Kryesore

“Zhduken” dy arbitra shqiptarë të FIFA-s, tallje me VAR-in në Kategorinë e Parë

11:39 - 15.05.24 gsh
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

FSHF-ja e konsideroi si një risi sistemin VAR në Kategorinë e Parë gjatë këtij sezoni, teksa e aplikoi në disa ndeshje të rëndësishme në kampionatin që ka përfunduar.




Mirëpo, ndërsa ka mbetur për t’u zhvilluar sot edhe finalja e “play off”-it mes Apolonisë dhe Flamurtarit në Elbasan, ku do të përcaktohet skuadra që do të sfidojë ekipin e vendit të tetë në Superiore, Laçin, ajo që habit është fakti se atëherë kur duhej më shumë se kurrë sistemi VAR, në FSHF bënë “pas”. Pra, në dy ndeshjet e fazës “play off” të zhvilluara të dielën e kaluar, Vora-Apolonia 3-4 dhe Flamurtari-Korabi 0-0, nuk pati sistem VAR.

Në stadiumin e Vorës pati shumë polemika pikërisht për gjykimin, me disa raste flagrante për moviolë, që nëse do të kishte VAR, historia e ndeshjes mund të kishte një rrjedhë tjetër. Në Vlorë pati pak punë për gjykimin, por sërish kjo nuk justifikon vendimin e FSHF-së për të injoruar dy finale. Lind pyetja: Kujt i vlen sistemi VAR në disa ndeshje të kampionatit, në një kohë që mungon në finale, aty ku vendoset gjithçka sa i përket fatit të sezonit për skuadrat?!

Mbetet për t’u parë nëse institucioni i futbollit do të korrigjojë diçka sot në finalen Apolonia-Flamurtari, duke aplikuar teknologjinë në një ndeshje që vlen sa një sezon i tërë për fierakët dhe vlonjatët.

BREGASI DHE MYFTARI – Dy arbitra të FIFA-s janë “zhdukur” nga futbolli shqiptar në mënyrë misterioze prej gati pesë muajsh. “Panorama Sport” zbulon ekskluzivisht se asistentët Nertil Bregasi dhe Dojando Myftari nuk janë më pjesë e gjykimit, edhe pse prej shumë vitesh të dy janë vlerësuar nga FSHF-ja si arbitra elitarë dhe mbi të gjitha me stemën e FIFA-s. Bregasi rezulton të ketë qenë për herë të fundit si anësor në ndeshjen Dinamo-Egnatia 1-2, e luajtur më 16 dhjetor 2023 në stadiumin “Niko Dovana” në Durrës. Në vitin 2024 ai nuk ka marrë asnjë ndeshje, ndërsa burime të sigurta në FSHF tregojnë për gazetën se hapi i parë me anësorin ka qenë heqja e stemës.

Në ceremoninë e zhvilluar për arbitrat ndërkombëtarë në janar të këtij viti, ishte vetëm emri i Dojando Myftarajt, i cili rikonfirmohej si anësor i FIFA-s. Mirëpo, edhe ky i fundit nuk është më në aktivitet që prej ndeshjes Partizani-Laçi 1-2 më 20 janar 2024. Zyrtarisht nga FSHF-ja nuk është dhënë asnjë njoftim lidhur me arbitrat, duke shtuar edhe më shumë dyshimet për atë që ka ndodhur me ta gjatë pjesës së parë të sezonit 2023-2024, por edhe ndonjë histori të vitit të kaluar.

PANORAMASPORT.AL


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.