ndonjë televizor për ta kaluar pa paguar taksën doganore.

Përsa i përket ndërmjetësimit të të pandehurit, për të vënë në punë disa elementë të padëshirueshëm, siç janë: Nail Çani, Fori Dhrami dhe Klizaverta Xhali, u provua se kjo veprimtari e tij, nuk është në atë shkallë, sa që t’i sillte, ose mund t’i sillte ndonjë dëm të rëndësishëm interesave të shtetit, në kuptim të nenit 323 të K.P. Prandaj në veprat e të pandehurit, mungojnë elementët e krimit të shpërdorimit të pozitës zyrtare.

Në caktimin e masës së dënimit, gjykata do të ketë parasysh, rrezikshmërinë shoqërore të krimeve të kryera nga i pandehuri, e në mënyrë të veçantë të krimit të agjitacionit dhe të propagandës, krim i cili drejtohet kundër pushtetit popullor. Gjykata do të ketë parasysh gjithashtu faktin se, i pandehuri ka qenë caktuar në një post të rëndësishëm, pikërisht për të zbuluar çdo veprimtari armiqësore. Nga ana tjetër, ajo do të ketë parasysh gjithashtu, pendimin e të pandehurit dhe veprimtarinë e tij pozitive gjatë Luftës dhe pas çlirimit.

PËR KËTO ARSYE:

Këshilli gjyqësor i Kolegjit Ushtarak të Gjykatës së Lartë, në mbështetje të neneve 275 dhe 279 të K.Pr. P.

V E N D O S I

Të deklaroj fajtor të pandehurin Halim Xhelo për krimin e agjitacionit dhe të propagandës dhe në bazë të nenit 75 pika e I-rë të K.P., e dënon me 7 (shtatë) vjet heqje të lirisë dhe me konfiskimin e televizorit të markës “Vest”, në bazë të nenit 34 të K.P., me heqjen e gradës Gjeneral-Major, si i padenjë për mbajtjen e saj, dhe në bazë të nenit 28 të K.P., me humbjen e të drejtës elektorale për dy vjet kohë.

E ndryshon cilësimin e veprës kriminale nga neni 80 pika e I-rë, në nenin 81 të K.P. dhe në bazë të këtij neni të fundit, e dënon me 1 (një), vjet heqje të lirisë.

Përfundimisht, në bazë të nenit 48 të K.P., e dënon me 7 (shtatë) vjet heqje të lirisë, me konfiskimin e televizorit të markës “Vest”, me heqjen e gradës Gjeneral-Major, dhe me heqjen e të drejtës elektorale për dy vjet kohë.

E deklaron të pafajshëm për krimin e shpërdorimit të pozitës zyrtare, parashikuar nga neni 323 i K.P., për mungesë provash, përsa i përket kalimit të televizorit të markës “Vest” në doganë dhe për mungesë të elementëve të krimit për episode e tjera.

Vuajtja e dënimit fillon nga dita e arrestimit, 8.II.1966.

E detyron të shpërblejë avokatin 200 L.r.

Ky vendim është i formës së prerë.

E shpallë atë në Tiranë, më 10. III. 1966. /Memorie.al

Ndih. Gjyqtar Ndih. Gjyqtar Kryesonjësi

Kol. Minella Trebicka Kol. Koço Tollkuçi Kol. Vangjel Kocani

VËRTETOHET SE ËSHTË NJË ME ORIGJINALIN

KRYESEKRETARI I KOLEGJIT USHTARAK

Ramiz Çitozi

Vijon numrin e ardhshëm


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.