AKTUALITET

Vetting zbulon shifrat: 34 milionë tonë litra vaj gjembaçi të importuar në 1 vit! Kush po pasurohet në kurriz të shqiptareve duke mashtruar me vajin e lulediellit!

20:27 - 16.05.24 P. Gj.
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

EMISIONI VETTING




Nga kërkimet e “Vetting” është zbuluar se në vitin 2020, në Shqipëri janë importuar rreth 34 milionë litra vaj me kod doganor 15121199. Sipas nomenklaturës së mallrave doganore për vitin 2020, ky vaj rezulton të jetë vaj saffloëer ose vaj gjembaçi Indian, i njohur me emrin latinisht “Carthamus tinctorius”. Vlera totale e vajit të gjembaçit Indian të importuar është 3.67 miliardë lekë ose 37 milionë euro vetëm për vitin 2020.

Bima nga e cila prodhohet ky vaj ka filluar të kultivohet në të gjithë botën, duke përfshirë Amerikën e Veriut – kryesisht për vajin e saj, por më së shumti në Azi.

Lloji më i zakonshëm i këtij vaji në tregun ndërkombëtar është ai me përmbajtje të lartë oleike. Ky vaj gatimi është i qëndrueshëm ndaj nxehtësisë, veçanërisht për ushqimet e skuqura si patate të skuqura dhe patatina.

Por jo gjithmonë ky lloj vaji ka cilësi të lartë pasi, siç e përmendëm edhe më parë, ka cilësi të ndryshme dhe duhet theksuar se ky vaj kushtonte më pak se vaji i lulediellit i importuar.

Profesori Dritan Topi tha per Vetting se vaji i gjembaçit është 50 herë më pak se vajti i lulediellit në ne tregun botërorë. Sipas tij produktet ushqimore që importohen në Shqipëri, duhet të gjurmohen nga institucionet.

“Nuk di  të them lidhur me faktin pra, pse ky vaj ka gjetur treg në vendin tonë kur ka një cilësi nga pikëpamja ushqyese më të lartë se sa vaji I lulediellit.

Tani këtu duhet parë, sepse për produkte ushqimore ka shumë rëndësi ai procesi I gjurmueshmërisë. Pra, nga prodhuesi deri tek konsumatori, nqs gjithë këto hallka janë të gjurmuara, janë të mbikëqyrura dhe produkti nga origjina në tavolinë vjen i certifikuar, atëherë ne duhet të shtrojmë pyetjen, a duhet të themi që produkti e ka gjetur veten në treg, por për mua në këtë rast referuar sasive makro, vaji i lulediellit është prodhim në masë, me miliona tonë prodhuar dhe nuk mund të zëvendësohet nga vaji i gjembaçit i cili është diku 50 herë më pak se vaji i lulediellit në nivel botëror.”- është shprehur Topi.

Megjithatë sistemi i sigurisë ushqimore në vend ka treguar se shpeshherë ka mangësi, të cilat nuk evidentojnë në kohë produktet ushqimore që mund të kenë probleme me cilësinë.

Sipas Prof. Dr. Kapllan Sulajt: “Ky ka qenë një fenomen, unë kam bërë një deklaratë më parë në shtyp, për vajin e gjembaçit. Ajo që unë e kam thënë edhe më parë, ka ca kundërndikime për shkak të disa alkaloideve, nuk jepet te gratë shtatzëna ky lloj vaj dhe nuk lejohet të merret në kushtet të disa personave që janë të sëmurë, për faktin se mund të ndikojë në shëndetin e tyre”.

Ky problem është evidentuar jo vetëm nga specialistët e sigurisë ushqimore, por edhe nga organizatat që monitorojnë sigurinë ushqimore në vend.

Sipas Granit Sokolajt: “Në fakt është e njëjta histori me ata çfarë unë kam investiguar para dy vjetësh, me një informacion që kisha dhe sigurisht shifrat janë alarmante. Kjo që thoni ju, përfshirë atë që unë kisha në atë kohë, është alarmante krahasuar me shifrat e vajit të lulediellit që hyjnë në Shqipëri, i rafinuar apo i parafinuar që përpunohet e shpërndahet në tregun tonë.

Duke ditur llojin e natyrës së saffloëer-t, e cila është ngjyrë e verdhë, prodhohet në farat e kësaj lule, është identike, në ngjyrë, në pamje me vajin e lulediellit. Do të thotë që ka dyshime dhe në këtë rast mund të ketë dyshime serioze që ne kemi konsumuar, pra konsumatori shqiptar ka konsumuar vaj saffloëer në vend të sunfloëer apo vaj luledielli.  Pra, ka një tendencë ose mashtrim të konsumatorëve për shkak të kostos së tij më të lirë se vaji i lulediellit, sidomos që nga koha e pandemisë dhe konflikti në Ukrainë.

Pra, ka pasur kjo periudhë rritje të masive të çmimeve të vajit të lulediellit dhe është gjetur si mënyrë alternative për të ruajtur apo maksimizuar fitimet e tyre tregtarët, në kurriz të konsumatorëve. Një mashtrim i hapur dhe askush nga ne nuk e di që e ka marrë, aq më pak kur nuk deklarohet në etiketë.”

 Kush po gënjen për vajin në treg?

Për të kryqëzuar të dhënat lidhur me vajin e konsumuar, “Vetting” kontaktoi INSTAT, i cili ka dhënë informacione që mbështesin Doganat për periudhën 2021-2023 për sasitë e vajit të gjembaçit. Por edhe INSTAT ka probleme me transparencën, duke ngritur dyshime.

Sipas INSTAT, në Shqipëri në vitet 2021,2022 dhe 2023 janë importuar sasi vaji gjembaçi nga vendet si Turqia, Italia dhe Holanda, por nuk jepet asnjë informacion specifik për sasitë. Mungesa e transparencës zbulohet nga fakti se INSTAT nuk jep asnjë informacion për importimin e vajit të gjembaçit në vitin 2020. Madje përsa i përket të dhënave për vajin e lulediellit, kemi sasi shumë të ulëta të importuar, ndërkohë që vet doganat për të njëjtin produkt kanë deklaruar sasi më të mëdha.

Situata komplikohet sepse INSTAT nuk pranon të japë sasitë e importuara nga këto vende, nën parimin e konfidencialitetit.

Megjithatë, informacionet nga Doganat dhe INSTAT zbulojnë se Autoriteti Kombëtar i Ushqimit fsheh informacionin.

“Vetting” iu drejtua me kërkesë për informacion për sasinë e vajit të gjembaçit që është importuar në vendin tonë, por deklarata e Autoriteti Kombëtar të Ushqimit bie ndesh me informacionin zyrtar nga Doganat.

Referuar kërkesës se dërguar ju informojmë se nga verifikimet e kryera, ne Pikat e Inspektimit kufitar te Republikës se Shqipërisë nuk rezulton te jete importuar Vaj “Saffloëer Carthamus Tonctorius” por vaj Sunfloëer oil (Vaj luledielli)”, thekson Autoriteti i Kontrollit Ushqimor (AKU).

Por kjo nuk është hera e parë, që AKU-ja deformon informacionet, që lidhen me sigurinë ushqimore, që ndikojnë drejtpërdrejt te shëndeti i konsumatorëve.

 “Fatkeqësisht Autoriteti Kombëtar i Ushqimit fsheh herë pas here të dhëna sepse është ai institucion, i cili përsa kohë bëhet fjalë për një institucion ushqimor, i cili duhet të ketë database e vet të dhënave të importit, të produkteve ushqimore.”- tha kreu i Qendrës Alert, Granit Sokolaj.

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit është vendosur shpeshherë në qendër të vëmendjes për problemet e evidentuara me inspektimet, jo vetëm nga organizatat për mbrojtjen e konsumatorit, por edhe nga Kontrolli i Lartë i Shtetit.

Por kush janë kompanitë që kanë importuar vaj gjembaçi Indian?

Në kërkesën për informacion, Doganat deklaruan se nuk ka asnjë kompani që ka importuar vaj gjembaçi në vitin 2020, ndërkohë që kanë pranuar se janë importuar 34 miliona litra vaj gjembaçi. Sipas Doganave, për vitin 2021, 2022 dhe 2023 janë 3 kompani, të cilat kanë importuar sasi të vogla nga vaji i gjembaçit.

Konkretisht, subjektet “Tirana Cash & Carry”, “JURREI” shpk dhe Festim Abdyli si person fizik kanë importuar vaj gjembaçi nga Italia, Maqedonia e Veriut dhe Turqia.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.