Kronikë

Akuzohet për rrëmbimin dhe vrasjen e Jan Prengës, Turqia i hap rrugë ekstradimit të Dritan Rexhepit

13:51 - 16.02.24 gsh
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Drejtësia turke i ka hapur rrugë ekstradimit të Dritan Rexhepit në drejtim të Shqipërisë.




Ministria e Drejtësisë i dërguar më 22 nëntor 2023 Ministrisë së Drejtësisë së Turqisë, dosjen e përgatitur me kërkesën për ekstradimin e Dritan Rexhepi, i cili u arrestua në Stamboll.

Ministria e Drejtësisë ju bën me dije se ditën e sotme, më datë 22.11.2023, ka përcjellë në Ministrinë e Punëve të Jashtme për t’u dërguar në drejtim të Ministrisë së Drejtësisë së Turqisë, dosjen e përgatitur me kërkesën për ekstradimin drejt Shqipërisë të shtetasit, Dritan Rexhepi!

Dosja e tij, me kërkesën për ekstradimin e shtetasit Dritan Rexhepi, është nisur në bazë të kërkesave të paraqitura nga SPAK dhe Prokuroria e Përgjithshme në Ministrinë e Drejtësisë datë, 16.11.2023 dhe 17.11 2023”, thuhej në njoftim.

43 vjeçari, i cilësuar si koka e kartelit të drogës, u arrestua në Stamboll me një pasaportë kolumbiane, të regjistruar me emrin Benjamin Omar Perez Garcia.

Ai ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Tirana, më datë 26.03.2006, pasi Gjykata e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda, Tiranë, me vendimin e datës 06.06.2013, e ka dënuar me 25 vjet burgim, për veprën penale “Vrasja me paramendim”, kryer në bashkëpunim, “Plagosja e rëndë me dashje”, kryer në bashkëpunim dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.

– Gjykata e Shkallës së Parë Fier, me vendimin e datës 26.11.2015, e ka dënuar me 4 vjet burgim, për veprat penale “Falsifikimi i letërnjoftimeve, i pasaportave ose vizave”, në rrethana rënduese dhe “Falsifikimi i vulave i stampave ose formularëve”, në rrethana rënduese.

– Gjykata e Shkallës së Parë Tiranë, me vendimin e datës 31.01.2020, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Rrëmbimi ose mbajtja peng e personit” dhe “Trafikimi i narkotikëve”.

Gjithashtu, ky shtetas është shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Roma, Itali, më datë 29.09.2011, pasi Gjykata e Apelit Firence, Itali, me vendimin e datës 15.04.2010, e ka dënuar me 16 vjet e 5 muaj burgim (pjesa e mbetur e dënimit 13 vjet, 8 muaj e 6 ditë burgim), për veprën penale “Grup kriminal me qëllim trafikimin e narkotikëve”, parashikuar nga Kodi Penal i Italisë.

Akuzat në Shqipëri

Dritan Rexhepi, deri në vitin 2010 rezultonte i dënuar në mungesë me burgim të përjetshëm për vrasjen e dy policëve në Krujë në bashkëpunim me dy persona të tjerë. Por 4 vjet më parë çështja gjyqësore u veçua. Rexhepi u dënua me 25 vjet burg, ndërsa dy bashkëpunëtorët e tij, Sokol Halilaj e Shefqet Seferi, me nga 20 vite burg. Dosja Dritan Rexhepin, i njohur edhe me emrin Gramoz, u veçua pasi ky shtetas ndodhej në burg në Itali dhe u dërgua një letër-porosi atje.

Ky ka qenë një nga shkaqet pse Apeli ktheu për rigjykim dosjen, pasi Rexhepi duhej lajmëruar në Itali për gjyqin në ngarkim të tij, ndërsa ishte dënuar me burgim të përjetshëm nga gjykata pa u vënë në dijeni se po gjykohej. Gjykata ka shpallur fajtor për vrasjen e trefishtë të ndodhur në vitin 1999 Sokol Halilajn dhe Shefqet Seferin, bashkëpunëtorë të Dritan Rexhepit në këtë krim.

Seferi ka qenë si ndërmjetësues mes dy vlonjatëve, Halilaj e Rexhepi, të cilësuar edhe vrasës me pagesë. Të tre këta persona akuzohen për vrasje për shkak të detyrës të dy efektivëve të policisë, Arben Keqin dhe Durim Kasmin, në vitin 1999 në Krujë. Në ngjarje, rastësisht u vra dhe pronari i një lokali në Krujë, Raim Bakiasi.

 

Tri arratisjet nga Shqipëria, Italia e Belgjika

Mediat spanjolle u hapën me një kryeartikull në korrikun e vitit 2011, ku e cilësonin Dritan Rexhepin “mbret” të arratisjeve. Gazetarët në Spanjë shkruan disa ditë rresht për shqiptarin e kërkuar, pasi ai realizoi grabitjen e një prej bankave më të mëdha në Barcelonë, mbrëmjen kur gjithë tifozët gjendeshin në shesh duke festuar fitoren e Champions League nga Barcelona.

Policia vendase u trondit nga mënyra se si i kryenin grabitjet e bankave shqiptarët, ndërsa i etiketoi si “grabitësit që nuk linin gjurmë”. Pas arrestimit Rexhepi u ekstradua në Belgjikë, ku kërkohej për trafik të lëndëve narkotike. Por nuk qëndroi më shumë se dy muaj në qeli, pasi në tetor të vitit 2011 ai u arratis nga burgu bashkë me një tjetër të dënuar.

Por kjo nuk ishte arratisja e parë e tij, ndaj edhe cilësohej si mjeshtër i arratisjeve. Në vitin 2008 ai kishte kryer një tjetër arratisje spektakolare nga burgu i Pavias në Itali. Rexhepi merr makinën e një të moshuareje dhe zhduket, duke bërë që i gjithë personeli i burgut të shkarkohej. Por të njëjtën gjë e kishte bërë edhe në Shqipëri. Pasi u arrestua në hollin e një hoteli në Tiranë me dy pistoleta në brez në vitin 2006, Rexhepi u arratis nga Komisariati i Durrësit, pas një ndihmese nga radhët e policisë, që i lanë derën hapur.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.