DOSSIER

“Mbahej i izoluar brenda një arke në qeli te ‘Burgu 313’, në kokë kishte skafandër”- Dëshmia e rrallë e ish-oficerit të Sigurimit: Ja ç’më tha Kadri Hazbiu pak ditë para pushkatimit! Kur u vra ishte shpërfytyruar

07:36 - 17.02.24 E.P
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Pata rastin para pak kohësh udhëtoja në avion me një njeri që e takoja për herë të parë, me të cilin ndonëse ishim fare pranë njëri-tjetrit më shumë se gjysmën e rrugës, ai qëndronte i heshtur. Kishte fytyrë të qetë meditative dhe dy sy shumë të mpretë, ishte pak më tepër se 66 vjeç. Befas më pyet mua se çfarë profesioni kam. Kur i thashë se punoj gazetar, buzëqeshi lehtë dhe vështrimin e hodhi gjetkë.




Po ju e pyes unë?

– Për hir të së vërtetës tani merrem me biznes, por si profesion kam patur shkollën e Sigurimit më pas deri më 31 korrik 1992, si oficer i SHIK-ut kur më pushuan nga puna.

Si ju quajnë?

– Niko Naçi

Pse ju pushuan nga puna?

– Kuptohet, ne ishim “trarët e vjetër” të shtëpisë së vjetër dhe duhet të zëvendësoheshim, në momentin që po ndërtohej shtëpia e re.

Ku punuat, pas heqjes nga puna?

– Për shumë vite qëndrova së bashku me gruan time në Greqi dhe aty punuam fort dhe më pas ngritëm bizneset tona, që kemi realisht.

Një karrierë e gjerë në Sigurimin e Shtetit, çfarë do të veçoni?

– Pa dyshim vitin 1983, kur ne, një grup oficerësh të Sigurimit të Shtetit, u caktuam që të ruanim në burg Kadri Hazbiun, Feçorr Shehun, Llambi e Mihallaq Ziçishtin, Fiqrete Shehun, Nesti Nasen, si dhe ish-truprojën e Mehmet Shehut, Ali Çenon, etj.

Si i ruanit ju, kur ata qenë të mbyllur në qelitë e burgut?

– Ata nuk qenë të burgosur të zakonshëm dhe ndonëse ishin të futur nëpër arka, unë dhe disa shokë të tjerë, i qëndronim secilit nga 6 orë në këmbë, mbi arkë dhe i vëzhgonim. imtësisht

Si qëndronin në arkë, si mund të qëndrojë një njeri, në arkë?!

– Ata ishin vendosur në qelitë e Burgut 313 dhe në qelitë e tyre, ishin përgatitur krevate në formën e një arke të madhe, ku muret ishin të veshura me një shtresë pambuku dhe të mbuluar me një stof. Në vend të krevatit, ishte një arkë e madhe, e cila edhe kjo, ishte e tëra e veshur me pambuk dhe deri në një metro kishte tubo plastike si ato të zjarrfikëseve që rrethonin arkën anembanë, ku ndodhej Kadri Hazbiu dhe të tjerët. Desha të theksoi, se përveç këtyre masave të marra, ata kishin në kokë skafandra.

Po ju ku qëndronit?

– Mbi arkë, pikërisht ju rrinim mbi kokë, gjysëm metra larg, të mbështetur tek tubat që rrethonin arkën, nën vëzhgim të çdo gjesti e lëvizje të tyre.

Sa qëndronit atje?

– Qëndronim 6 orë në këmbë, si qiri mbi kokën e tyre, pa u ulur dhe më pas zëvendësoheshim nga shokët tanë, thjesht ndërronin turnin.

Po kur ata kryenin nevojat personale?

– Ky padyshim ishte momenti më i vështirë, futeshim në banjë së bashku me ata dhe qëndronim atje ngjitur me ta, brenda banjës kur kryenin nevojat.

A bisedonit me ta?

– Ne e kishim kategorikisht të ndaluar, po në mesnatë edhe shkëmbenim ndonjë fjalë; të vinte zor, se deri dje i kishim patur eprorë dhe kishim dhe njohje personale e, ngeleshe në pozicion të vështirë.

Çfarë bisedonit?

– Ja për shembull, në atë kohë mua më vdiq babai dhe kur Kadri Hazbiut i kishte vajtur një shok tjetër për ta ruajtur, ai e kishte pyetur: “Ku është Nikua”?! Ai i kishte thënë se i ka vdekur babai. Kur unë erdha pas dy ditësh në qelinë e Kadri Hazbiut, ai u ngrit në këmbë dhe m’u drejtua mua: “Niko do të ma japësh dorën, që të të ngushëlloj për babain, jemi shqiptarë të shkretën”?! Ai më ngushëlloi me shumë njerzillëk dhe unë ia zgjata dorën…!

Po për ngjarjet jashtë çfarë ndodhte, a ju pyesnin?

– Po kishte raste që na pyesnin, por ne e kishim kategorikisht të ndaluar, ndonjë muhabet e bënim pas mesnate, jo ngjarje serioze, por ndonjë bisedë të thjeshtë, e pa zarar.

Cili nga të arrestuarit sillej më mirë?

– Padyshim Kadri Hazbiu, ishte burrë inteligjent dhe shumë i zgjuar, kishte një nuhatje të paparë, më tregonte për shkollën e mesme Tregtare të Vlorës dhe më pas në Bashkimin Sovjetik, ku kishte kryer kurse speciale të KGB-së.

Po të tjerët flisnin?

– Po, më tepër Nesti Nase, ish-Ministri i Jashtëm, i cili na tregonte se si piqej qingji në Mongoli, kur ai kishte qenë ambasador. Ai thoshte se e kishte marrë malli, për të ngrënë një qingj Mongolie, i cili mbushej në barkun e tij me gurë të nxehtë dhe më pas rrotullohej në hell, nuk kishte gjë më të shijshme,

Si e kishin trajtimin, se thuhej se Kadri Hazbiut i kishin shkulur dhëmbët dhe i kishin prerë gjuhën?

– Absolutisht jo, ata trajtoheshin shumë mirë, kishin ushqim të mirë, gjellë me mish, iu sillnin ilaçet, pasi një pjesë ishte me mjekim dhe i vizitonte shpesh mjeku. Deri ditën e pushkatimit, ata janë trajtuar shumë mirë.

Si u pushkatuan?

– Unë, atë natë e pushkatimit, nuk isha me shërbim, por më tregoi një shoku im, që ishte atë moment me shërbim, se kur erdhën i morën për t’i pushkatuar, ata mbaruan krejt. Ju kishën lidhur krahët me shirita plastike dhe ata morën formën e trungjeve, më pas i kishin çuar para gropave të hapura dhe pasi i qëllonin me pistoletë në kokë, i shtynin në drejtim të varrit, me anë e një litar të shkurtër, që iu kishin vendosur në gjoks. Më thanë shokët, se në momentin e pushkatimit, ishin shpërfytyruar fare, të gjithë kryen nevojat në këmbë, para gropës së hapur…!

Sa kohë qëndruat në qeli me ata?

– Rreth një vit e tre muaj. Atëhere isha dhe i fejuar dhe askujt nuk i tregonim se ku vinim, për hir të së vërtetës, unë i kisha treguar vetëm nënës sime. Nga Bardhyl Berberi Memorie.al


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.