Kronikë

“Do të jap shpjegime kur…”- Çfarë thoshte Roan Brahimi për dy atentatet në Milot dhe mbikalimi i Fushë-Krujë! 32-vjeçari u vra në Athinë! Ku shtrihet mbretëria e xhelatëve shqiptarë

20:43 - 15.05.24 Paula
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Të tjera detaje janë zbardhur nga atentati ne Athinë ndaj Roan Brahimit, i cili u qëllua për vdekje me breshëri plumbash pak ditë më parë.




Emisioni “Në Shënjestër” nga Klodiana Lala thote se autorët dhe porositësit e ekzekutimit të Roan Brahimit ishin në dijeni të çdo lëvizje të tij. Si edhe të faktit që ai kishte një familje të dytë në Greqi.

Pjese nga dokumentari

Pasi thuhet që Roan Brahimi kishte edhe një familje tjetër në Shqipëri, ku me bashkëshorten e parë kishte dy fëmijë. Por në vetvete atentati që trazoi edhe qetësinë e një kryeqyteti si Athina, që duhet thënë se është shqetësuar shpesh sidomos në dy vitet e fundit nga ngjarje të tilla të rënda, ku në qendër janë grupet shqiptare, tregoi në një farë mënyre edhe forcën e krimit shqiptar. Që tashmë guxon të ngrejë dorën fuqishëm, si brenda dhe jashtë Shqipërisë. Siç ishte edhe ekzekutimi i Roan Brahimit, apo personazheve të tjerë të botës së krimit, që kanë zgjedhur të fshihen jashtë vendit, duke vazhduar nga aty veprimtarinë e tyre kriminale duke u shfaqur herë si ushtarë, dhe herë si porositës të vrasjeve.

Siç ishte në fakt edhe aktiviteti i 32-vjeçarit, Roan Brahimi, i cili ishte përfshirë në shumë ngjarje të rënda kriminale kryesisht në mesin dhe veriun e vendit në Shqipëri. Por që nuk ishte arrestuar asnjëherë, pasi gjithmonë kishte ditur t’i ikte drejtësisë në kohën e duhur. Një ekzekutim që vinte pas një seri vrasjesh që kishin tronditur Shqipërinë gjatë tri viteve të fundit dhe që kishin lidhje me emrin e mbretit të bixhozit, Ervis Martinaj dhe familjarëve të tij. Të cilët u panë të asgjësoheshin në harkun kohor të pak viteve, një e nga një, në fije të ngatërruara larje hesapesh, por që me kalimin e kohës, gjaku i mbetur rrugëve, nisi të shpagohet dhe kësisoj të na zbardhë edhe dinamika të pazbuluara më pare se kush po godiste dhe kush do të ishte viktima e radhës. Një histori të cilës i ka kushtuar një vëmendje të gjatë dhe shtypi grek, që ka gërmuar thellë në jetën e këtij personazhi.

Emri i të cilit u bë publik për herë të parë në emisionin ‘Në Shënjestër’, të datës 14 Janar 2022. Ku u zbulua se një ndër banesat të cilat u kontrolluan nga policia në lidhje me atentatin e ndodhur në Milot më datë 22 Korrik 2022, ndaj Ylli Brahjas ose i njohur me mbiemrin Brahimi, i konsideruar si krahu i djathtë i Ervis Martinaj, dhe Klisman Preçit. ishte edhe ajo e Roan Brahimit. Ky Ylli Brahja mbeti i plagosur rëndë, ndërsa Klisman Preçi humbi jetën rrugës për në spital. Roan Brahimi i cili pikërisht në këtë emision ndërhyri me anë të një mesazhi, të lexuar nga gazetarja Klodiana Lala, ku mohonte që të kishte lidhje me ngjarjet kriminale që kishin ndodhur në Shqipëri. Siç ishte atentati në Milot ndaj Ylli Brahjas dhe Klisman Preçit. Apo atentati i trefishtë në mbikalimin e Fushë Krujës, ku mbetën të ekzekutuar Brilant Martinaj, djali i xhaxhait të Ervis Martinaj dhe dy miqtë e tij Dikler Vata dhe Besmir Hoxha.

“Reagon Roan Brahimi. Që sipas të gjithë dokumentacionit dhe dosjes hetimore që disponon emisioni ‘Në Shënjestër’, rezulton që babai i tij është marrë në pyetje, është kontrolluar banesa, është shpallur në kërkim policor për ngjarjen. Megjithatë i pyetur nga emisioni ‘Në Shënjestër’ nëse ka dhënë shpjegime në polici, Roan Brahimi në lidhje me atentatin e Milotit por edhe te Mbikalimi i Fushë-Krujës, Roan Brahimi përgjigjet se unë kam vite që jetoj jashtë, dhe do të jap shpjegime kur të vij në Shqipëri. S’kam asnjë arsye të nxitoj për t’i shërbyer kazanit mediatik”, thoshte Brahimi në emisionin ‘Në Shënjestër’ më 14 janar 2022.

Por ashtu siç ishte një personazh kontrovers për policinë dhe median shqiptare, kështu duket se Roan Brahimi konsiderohej edhe në vendin fqinj në Greqi. Ku jetonte prej vitesh, para se të lëvizte më tej në disa vende të ndryshme të Evropës, si në Francë, Spanjë dhe së fundmi në Emiratet e Bashkuara Arabe.

Aty nga ku sipas medias greke, Roan Brahimi drejtonte shfarosjen e kundërshtarëve të tij. “Në çdo gur të krimit që të ngrije në shtetin fqinj, gjithmonë aty poshtë do të gjeje 32-vjeçarin Roan Brahimi. Kjo ishte edhe arsyeja pse ai së fundmi kishte gjetur strehë në mikpritjen e Emirateve të Bashkuara Arabe, aty nga ku drejtonte shfarosjen e kundërshtarëve të tij”, shkruajnë mediat greke.

Më tej media greke duke u ndalur edhe te rasti i ekzekutimit të Roan Brahimit, i bën edhe një rezyme krimit shqiptar dhe forcës që organizatat kriminale shqiptare po tregojnë edhe jashtë vendit. Deri në Irakun e largët, ku pak muaj më parë një i ri shqiptar, ekzekutoi ‘Benzemanë’. Një nga bosët më të mëdhenj të kokainës, të kërkuar edhe nga DEA amerikane.

“Mbretëria e xhelatëve shqiptarë shtrihet e ‘punësuar’ në të gjithë gjatësinë dhe gjerësinë e tokës. Janarin e kaluar ata arritën që në Bagdad, të vrisnin në mes të rrugës trafikantin më të madh irakian të kokainës. Atë të cilit DEA amerikane i kishte vënë pseudonimin ‘Benzema’, për ngjashmërinë e tij me futbollistin e famshëm francez!”, shkruajnë mediat greke. Por ndërsa media greke kalon në skaner krimin shqiptar, nuk harron t’i rikthehet edhe njëherë jetës prej krimineli të Roan Brahimit. Dhe të një prej ngjarjeve të rënda të ndodhura vetëm dy muaj më parë, që si duket shënoi edhe fundin e tij. Atë të ekzekutimit në serën me domate në vilën e tij në fshatin Larushk të Fushë-Krujës.më 15 mars të Gentjan Bejtjas.

Një tjetër personazhi të ngatërruar keq me punët e krimit në zonën e Niklës dhe ca më tej në veri të vendit. “Roan Brahimi shfaqet sot si ‘instruktori’ i ekzekutimit gjatë marsit që lamë pas të Gentjan Bejtjas. Sera e domateve e 43-vjeçarit që u ujit me gjakun e tij pasditen e 15 marsit. Ku tre xhelatë me pagesë dolën nga ‘Land Roveri’ Discovery dhe e goditën me tre kallashnikovë, teksa në vendngjarje u numëruan 30 gëzhoja. Ku përfshirja e Brahimit rezulton në faktin se si udhërrëfyes të xhelatëve që vranë Bejtjan del të ketë qenë kunati i tij Ilir Beqaraj, i cili u arrestua së bashku me bashkëpunëtorin e tij Edison Haxhiu. Periudhë në të cilën kur u krye vrasja e Bejtjas, Roan Brahimi ishte strehuar prej muajsh në Dubai, si haraç për atë që i kishte bërë bandës rivale të Ervis Martinaj, i njohur si ‘Mbreti i Lojrave të Fatit’, i cili edhe ky u zhduk në mënyrë misterioze në gusht të vitit 2022, dhe që nga ajo kohë supozohet të jetë i vdekur”, shkruajnë mediat greke.

Sipas një gazetari të njohur grek pas ngjarjeve në Shqipëri, ku emri i tij kishte dalë si i përfshirë, Brahimi kishte qenë për një kohë të gjatë në Greqi. Por dyshimet më të mëdha janë se vrasësit të cilët mendohet se kanë qenë profesionistë me pagesë, e ndiqnin në mënyrë periodike në Greqi, partneren dhe fëmijën e tij. Aty ku mesa duket gjetën edhe vigjilencën e tij më të ulët dhe e ekzekutuan. “Më 17 Korrik 2022, Roan Brahimi vrau Brilant Martinaj, kushëririn e Ervis Martinaj. Ndërsa natën e 22 Korrikut 2022, ai qëlloi në qytetin e Milotit, ndaj Ylli Brahjas dhe Klisman Preçit, teksa Brahja po dilte nga Xhip-i i tij i blinduar, ku u derdhën 108 plumba. Në këtë ngjarje humbi jetën 28-vjeçari Preçi, ndërsa shoku i tij pasagjeri Ylli Brahja shpëtoi, pasi u kyç në makinën e blinduar ‘Toyota’ Land Cruise”, shkruajnë mediat greke.

Sipas medias greke, 32 vjeçari Roan Brahimi ishte në ortakëri të hapur me një bandë të krijuar nga nipi famëkeq i Rrahman Rrajas. Deri në shtator, deputet i Partisë Socialiste në pushtet të Edi Ramës. Ndërkohë që një oficer i Sigurisë tha për mediat greke se me shumë mundësi, vrasësi ka ardhur në Greqi, vetëm për të kryer atentatin.

“Kujtojmë se Roan Brahimi dhe gruaja e tij 37-vjeçare kishin parkuar automjetin e tyre luksoz me ngjyrë të zezë dhe kishin shkuar në biftekun ngjitur. Por gjatë daljes nga restoranti, një motoçikletë me dy motoristë i janë afruar, ku pasagjeri ka nxjerrë armën dhe ka qëlluar dy herë gjakftohtë ndaj Roan Brahimit. Ku policia ka grumbulluar dy gëzhoja nga vendi i përgjakur, ndërsa gjatë autopsisë është konstatuar se Roan Brahimi është qëlluar me dy plumba në kokë dhe një në qafë nga ekzekutori.

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.