Kristjan Asllani do të jetë titullar kundër Atalantës, për herë të parë në këtë sezon në dy ndeshje radhazi në Serinë A. Mirëpo, trajneri Inzagi mund ta bëjë gjumin të qetë. Mesfushori i Kombëtares shqiptare ka qenë gjithmonë protagonist kur numri një i stolit i ka besuar një fanellë titullari.
Deri tani, ai ka luajtur kundër Fiorentinës dhe Leçes, duke dhënë 2 asiste për Lautaro Martinezin dhe ka qenë vendimtar në lojën e skuadrës. Kundër Leçes u zëvendësua në pjesën e dytë sepse trajneri nuhati që Çalhanoglu do të kishte probleme dhe do të mungonte për 2 ndeshje. Por Kristjan deri tani i ka bërë mjaft mirë “detyrat e shtëpisë” të mësuara nga profesori i tij Çalha. Kështu e quan ai dhe të gjithë tek Interi.
Tani do të ketë një tjetër provë ndaj një rivali më të fortë dhe përballë Berat Gjimshitit. E treta e vërteta për të. Është rritur shumë në lojë dhe në aspektin fizik, prandaj trajneri nuk ka frikë që t’ia besojë atij fanellën e titullarit në këtë ndeshje në mungesë të mesfushorit Hakan Çalhanoglu. Megjithatë, trajneri provoi që të luante edhe me Barelën përpara mbrojtjes për shumë minuta në ndeshjen kundër Leçes. Një eksperiment që në të shkuarën ka rezultuar i dështuar, por Barela është përmirësuar dukshëm në sezonet e fundit.
PANORAMASPORT.AL