LAJMI I FUNDIT

Real Madrid mban Barçën në limite, vula e titullit vendoset në “El Clasico”?

14:53 - 03.04.24 gsh
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Trajneri i Barcelonës, Ksavi Hernandez vazhdon të shpresojë se mund të ndodhë mrekullia dhe t’i marrë titullin nga duart Realit në 8 javët e mbetura në La Liga.




Por përtej optimizmit të dyshes Laporta-Ksavi, Barcelona është e vetëdijshme se duhen kombinuar së paku dy faktorë që ajo t’ia dalë të ruajë kurorën e fituar në sezonin e kaluar.

Së pari, Barçës i duhet të fitojë të gjitha ndeshjet e veta deri në fund, dhe së dyti të presë ndonjë gabim fatal të Realit të Madridit, gjë që nuk po duket në horizont.

Kështu kaloi dhe fundjava që lamë pas. Barça mundi Las Palmasin të shtunën dhe ktheu sytë nga Madridi të dielën. Katalanasit shpresonin në ndonjë dorë të Bilbaos, por më kot. Madridi bëri detyrat e shtëpisë falë dygolëshit të Rodrigos dhe vazhdon të ruajë epërsinë e tetë pikëve me tetë ndeshje të mbetura në kampionat.

“El Clasico” që zhvillohet pas dy ndeshjesh (java 32) mund të vendosë kështu kampionatin, veçanërisht nëse Madridi është në gjendje ta ruajë këtë avantazh deri më 21 prill kur dy titanët të përballen në “Bernabeu”.

Madridi udhëton për në Majorka fillimisht, ndërkaq dhe Barça gjithashtu ka një përballje të komplikuar në transfertë përballë Kadizit. Që të dy gjigantët kanë nevojë për fitoren, por veçanërisht ekipi i Ksavit nëse dëshiron të arrijë në “Bernabeu” me ndonjë shans për të sfiduar skuadrën e Ançelotit në shtëpinë e vet për titullin në La Liga.

Fakti është se deri në “El Clasico”-n e radhës ka ende pengesa. Fillimisht duhet të shohim se si do të mbërrijnë të dyja skuadrat në duelin e 21 prillit. Dhe të dyja do të kenë dalë nga përballja e dyfishtë në çerekfinalet e Champions League, “los blancos” kundër Sitit dhe blaugranat kundër PSG-së. Ajo që do të ndodhë në të dyja ndeshjet mund të ndikojë shumë në atë që do të ndodhë në klasiken e Spanjës.

Ançeloti, megjithatë, nuk dëshiron të shikojë nga “El Clasico”, ndonëse e pranon se gjërat po duken mirë për ekipin e tij. “Ne kemi një avantazh dhe duhet ta përfitojmë prej tij, duhet të mendojmë për Majorkën. La Liga është ende e hapur, por ne kemi këtë avantazh. Duhet të përpiqemi të fitojmë çdo ndeshje”, deklaroi italiani pas suksesit më të fundit kundër Bilbaos.

LEDJO SEFERKOLLI-PANORAMASPORT.AL


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.