Kosova

Analiza e REL: Pranimi në KiE mund ta ketë fatin si liberalizimi i vizave

15:29 - 21.05.24 P. Gj.
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Nëse Kosova nuk bën hapa të menjëhershëm drejt formimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, pritja e saj për anëtarësim në Këshillin e Evropës (KiE) do të shndërrohet në një “sëmundje të gjatë” dhe me “kosto të lartë”, thotë Demush Shasha nga Instituti i Kosovës për Politika Evropiane.




Se a do të bëjë ndonjë hap në këtë drejtim, tash për tash nuk është e qartë. Interesimit të Radios Evropa e Lirë për këtë çështje nuk iu përgjigj as Qeveria e Kosovës, as Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës.

Çështja e Asociacionit e la Kosovën jashtë agjendës së Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës më 17 maj, kur edhe do të vendosej për anëtarësimin e vendit në këtë organizatë.

Kusht i disa vendeve anëtare të saj, përfshirë Francën dhe Gjermaninë, ishte që Kosova ta çonte së paku për vlerësim në Gjykatën Kushtetuese një draft-statut të diplomatëve perëndimorë për Asociacionin.

Vetëm 24 orë përpara se të mblidheshin ministrat e Këshillit të Evropës, ministrja e Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla, tha se vendi është duke përgatitur një draft-statut të vetin, bazuar në modelin e një organizate gjermane, për ta dorëzuar në Kushtetuese deri në fund të majit.

Njoftimi i saj nuk i ndryshoi zhvillimet në KiE, sepse u konsiderua i vonshëm.

Rrjedhimisht, Gërvalla tha se oferta e Kosovës “e humbi vetvetiu aktualitetin dhe relevancën”.

REL-i e pyeti MPJD-në nëse kjo nënkupton heqjen dorë nga hartimi i draft-statutit, por nuk mori përgjigje.

“Mund të ketë vonim, por jo shpëtim”

Shasha thotë se nëse Qeveria e Kosovës nuk e dërgon draft-statutin në Kushtetuese, siç u zotua, do të ketë pasoja për vetë Kosovën.

Sipas tij, duke mos bërë hapa konkretë, vendi rrezikon të shkojë drejt një situate të ngjashme me atë të vitit 2016, kur nuk e ratifikoi marrëveshjen për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi.

Ratifikimi i kësaj marrëveshjeje nga Kuvendi i Kosovës ishte kusht për heqjen e regjimit të vizave nga BE-ja për qytetarët e Kosovës.

Për pasojë, thotë Shasha, Kosova i humbi gati 8 vjet, derisa siguroi udhëtimin pa viza nga 1 janari i këtij viti.

Ai thotë se situatë e ngjashme mund të ndodhë edhe me anëtarësimin në KiE – organizatën lidere në kontinent për të drejtat e njeriut.

Për më tepër, shton ai, situata mund të ndikojë edhe në kredibilitetin ndërkombëtar të Kosovës dhe ta frenojë atë edhe në proceset e tjera integruese.

Formimi i Asociacionit, thotë Shasha, “është i pashmangshëm”.

“Nga kjo punë, epilog tjetër s’ka. Siç thotë fjala popullore: ‘mund të ketë vonim, por shpëtim nuk ka’. Mund të provohet të bëhen të gjitha manovrat politike, por ikje nga përgjegjësia për ngritjen e Asociacionit, nuk ka”, thotë ai.

Për Belgzim Kamberin, nga Instituti për Politika Sociale “Musine Kokolari” në Prishtinë, Kosova tashmë e humbi rastin që u desh ta shfrytëzonte për anëtarësim në KiE.

“Tash, këtu kemi një lloj moskuptimi dhe kundërthënieje të thellë midis Quint-it [SHBA-së, Mbretërisë së Bashkuar, Gjermanisë, Francës dhe Italisë] dhe Qeverisë së Kosovës, lidhur me atë se për cilin draft-statut [të Asociacionit] po flitet”, thotë Kamberi për Radion Evropa e Lirë.

Këtë, sipas tij, e dëshmon edhe fakti se Kosova nuk e dërgoi draft-statutin e Asociacionit në Gjykatë Kushtetuese edhe me koston e mospranimit në KiE.

“…pra, nuk është e gatshme fare ta themelojë Asociacionin ose po taktizon në kuptimin që për të [Qeverinë e Kosovës], themelimi i Asociacionit në këmbim me Këshillin e Evropës është ‘pazar i vogël’”, thotë Kamberi pa specifikuar më shumë.

Marrë parasysh zhvillimet në terren, njohësit e çështjeve politike, megjithatë, shprehen skeptikë për ndonjë hap të shpejtë konkret në drejtim të themelimit të Asociacionit.

Në Kosovë, gjithnjë e më shumë, është duke u diskutuar mundësia e zgjedhjeve të parakohshme.

Bashkimi Evropian, po ashtu, është në fazën e procesit zgjedhor, në të cilën marrin pjesë aktive edhe disa prej figurave kryesore të institucioneve të BE-së./REL


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.