Kryesore

U kualifikua në Olimpiadë/ Mundësi rus i Shqipërisë, në listën e zezë të Ukrainës

09:13 - 15.05.24 gsh
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Vetëm pak ditë më parë Shqipëria e dërgoi në 3 numrin e mundësve të kualifikuar për në Lojërat Olimpike, duke regjistruar një rezultat historik. Pas Zelimkhan Abakarov, të kualifikuar me kohë për në “Paris 2024”, si finalist i Botërorit, listës iu shtuan edhe dy kampionë të tjerë, Islam Dudaev dhe afrimi më i fundit nga Rusia, Chermen Valiev.




Dudaev dhe Valiev shkëlqyen në turneun botëror kualifikues për Olimpiadën, event që u zhvillua më datat 9-12 maj në Stamboll. Strategjia e Sahit Prizrenit, presidentit të Federatës Shqiptare të Mundjes, për të natyralizuar me përfaqësuesen kuqezi mundës nga Rusia, e ka bërë këtë sport më të suksesshmin e vendit brenda pak viteve. Sportistë, të cilët i kanë sjellë Shqipërisë tituj kampionë Bote dhe Europe në mundjen e stilit të lirë.

FSHM tashmë kërkon të shkruajë historinë edhe në “Paris 2024”, për të fituar medaljet e para olimpike të Shqipërisë. Por, duke kaluar në Lojërat Olimpike “Paris 2024”, evenimenti më madhor sportiv, që do të mbahet nga 26 korriku deri më 11 gusht në kryeqytetin francez, një çështje më vete ka qenë prezenca e atletëve nga Rusia dhe Bjellorusia.

Për shkak të pushtimit në Ukrainë, një ndër masat e marra nga Komitetit Olimpik Ndërkombëtar (IOC) ishte ndalimi i sportistëve të këtyre dy shteteve për të marrë pjesë me simbolet e kombeve të tyre në “Paris 2024”.

Pra sportistët rusë dhe bjellorusë do të lejohen të garojnë me flamuj neutralë, pa himn dhe vetëm në disa sporte individuale, ndërsa nuk do të lejohen të marrin pjesë në ceremoninë e hapjes së aktivitetit. Gjithashtu për të marrë pjesë në Olimpiadë, sportistët rusë dhe bjellorusë duhet të demonstrojnë “paanshmërinë e tyre politike”, domethënë të mos mbështesin luftën e nisur nga Rusia.

Ndërkohë një tjetër kusht i vendosur së fundi IOC është që sportistët në fjalë nuk mund t’i përkasin trupave ushtarake. Ukraina, e cila ka kërcënuar deri në bojkot të Olimpiadës për këtë çështje, ka publikuar një listë të gjatë me sportistë rusë dhe bjellorusë, që sipas ukrainasve janë mbështetës të luftës. Në këtë listë bëjnë pjesë plot 95 mundës të stilit të lirë, ndërsa mes tyre figuron edhe emri i Chermen Valiev, i cili vetëm pak javë më parë është pajisur me pasaportë shqiptare dhe do të përfaqësojë flamurin kuqezi në “Paris 2024”.

Ministria e Rinisë dhe Sporteve në Ukrainë në faqen e saj zyrtare ngre hije dyshimi mbi mundësin 25-vjeçar, Chermen Valiev, duke e lidhur me përfshirjen e tij në një klub sportiv të ushtrisë. Ja çfarë shkruhet në faqen zyrtare të Ministrisë së Rinisë dhe Sporteve në Ukrainë për sportistin që i është bashkuar Shqipërisë: “Mundësi rus i stilit të lirë Chermen Valiev po përballet me kritika të gjera për lidhjen e tij me Klubin Qendror Sportiv të Ushtrisë gjatë luftës brutale të vazhdueshme të Rusisë kundër Ukrainës.

Kontrata e Valiev me një klub sportiv të lidhur me ushtrinë ka ndezur një debat të diskutueshëm në lidhje me përfshirjen e atletëve me lidhje ushtarake në sportet ndërkombëtare. Shumë argumentojnë se shoqërimi i Valiev me një klub të lidhur me ushtrinë gjatë një konflikti të dhunshëm ngre pyetje serioze rreth parimeve të lojës së ndershme, neutralitetit dhe shpirtit të sportit. Kjo polemikë thekson nevojën për një rivlerësim të plotë të përkatësive dhe angazhimeve të atletëve për të siguruar që sportet të ruajnë integritetin e tyre si një platformë për unitet, respekt dhe paqe, në vend që të përfshihen në veprime ushtarake”, shkruhet në faqen zyrtare të ministrisë, me emrin e Chermen Valiev të futur në “listën e zezë” të mbështetësve të luftës në Ukrainë.

PANORAMASPORT.AL


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.