Drejtori i Policisë së Gjirokastrës, Ardian Çipa ka dhënë detaje për aksidentin e ndodhur në orët e para të mëngjesit të sotme në Këlcyrë, ku humbën jetën 8 persona.
Në një deklaratë për mediat, Çipa shpjegoi se mjeti me emigrantë ka qenë duke lëvizur me shpejtësi tej normave dhe patrulla e policisë i ka bërë shenjë që të ndalojë, por mjeti në këtë moment është kthyer për në drejtim të Përmetit, duke u larguar me shpejtësi.
Efektivët janë vënë në ndjekje të makinës, por më pas kanë humbur gjurmët.
Çipa sqaroi se pasi kanë humbur kontaktin vizual me makinën, patrulla e policisë ka pyetur qytetarë të ndryshëm nëse e kanë parë mjetin duke lëvizur, por përgjigja e tyre ka qenë negative dhe për këtë arsye ata kanë nisur një inspektim në zonë.
Nga ky inspektim, efektivët kanë arritur në vendin e ngjarjes, ku pasi kanë para shenja në rrugë, kanë zbuluar makinën e bërë copash në afërsi të lumit Vjosa.
“Policia ka hasur një mjet që po vinte me shpejtësi tej normave të lejuara. Në përpjekje e sipër për t’i bërë shenjë për të ndaluar, automjeti është kthyer dhe është nisur me drejtim nga qyteti i Përmetit. Patrulla e policisë, e cila ishte me shërbim për kontrollin, me automjetin e vet e ka ndjekur deri në afërsi të vendit të ngjarjes, menjëherë ka informuar sallën operative dhe ka transmetuar të gjithë informacionin për mjetin që ishte larguar në drejtim të Përmetit me shpejtësi të madhe.
Rreth orës 03:55, duke qenë se nuk është konstatuar automjeti, patrulla ka lëvizur drejt Përmetit duke marrë edhe kontakte me qytetarët, që i ka pyetur nëse kanë parë një mjet të tillë i cili kishte ikur me shpejtësi. Duke qene se nuk ka marrë informacione, kanë nisur inspektimin e të gjithë zonës, dhe pikërisht në zonë ku ndodhemi, kanë parë shenja të aksidentit rrugor dhe më pas ka lokalizuar automjetin, i cili ka rënë në anë të lumit Vjosa. Patrulla ka transmetuar informacionin shërbimeve të cilët më pas kanë njoftuar prokurorin, grupin hetimor”, deklaroi ai.
Ndër të tjera, Ardian Çipa, ka bërë me dije se paraprakisht dyshohet se drejtuesi i mjetit është nga Shkodra, ndërsa shtatë personat e tjerë janë emigrantë të paligjshëm.
Ai u shpreh se janë ende duke kryer hetimet në vendngjarje, për kryerjen e shumë ekzaminimeve për të marrë dhe administruar prova për identifikimin e personave dhe sqarimin e rrethanave.
“Paraprakisht dyshohet që drejtuesi i mjetit ka qenë një qytetar që dyshohet se është nga qyteti i Shkodrës, dhe jemi ende duke punuar për ta identifikuar. Personat e tjera dyshohet se duhet të jenë emigrantë të paligjshëm. Ka pasur edhe raste të tjera që kemi konstatuar emigrantë të paligjshëm.
Nuk japim dot një konkluzion sa i përket shpejtësisë së automjetit. Jemi ende duke kryer hetimet në vendngjarje, numri i kufomave është i madh dhe si rezultat ka nevojë për kryerjen e shumë ekzaminimeve për të marrë dhe administruar prova për identifikimin e personave dhe sqarimin e rrethanave. Pra drejtuesi i mjetit dyshohet se është nga Shkodra, ndërsa të tjerët emigrantë të paligjshëm”, tha Çipa.