Avokati i Popullit, ka reaguar në lidhje me aksidentin tragjik të ndodhur mëngjesin e djeshëm në Këlcyrë, ku humbën jetën tetë persona, shtatë emigrantë dhe shoferi i automjetit nga Shkodra.
Në një postim në rrjetet sociale, Avokati i Popullit e quan ngjarjen një kambanë alarmi për forcimin e masave ndaj kontrollit të emigrimit të paligjshëm, ndërsa shtoi se duhen romovuar rrugë legale dhe të sigurta për emigracionin.
“Kjo ngjarje duhet të shërbejë si këmbanë alarmi për forcimin e masave ndaj kontrollit të emigrimin të paligjshëm dhe për të promovuar rrugë legale dhe të sigurta për emigracionin. Adresimi në nivel global i çështjes së migracionit duke trajtuar shkaqet në origjinë, është e vetmja zgjidhje e qëndrueshme.
Forcimi i ligjit dhe zbatimin e tij, krijimi i mundësive legjitime për emigracion dhe azil, si dhe bashkëpunimi ndërkombëtar për të adresuar shkaqet themelore të emigrimit të paligjshëm janë çështjet që duhen adresuar me prioritet”, thuhet në reagim.
Ndër të tjera, theksohet se kjo ngjarje duhet të na kujtojë për rëndësinë e jetës dhe nevojën për ta ruajtur dhe mbrojtur jetën njerëzore në çdo rrethanë.
Postimi i plotë:
Avokati i Popullit ka përcjellë me shqetësim të thellë ngjarjen e rëndë të aksidentit tragjik në aksin rrugor Këlcyrë-Përmet, që solli për pasojë 8 viktima.
Emigrimi i jashtëligjshëm është një sfidë mbarëbotërore dhe çështje e ndjeshme për shoqërinë në tërësi, me të cilën po përballemi fort në dekadën e fundit edhe në vendin tonë.
Ka shumë arsye që njerëzit vendosin të emigrojnë, përfshirë shkëputjen nga konfliktet, kërkesën për mundësi të reja punësimi dhe dëshirën për të përmirësuar cilësinë e jetës së tyre dhe të familjes.
Kjo ngjarje duhet të shërbejë si këmbanë alarmi për forcimin e masave ndaj kontrollit të emigrimin të paligjshëm dhe për të promovuar rrugë legale dhe të sigurta për emigracionin. Adresimi në nivel global i çështjes së migracionit duke trajtuar shkaqet në origjinë, është e vetmja zgjidhje e qëndrueshme.
Forcimi i ligjit dhe zbatimin e tij, krijimi i mundësive legjitime për emigracion dhe azil, si dhe bashkëpunimi ndërkombëtar për të adresuar shkaqet themelore të emigrimit të paligjshëm janë çështjet që duhen adresuar me prioritet.
Është e rëndësishme që politikat dhe ligjet të mbrojnë të drejtat e emigrantëve dhe të sigurojnë që ata të trajtohen me dinjitet dhe respekt. Përsa më sipër, Avokati i Popullit ka hartuar disa raporte dhe ka dhënë rekomandime ku ka adresuar çështje me rëndësi mbi këtë temë.
Kjo ngjarje duhet të na kujtojë për rëndësinë e jetës dhe nevojën për ta ruajtur dhe mbrojtur jetën njerëzore në çdo rrethanë.