Kryesore

Porta,“halli” i Silvinjos në prag të Europianit/ Trajneri shfaqet në kryeqytet, ja situata me kuqezinjtë

22:03 - 21.02.24 E.P
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Jemi në vitin e Europianit dhe Silvinjo vijon punën duke takuar lojtarët nëpër Europë dhe duke dalë në konkluzionin e një liste që do të përpilojë për miqësoret e muajit mars ku Kombëtarja do të luajë dy takime, ndaj Kilit më 22 dhe tri ditë më vonë kundër Suedisë në Stokholm.




Trajneri ka mbaruar një pjesë të takimeve, ku i fundit ishte në Londër me Brojën dhe ditën e djeshme është shfaqur në Tiranë, nën shoqërinë e stafit të tij: Zabaleta, Doriva dhe Bulku.

LISTA- Rei Manaj është lojtari i cili po “shpërthen” në Turqi dhe mesa duket do të ketë një ftesë të garantuar nga Silvinjo për këto dy miqësore. Përveç Manajt, nuk përjashtohet edhe ndonjë emër tjetër surprizë në listën e brazilianit. Dilemë ka edhe për Kumbullën, pasi mbrojtësi kaloi në huazim te Sasuolo, por ende nuk ka debutuar pas dëmtimit dhe do të shihet situata e tij deri sa të vijë data e grumbullimit.

Arbnor Muçolli është një tjetër lojtar për të cilin ka dilema, pavarësisht se në miqësore trajneri mund të thërrasë më shumë lojtarë, edhe pse zakonisht ai merr deri në 26. Marvin Çuni po ashtu, pasi të gjithë nuk mund të përfshihen. Interesante do të jetë edhe se çfarë Silvinjo do të bëjë me Amir Abrashin dhe Odise Roshin.
Pyetja që ngrihet është: A do të ketë një rikthim për ta në ekipin kombëtar, apo gjithçka është një kapitull i mbyllur? Gjithashtu pritet të shihet nëse do të grumbullohet dikush nga Superiorja, edhe pse kjo gjë është shumë e vështirë.

AKTIVIZIMI- Nëse futemi në një analizë sipërfaqësore, pjesa më e madhe e futbollistëve që kontribuan në kualifikimin në Europian, po luajnë rregullisht me klubet e tyre. Fatmirësisht dëmtime nuk ka dhe shpresojmë që të jetë kështu deri në qershor.

Nga mbrojtësit, si Gjimshiti, Ismajli, Balliu dhe Hysaj më pak, po luajnë me klubet respektive, ndërsa Mitaj është në pauzën e kampionatit në Rusi. Mihaj, Veseli po marrin minuta, ndërsa Ajeti u rikthye të luajë 90 minuta pas shumë ndeshjesh këtë fundjavë, kjo për shkak se mbrojtësi që luan në Rumani ishte i dëmtuar. Në mesfushë, Ramadani po merr minuta të plota, ndërsa vështirësi ka hasur Asllani dhe Bajrami.

Po ashtu Laçi dhe Bare zbresin rregullisht në fushë me ekipet e tyre. Duke kaluar përpara, Muja dhe Muçi u transferuan në Turqi ku janë shfaqur menjëherë protagonist, ndërsa Jasir Asani është duke zhvilluar fazën përgatitore me klubin Korean dhe rikthimi në futbollin europian nuk u realizua.

Sa u përket sulmuesëve, pothuajse të gjithë kanë qenë në formë të mirë, ku golat nuk kanë munguar. Si Cikalleshi, Uzuni, Seferi kanë shënuar, ndërsa Broja ka pasur pak vështirësi, kjo edhe e shoqëruar me ndërrimin e ekipit. Ndërsa Daku ka gjetur rrjetën në miqësore, pasi kampionatin e fillon në muajin mars.

PORTA PROBLEM – Ndërkohë i vetmi problem sa i përket aktivizimit mbetet porta. Ai që luan rregullisht është Elhan Kastrati në Serinë B me Çitadelën, por ndeshjet e Kombëtares kanë tjetër peshë. Etrit Berisha dhe Thomas Strakosha janë dy portierët më me eksperiencë të Kombëtares shqiptare, por problemi qëndron se asnjëri prej tyre nuk po shfaqet në portë dhe kjo situatë është tepër e vështirë për të ndryshuar.

Fleken është numri një te Brentfordi dhe pavarësisht disa luhatjeve që ka pësuar, sërish i është besuar formacioni dhe Strakosha do të duhet të durojë gjatë në stol. Nga ana tjetër situata e Etrit Berishës është pak a shumë njësoj.

Portieri 34-vjeçar nuk ka luajtur këtë vit me Empolin pasi Kaprile u rikthye nga dëmtimi e po ashtu klubi ka ndryshuar trajner. Në ndeshjen e fundit, Berisha nuk ishte as në stol dhe nuk ishte grumbulluar, teksa ende klubi nuk ka bërë të ditur se cili ka qënë shkaku që portieri ka munguar.

KRISTI SEJATLLARI – PANORAMASPORT.AL

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.