DOSSIER

“M’i morën nga duart djemtë e mi, njërin ma pushkatuan, tjetrin ma dënuan 25 vjet burg”/ Historia tragjike e familjes së famshme nga Bërzeshta

15:03 - 18.02.24 E.P
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Nga Beqir Sina, New York




Një familje e tërë që gjatë sundimit komunist kaloi vuajtjet e tmerrshme në burgjet e kampet e internimit në Shqipëri: Vilson Blloshmi – pushkatuar në 1977 , Bedri Blloshmi arrestuar ne 1977, liruar ne 1991, Sami Blloshmi 15 vite burg, Hajdar Blloshmi,  i pushkatuar, Hasan Blloshmi, vdekur ne burg, për të mos harruar dhe pjesën e internimit. Kjo është historia e familjes të patriotëve, Blloshmëve të Elbasanit dhe persekutimi i tyre si fis në kohën e sundimit komunizmit që shënuan emrin në histori dhe rrëfehet nga i mbijetuari i Blloshmëve, babai i poetit të pushkatuar Sami Blloshmi, kur ai po i afrohej të 90-ve.

Zoti Blloshmi, ardhja juaj në Amerikë, a ka ndonjë shkak (motivim), dhe a gjetët në këtë vend atë që e kishit menduar më parë?

Shkaqet janë disa: e para se kam birin Selman Blloshmin këtu, se bashku me familjen e tij, edhe bijën time, Lirije Xhydollari, po së bashku me familjen e saj, kam gjithashtu edhe vëllain tim, Bukurosh Blloshmin, me familjen e tij, dhe e dyta realizova një ëndërr të kahershme, për të cilën një jetë të tërë kam vuajtur, dhe ishte një ëndërr që unë të shkelja në Tokën e Premtuar, shpresën e vetme dhe të fundit që kam pasur unë dhe familja ime, që sytë i kishim gjithë jetën nga Amerika, dhe faleminderit që erdhi një kjo ditë dhe i madhi Zot, ma realizoi këtë dëshirë.

Juve jeni një familje që megjithëse patët humbje të mëdha njerëzore dhe materiale, nga ai regjim, prapë se prapë, i mbijetuat diktaturës komuniste. Si e kishit gjithë këtë fuqi?

Në radhë të parë, duke respektuar edhe bashkëvuajtësit e mi – më duhet të pranojë se familja ime, nuk mund të quhet e veçantë, megjithëse kemi edhe ne specifikat tona, por do të thoja në përgjigje të pyetjes suaj, se në Shqipëri ka patur shumë familje të tilla, që patën humbje të mëdha, por falë moralit të lartë shpirtëror, familjes, origjinës së tyre, dhe besimin në Zot, besimin në nder e drejtësi edhe ne si bashkëvuajtësit tanë, megjithëse me vuajtje të mëdha, ia arritëm që të mbetemi ekzistence, pra të mbetemi gjallë.

Zoti Blloshmi, pasi jeni edhe pak në moshë, pyetja është se; kur do të fillonte jeta juaj, a mbani mend ato çfarë keni përjetuar? Çfarë historie mbani mend ju?

Unë mbaj mend mirë periudhën e Mbretërisë Shqiptare e cila pati një sistem organizimi të përsosur, por kryesisht një sistem juridik shumë të pranueshëm, që e bënte popullin t’i gëzoheshe asaj që kishte vendosur Mbreti Shqiptar atëhere. Ne kishim pronat tona, të cilat ishin të mbrojtura me kushtetutë, ishte liria e besimit, feja ishte e shenjtë, mbrohej me ligj rendi edhe qetësia, sa që një xhandar në një krahinë, mund të them se ishte i mjaftueshëm. Leku shqiptar ishte i fort dhe njerëzit paguheshin me mirë. Ajo që sot është ëndrra e çdo njeriu, lëvizja e lirë nëpër botë, në kohën e Mbretit Zog i Parë, ishte realitet, rrugët e shqiptarëve me pasaportën e Mbretërisë, për në gjithë botën, ishin të hapura edhe paraja ishte e garantuar.

Unë mbaj mend dhe ditën e zezë të okupimit fashist, që jo vetëm na pushtoi vendin, por na prishi dhe atë që e kishim filluar aq bukur edhe mirë t’a ndërtonim. Okupimin e paguam me shumë gjak djemsh të rinj, që ishin nacionalist të vërtet. Për shkak të ardhjes së mortajës së kuqe, e cila erdhi gjatë asaj lufte kur u formuan edhe partitë e ndryshme në Shqipëri, që fatkeqësisht nuk e gjetën gjuhën e përbashkët, por u gjakosën me njëra tjetrën, në një luftë vëllavrasëse. Kjo e keqe natyrisht, që solli ato plagë që po bën treçerek shekulli në demokraci, që klasa politike në Shqipëri, ende nuk ka pasur vullnet që t’i mbylli plagët e krijuara në periudhën e diktaturës komuniste.

Tani kur kujtojë diktaturën, mendojë që nga fjala diktaturë, na jep të kuptonim se çfarë do prisnim nga ajo gjëmë e keqe. Mbas luftës me të vështirë, Shqipëria që u pranua në Lidhjen e Kombeve, rezultoi se ajo ishte e kundërta me vendet e tjera. Ajo përfaqësonte një model për askënd dhe një sistem që erdhi duke u degraduar. Pasoja më e madhe që solli komunizmi, ishte ç’veshja e njerëzve nga personaliteti, dinjiteti, edhe nga përgjegjshmëri individuale kombëtare, ndaj internacionalizmit, partia – shtet donte dhe i formojë njerëzit, sipas modelit të saj – siç predikonin ata; “Njeriun e ri të Partisë”.

45 vjet të sundimit të Enver Hoxhës, kanë qenë jo vetëm për mua dhe bashkëvuajtësit e mi, por edhe për popullin shqiptarë në përgjithësi, vitet më të këqija që ka kaluar ndonjëherë Shqipëria dhe populli ynë. Vendosja e ligjeve të këqija, ishin forma më e keqe e tiranisë, shpronësimet deri në dhimbje dhe shkatërrimi i pronës private. Të zotit ju hoq e drejta që të kishte vend në Shqipëri. Lufta e klasave shkoi deri atje, sa diktatori hëngri edhe bijt e vet:,- E çfarë t’u rrëfejë më shumë, vetëm lutem që mos ardhtë kurrë më ajo kohë e, mos ju dëgjoftë emri kurrë, atyre që drejtuan në atë kohë.

Tani, unë po jetoj edhe këto dy-tre dekada që po bëhet përpjekje për të ndryshuar nga ato pasoja që la pas periudha komuniste, për mua në këto vite kanë bërë, si me thënë; “doli e mira me të keqen, e drejta me të pa drejtën, si edhe mentalitetet perëndimore, me ato lindore”. Shqiptarët nuk duhet të qëndrojnë njëherësh, hipur në dy “kuaj”, se kështu gjithmonë do të të pësojnë aksidente! Ata duhet të hypnin në atë “kalë” që thotë Europa edhe të mbërrijnë në destinacion. Juve jeni të rinj edhe me durim dhe përpjekje por do tja arrini të shpëtoni nga kanceri komunist.

Si nisi tragjedia e familjes suaj dhe a është bërë e njohur deri tani? Apo keni më për të thënë….?! Çfarë mendoni ju?

Familja jonë ka qenë e njohur prej shume shekujsh, me vetëdije kombëtare, me pushkë edhe penë ka përfaqësuar territoret e saj në shumë kuvende kombëtare. Im atë, Selman Blloshmi, ka qenë kryetar krahinor, siç i thoshin në ato kohë. Ai ka përfaqësuar krahinën tonë dhe Pogradecin, në Kongresin e Elbasanit më 1908. Ai ka dhënë ndihmesën për shkrimin e këndimin e gjuhës shqipe. Qysh në atë kohë ai i vuri rëndësi shkollimit të bijve të vet.

Birin e tij të madh dhe vëllain tonë, Aziz Blloshmi, e dërgoi për studimet e larta ushtarake në Austri dhe kur mbaroi ai shërbeu në administratën e qeverisë Mbretërore Shqiptare. Ardhja e komunizmit, kërkoi eliminimin e këtij kuadri me kulturë perëndimore edhe ashtu ndodhi. Azizi më 1944-ën, u pushkatua nga komunistët, këtu filloi tragjedia e familjes tonë, e cila vazhdoi me cilësimin kulak dhe kjo gjë solli shkatërrimin e plotë të ekonomisë sonë, që e kishin vendosur ndër breza.

Persekutimi komunist ndaj familjes tonë nuk do të mbaronte, arrestuan vëllain tonë që vinte mbas Azizit, Hasan Blloshmin, me akuza politike të stisura, ja hoqën të drejtën e lirisë për 25 vite.

Në vazhdim me arrestuan edhe mua. Ligji i agjitacion-propagandës (Neni 55) nuk donte shumë mundim për t’a burgosur një njeri, në Shqipërinë e kohës së komunizmit. Më dënuan 7 vjet heqje lirie. Komunistët e kishin planifikuar që meshkujt nga shtëpia jonë, duhet të ishin të gjithë në burg. Në vitin 1976, më arrestuan dy 2 djemtë e mi, Vilson Blloshmi e Bedri Blloshmi, pasi kuadri komunist në Librazhd, kërkonte eliminimin e tyre. Ata, të vetmin krim që kishin kryer, ishte se dashuronin letërsinë – lexonin libra në shqip e në gjuhë të huaj dhe shkruanin fraza dhe rreshta poezish lirike dhe patriotike. Të dy i dënuam me vdekje pushkatim. Por fatmirësisht, Bedriut ja lanë me 25 vjet heqje lirie. Vilsonin ma vranë, më muarnë nga duart e mi dritën e syrit, pikërisht ata që sot janë në pushtet dhe hiqen sikur nuk kanë bërë asgjë. Mbasi na sakatuan shpirtërisht, na internuan duke na shpërngulur nga shtëpia dhe po atë ditën e internimit, ri-arrestuan vëllain tonë, Hasan Blloshmi, që porsa ishte liruar nga burgu i parë dhe ai nuk doli më i gjallë nga burgu, pasi vdiq atje.

Për sa kohë do ishit i persekutuar dhe do të jetonit me frikën e regjimit, të privuar nga liria dhe në burgje?

Ne si familje do të jetonim nën terrorin komunist, nga viti 1944 e, deri sa Perëndimi do të triumfonte mbi Lindjen komuniste dhe do të likuidoheshin relikat komuniste, në të gjithë Shqipërinë. Viti 1990, ishte viti i fillesës së lirisë, jo vetëm për familjen tonë, por për gjithë shqiptarët. Tani jemi në pritje që të konsolidohet liria dhe drejtësia e të dalë në dritë drejtësia për të cilën vetëm mbetëm duke shpresuar, si unë, ashtu dhe bashkëvuajtësit e mi.

Gjithë kjo vuajtje sa duhen disa libra për t’i shkruar ato që keni kaluar! Cili ishte shkaku?

Shkaku ishte se neve jemi familje e njohur për patriotizëm, atdhedashës, luftëtar, intelektual dhe pronarë, ishte e vetmja mënyrë për të luftuar të gjitha familjet si ne, kudo në Shqipëri, nga Veriu në Jug, sepse kështu ata do të mbeteshin gjallë e, do të sundonin për 45 vjet me radhë, duke qëndruar në fuqi. Ata ishin të bindur që komunizmin neve si sistem nuk e donim, dhe megjithëse e panë që asnjëherë nuk i sollëm dëm, përkundrazi e kishim ndihmuar në luftën ndaj okupatorit fashist dhe nazizmit, pra-se prap ne ishim më të përndjekur ashtu si dhe shumë familje të mëdha shqiptare që pësuan të njëtin fat me ne.

Familja Blloshmi, mendoni se e ka marre vlerësimin e nderimin që meriton, gjatë këtyre dy – tre dekadave të periudhës së demokracisë?

Nuk mund të themi që fare jo. Është vënë emri i Vilsonit në një shkollë në qytetin e Librazhdit, po në këtë qytet, është vendosur një bust në përkujtim të Gencit edhe Vilsonit, dy poeteve të pushkatuar. Shokët e letrave të Vilsonit e Gencit, i kanë përjetësuar ata, duke i përmbledhur në vepra shkrimet e tyre. Në përkujtim të tyre, janë shkruar skenarë televizive dhe ato transmetohen në ekranet e televizioneve, me rast datash përkujtimesh.

Është premtuar se shtëpia e lindjes të Vilsonit në Bërzeshtë, do të bëhet muze! Në dhomën Muze të Vilsonit, kanë bërë vizita kryetari i Parlamentit Shqiptar, shkëlqesia i tij i ndjeri zoti Pjetër Abnori, si dhe ish-presidenti i nderuar, shklëqesia e tij zoti Bamir Topi, si dhe shumë ministra e deputetë. Këto për mua janë sasi e konsiderueshme morale, por vlerësim kapital, ende mbetet për t’u parë.

Ju nuk keni ndonjë pension të posaçëm, prej djalit tuaj Vilsonit të pushkatuar? Po gruaja e tij dhe fëmijët?!

Mua, si babai i Vilsonit, një vlerësim i tillë deri tani nuk më është bërë. As nëna e Vilsonit, nuk e ka patur, por as vajza e tij Eni, nuk është trajtuar me një pension të tillë!

Në mos gabohem, në 8 vjetët e fundit: para-dëmshpërblimi, keni marrë si të përndjekur politik, që keni qenë, po jo?

Qeveria e kaluar kishte planifikuar që dëmshpërblimet në vlerë leku, t’i paguante me shumë këste, që unë tani nuk i kujtoj dot sa sa janë, por unë kam marr vetëm 2 këste, me shuma të vogla për çdo këst.

Vijmë tek një çështje e rihapur disa herë. A jeni ju, të rihapet dosja e Vilson Blloshmit, po për dosjet e tjera?

Për sa di unë, në shtyp e në libra, janë botuar shumë materiale nga dosja e Vilsonit, mbase jo të gjitha kanë dalë dhe emrat e atyre që çuan në pushkatim Vilsonin. Por më kot, politikanët e sotëm i kanë veshur me pushtet. Akoma sot politika në Shqipëri, ka besim në këtë administratë, njerëz që kanë bërë krime, kjo është çudia me e madhe në demokracinë e sotme. Përsa i përket dosjeve në përgjithësi, si thoni ju, unë mendoj se ajo është pjesa më e errët e këtij vendi, që ato dosje, vazhdojnë të jenë të mbyllura në qilarët e zeza të këtij vendi, që quhet shtet.

Shqipëria është i vetmi vend në Europë që me këmbëngulje, e zmbraps çdo kërkesë për hapjen e tyre. Klasa politike sot në Shqipëri, u jep mesazh qetësimit të gjithë veglave të diktaturës, spiunëve, hetuesve, torturuesve, duke u thënë me këtë rast: “Rrini të qetë, se jeni të mbrojtur nga te gjitha krahët”, ndërkohë që Shqipëria është e pambrojtur, nga të gjitha krahët.

Zoti Blloshmi! A ju takon ndonjëherë në Tiranë apo Librazhd, t’i hasni rastësisht ata, që i ndjeni si shkaktar e tragjedisë tuaj?

Sot, në demokraci natyrisht që nga lëvizja e lirë, na takon shpesh që të shihemi me njëri tjetrin, por edhe po nuk u pamë fizikisht, shihemi nëpërmjet ekranit të televizorit, ky fytyrat e tyre janë pothuajse çdo ditë në politikë, apo jetën sociale. Ata kanë një kurajo të çuditshme – dhe hiqen sikur nuk kanë asnjë faj dhe nuk kanë qenë atë që na bënë gjëmën, mua dhe mijëra bashkëvuajtësve të mi. Tek, sytë e tyre, unë për vete nuk shohë asnjë shenjë ndjenje, apo vrasje ndërgjegje se kanë bërë diçka, asnjë shenjë pendese…?! Bile do të thoja se:

“Ata tregohen kryelartë, sikur të kenë bërë ndonjë vepër në të mirë të njerëzimit – dhe u erren sytë kur na shohin ne sot, që fëmijët tanë, të paktën ka përparuar dhe janë të suksesshëm. Dhe tani që janë edhe me pushtet, kur na shohin me shumë fodullëk, janë gati të na thonë; “Ja ku ne na keni përsëri dhe jemi në pushtet e nuk keni se çfarë të na bëni, ashtu sikur nuk kishit ç’të na bënit dikur”. Dua të them, se ky është dënimi më i rëndë që na ka dhënë sot politika e këtyre dy-tre dekadave të periudhës së demokracisë. Bile aq më keq, se bijët e tyre shkruajnë, sikur u vjen keq për vuajtjen tonë…! Çfarë hipokrizie, që s’ka ndodhur në asnjë vend të botës!

Si e keni vlerësuar ju zgjedhjen e Bedri Blloshmit, në krye të Institutit të ish- të Përndjekurve Politik në Shqipëri, si një pendesë e socialistëve për familjen Blloshmi, apo një privilegj politik, në pazaret politike?

Unë mendoj, se zgjedhja e Bedriut në krye të atij institucioni në atë kohë, për mua që e njoh mirë, se e kam djalë dhe e kam rritur vet, është se nuk mund t’a paragjykoj. Ajo ka qenë, mendoj unë, një përzgjedhje e kryeministrit të ri. Në programet që kjo qeveri thotë, se ka për shtresën e ish-të persekutuarve nga regjimi komunist, në se mund t’a quaj një korrigjim, për realizimin e programit.

Bedri Blloshmi, në këtë rast, nuk përfaqëson vetëm familjen Blloshmi, por është për të përfaqësuar të gjithë shtresën e të persekutuarve nga komunizmi, dhe në mos ai, dikush do të ishte në atë detyrë, dhe kjo vlen ndoshta edhe për të iu përgjigjur pyetjes suaj; “përsa i përket pazareve politike”. Bedriu, për sa e njoh unë si birin tim, nuk ka natyrë komprometimi, që do të ishte në dëm të shtresës së vet. Ai, po qe se do të shoh se qeveria do t’i japi shenjat e një “djallëzie”, Bedriu menjëherë është nga ata që e denoncon. Ai është i pa kompromentueshëm, do të thoja, me plot bindjen time.

A mendoni se është bërë sa duhet, për të persekutuarit politik në Shqipëri?

Ka dy-tre dekada që sistemi i diktaturës komuniste, thuhet se nuk ekziston dhe si i tillë, me këtë shtresë, klasa politike shqiptare duhet të kishte mbaruar punë njëherë e mirë dhe të mos ekzistonte më kjo pyetje, sepse, të thuash ende nuk është bërë sa duhet, është një pyetje e rëndë, për vet këtë shtet që pretendon se është demokraci, pyetja duhet të i drejtohet tani drejtuesve politik të vendit, se: “Kur do të integrohet shtresa e ish- të persekutuarve dhe pse është de-faktorizuar deri tani, kjo shtresë?!

Çfarë mesazhi kishit, për bashkëvuajtësit tuaj?

Duke ju falenderuar juve që më dhatë rastin të komunikoj me lexuesin e gazetës tuaj, mbas kësaj moshe mbi 90 vjeçare timen, të gjithë bashkëvuajtësit e mi, i ngushëlloj për dhimbjet shpirtërore e fizike që pësuam nga djalli i kuq komunist dhe i uroj të kenë durim, durim e durim, se e drejta do të triumfojë mbi ata, pasi; “Vërtet vonon, por kurrë nuk harron”! Memorie.al


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.